Zvicra? «Një vend i çmendur»!

Një polemikë e rreptë mes shkrimtarit Lukas Bärfuss, publicistit Roger Köppel dhe historianit Raphael Gross për politikën në Zvicër – dhe përse kjo duhet t’u interesojë 200 mijë shqiptarëve të këtij vendi dhe jo vetëm teoricienëve të «demokracisë së drejtpërdrejtë» në viset shqiptare e gjetiu.



Në fund të këtij muaji shkrimtari zviceran Lukas Bärfuss do të vizitojë Shqipërinë për të marrë pjesë në një festival letërsie. I lindur në Thun afër Bernës në vitin 1971 Bärfuss është njëri prej dramaturgëve më të njohur bashkëkohorë në hapësirën gjermanofolëse. Ai është shpërblyer me shumë çmime për veprën e tij dhe nga revista «Theater heute» («Teatri sot») është shpallur «Dramaturg i vitit». Në shqip tani është përkthyer drama e tij «Neurozat seksuale të prindërve tanë», e cila është luajtur në disa teatro mes Hamburgut dhe Zürichut.

Para se të shkojë në Shqipëri Bärfuss ka shkruar një ese të stuhishëm mbi gjendjen në Zvicër. Më 15 tetor, tri ditë para zgjedhjeve parlamentare në Zvicër, në gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Bärfuss goditi ashpër rrëshqitjen e vendit nga e djathta politike, izolimin dhe arrogancën e bashkëkombësve të tij. Bärfuss cilësohet si shkrimtar i majtë, por tekstin e botoi në një gazetë konservatore. Duket se e përditshmja gjermane jo vetëm që ishte e bindur me cilësinë e tekstit, por synonte edhe të hapte një debat mbi Zvicrën, mbi këtë demokraci të çuditshme alpine në zemër të Europës, e cila gati të gjithë tregtinë e zhvillon me vendet e Bashkimit Europian, por assesi nuk dëshiron të integrohet në BE.

Bärfuss shkruan se politika zvicerane prej vitesh injoron forcat që dizajnojnë vendin në shekullin e 21-të. Forcat e djathta politike vazhdojnë t’i frikësojnë njerëzit duke paralajmëruar rreziqe të mëdha që i kanosen Zvicrës ose duke i zmadhuar këto rreziqe. «Asnjëra prej partive nuk ka guxim që gjatë fushatës elektorale të ballafaqohet me sfidat e vërteta». Më së shumti, sipas tij, në Zvicër heshtet për raportin ndaj Bashkimit Europian. Bärfuss kritikon referendumin e 9 shkurtit 2014, me ç’rast votuesit zviceranë vendosën të kufizojnë në mënyrë radikale mundësinë e shtetasve të vendeve të BE-së për t’u shpërngulur në Zvicër dhe kërkuar punë – ndonëse Zvicra kishte nënshkruar Marrëveshjet Bilaterale me Brukselin dhe ishte obliguar për hapjen e tregut të punës për banorët e vendeve të BE-së. Që nga mbajtja e referendumit raportet mes Bernës dhe Brukselit janë pothuaj të ngrira. BE ka bërë të qartë se Zvicra nuk mund t’i shfrytëzojë vetëm ato pjesë të Marrëveshjeve Bilaterale, të cilat i pëlqejnë asaj dhe prej të cilave ajo përfiton.

Bärfuss shkruan se aksidentin me BE-në e ka shkaktuar demokracia e drejtpërdrejtë: në Zvicër për pothuaj çdo temë fjalën e fundit e ka populli. Nëse 100 mijë qytetarëve me të drejtë vote nuk u pëlqen diçka, ata me nënshkrimet e tyre mund të organizojnë një referendum dhe pastaj populli ka shansin të shprehet për apo kundër një çështjeje. Jo gjithherë populli është i pagabueshëm dhe këtu qëndron edhe rreziku i demokracisë së drejtpërdrejtë: atë mund ta keqpërdorin popullistët (të djathtë dhe të majtë) ose industrialistët antieuropianë mund ta manipulojnë mendimin publik me kapitalin e tyre. Këto gjëra e brengosin Lukas Bärfussin. Dhe jo vetëm këto. Ai akuzon të majtën zvicerane (partitë dhe sindikatat) për plogështi; e majta, sipas tij, nuk e ka kuptuar se «prej mjelësit janë shndërruar në lopë». Si çdo majtisti edhe Lukas Bärfussin e pengon energjia bërthamore. «Centrali më i vjetër për prodhimin e energjisë bërthamore gjendet në Zvicër. Ky central në Beznau prodhon sa energji aq edhe avari. Ekspertë ndërkombëtarë tundin kokën për shkak të pakujdesisë». Politikanët dhe kantonet nuk janë të interesuara ta ndalin këtë reaktor dhe shpresojnë se «zoti në qiell» do ta shpëtojë Zvicrën nga më e keqja.

Në vazhdim të artikullit të tij Bärfuss godet Partinë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila dominohet prej «popullistëve më të suksesshëm të djathtë në Europë», siç i përshkroi revista «Der Spiegel» pas zgjedhjeve, ku SVP doli partia e parë. Pas kësaj partie qëndron industrialisti Christoph Blocher, i cili ka një pasuri private prej 3,6 miliardë franga. Një pjesë të konsiderueshme të kësaj shume Blocher e ka investuar në partinë e tij – duke e shndërruar atë prej një force politike që përfaqësonte interesat e bujqve dhe zejtarëve në një parti tamam popullore me gati 30 për qind të votave, e cila zhvillon fushatë elektorale pandërprerë dhe me imazhe të qarta armiku: Bashkimi Europian, refugjatët, shqiptarët. Fushatat e SVP-së përkrahen me muzikë të zhurmshme mediale të prodhuara nga revista «Weltwoche» (pronari dhe kryeredaktori i kësaj reviste Roger Köppel të dielën është zgjedhur deputet i SVP-së me rezultat të shkëlqyer) dhe nga gazeta «Basler Zeitung». Kryeredaktori i saj është biograf i Christoph Blocherit, i cili është pronar i gazetës dikur cilësore nga Baseli. Bärfuss kritikon edhe mediumet serioze, të cilat, sipas tij, gjithnjë e më shumë po lëshojnë pe ndaj presioneve të popullistëve.

«Qytetari zviceran sot në fakt mund t’i besojë vetëm drejtësisë. Por jo asaj zvicerane, po drejtësisë amerikane. Ajo kujdeset rregullisht që Konfederata e Zvicrës të mos e humb tërësisht kontaktin me kombet e civilizuara. Pa prokurorët përtej Atlantikut bankat deri më sot nuk do ta kishin kthyer arin e hebrenjve të vrarë. Mashtruesit ndërkombëtarë të taksave ende do të mund të fshiheshin pas sekretit bankar. Dhe funksionarët e sportit edhe më tutje dhe pa u prekur fare nga Zürichu do të mund të vazhdonin të bënin pazare me të rinjtë e botës. (…) Në këtë vend njerëzit janë një popull shkurtabiqësh dhe duan të jetë të tillë». Kur përmend drejtësinë amerikane dhe funksionarët e sportit Bärfuss aludon te skandalet korruptive të FIFA-s, e cila e ka selinë në Zürich. Sivjet me urdhër të drejtësisë amerikane policia zvicerane në një aksion që i përngjante një filmi të Hollywood-it arrestoi disa zyrtarë të FIFA-s në qendër të Zürich-ut.

Siç pritej teksti i Lukas Bärfuss ngjalli reagime të zjarrta – për dhe kundër. Po në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» kundër Bärfuss reagoi Roger Köppel – si përherë me gjuhë të mprehtë dhe duke mbrojtur modelin zviceran. «Shkrimtari zviceran Lukas Bärfuss gabon. Zvicra nuk është vend i ‹çmendurisë›. Ajo po ashtu nuk popullohet nga shkurtabiqët. Është një budallallëk arrogant të thuash se në këtë demokraci disa shekuj të lashtë, e cila qe 500 vjet nuk ka nisur asnjë luftë, fjalën kryesore e ka ‹popullizmi i paturpshëm›, i cili ‹bën reklamë me simbole naziste›. Sikur Bärfuss t’u besonte insinuatave të tij, ai me gjasë nuk do të merrte subvencione nga ky shtet i errët. Zvicra është vend interesant: e varfër nga natyra, pa pasuri nëntokësore, ajo në rrjedhën e shekujve ka arritur një mirëqenie mbresëlënëse. Në shekullin e parakaluar Friedrich Engels, ashtu si Bärfuss, besonte se demokracia alpine do të përfundojë si shkretëtirë ekonomike dhe intelektuale», shkruan Köppel. Engels, sipas politikanit dhe publicistit Köppel, nuk ishte i aftë t’i vërejë cilësitë e Konfederatës së Zvicrës – «siç dihet ky nuk ishte gjykimi i vetëm i gabuar në karrierën e komunistit të famshëm».

Në reagimin e tij Köppel përqendrohet në mbrojtjen e sistemit aktual politik të Zvicrës, por pa dhënë ndonjë përgjigje bindëse mbi qëndrueshmërinë e këtij modeli në botën e globalizuar. «Zvicra», shkruan ai, «është anarkia më së miri e organizuar e Perëndimit. Ajo ka një sistem politik që shumë pak njerëz e kuptojnë. Para së gjithash në vendet fqinje qarkullojnë përfytyrime të çuditshme. Poentë dhe perlë e sistemit tonë shtetëror është fakti se në fund fjalën kryesore në demokracinë e drejtpërdrejtë e kanë qytetaret dhe qytetarët. Politika i shmanget planifikimit të imponuar nga lartë prej elitave gjoja të iluminuara».

Nëntoni i tekstit të Köppel është: ne zviceranët duam të jetojmë kështu siç jemi, pa u integruar në strukturat europiane dhe duke ruajtur sistemin tonë, sepse ne zviceranët jemi kështu – një popull që e do pavarësinë e vet. Që kjo pavarësi, sekreti bankar dhe diskrecioni zviceran shpeshherë janë shfrytëzuar edhe nga diktatorët dhe të korruptuarit e botës për t’i parkuar në Zvicër paratë e tyre – për këtë problem Köppel nuk flet fare. Edhe më keq: së fundi ai mori kalemin dhe shkroi se shefi i suspenduar i FIFA-s, zvicerani Joseph Blatter, duhet të lihet rehat, sepse paskësh merita të mëdha për futbollin. Kështu nuk mendon drejtësia amerikane, e cila dyshon se Blatter është i korruptuar deri në fyt. Globalizimi i botës i ka lëvizur edhe koordinatat ideologjike: autorë të majtë si Lukas Bärfuss lavdërojnë drejtësinë amerikane, ndërsa konservatorë të rinj si Roger Köppel tregojnë simpati të lehtë për Vladimir Putinin dhe modelin e tij maskulin të pushtetit.

Në numrin e së mërkurës të «Frankfurter Allgemeine Zeitung» debatin e ka vazhduar Raphael Gross, historian nga Zürich-u, i cili është drejtor i Muzeut Hebraik në Frankfurt dhe i Institutit Simon Dubnow për histori hebraike dhe kulturë në Leipzig. Gross kritikon deputetin Köppel për shkak se nuk merret me problemin thelbësor të demokracisë së drejtpërdrejtë zvicerane: ky model, sipas Gross, me instrumentin e vet të nismës popullore viteve të fundit përmes përzierjes së turbullt të financimit jotransparent të partive dhe mediumeve hap pas hapi është shndërruar nga modeli liberal deri konservator në model agresiv popullist. «Për fat të keq ka ndodhur ajo që kishte paralajmëruar që në vitet njëzet teoricieni i madh i demokracisë i shekullit 20-të dhe i orientuar nga shteti juridik, Hans Kelsen: demokracitë e drejtpërdrejta mund ta rrezikojnë veten lehtë. Demokracia mund të drejtohet edhe kundër themeleve të saj, sidomos kundër shtetit ligjor dhe organeve të tij. Kjo frikë duket se nuk e lë rehat (autorin) Bärfuss – me të drejtë. Dhe ai ka të drejtë të tërheq vërejtjen se Zvicra demokratike në vitet e fundit është bërë një shesh lojërash të ‹çmendurisë› populliste», shkruan Gross.

Në vazhdim të reagimit të tij Gross përmend disa vendime të votuesve zviceranë që duke e shfrytëzuar demokracinë e drejtpërdrejtë nuk kanë marrë vendime të mençura. Këtu hyjnë: miratimi i nismës për kufizimin e ardhjes së shtetasve të BE-së në Zvicër, e cila kërcënon të dëmtojë rëndë marrëdhëniet me BE-në, partnerin kryesor tregtar të Zvicrës; miratimi i nismës kundër minareve, e cila ndalon ndërtimin e minareve në territorin e Zvicrës dhe nuk përputhet me lirinë e besimit; e ashtuquajtura nismë për dëbim nga Zvicra, e cila synon t’i detyrojë gjyqtarët t’i largojnë nga vendi edhe ata të huaj që kanë kryer një delikt të lehtë.

Këto nisma, shkruan Gross, janë iniciuar nga Partia Popullore e Zvicrës dhe nga publicistika e Roger Köppel. Kjo publicistikë nuk është transparente dhe nuk dihet, por supozohet se mund të jetë e financuar nga industrialisti Christoph Blocher. Po ashtu në Europën perëndimore nuk ka vend tjetër si Zvicra, ku nuk ekziston kurrfarë rregulli për financimin e fushatave elektorale, referendumeve dhe të politikës në përgjithësi. «Kjo kulturë e fshehtësisë karakterizon edhe trevën mediale të Zvicrës», shkruan Gross dhe përmend si shembull gazetën «Basler Zeitung», e cila është pronë e popullistit Blocher. «Zvicra e shekullit 19-të ka qenë një udhërrëfyese progresive, liberale në zemër të Europës. Por Zvicra thellësisht liberale, e cila përkundër tipareve të dukshme konservatore në shekullin e 19-të i takonte avangardës historike rrezikon që në shekullin e 21-të të bëhet laborator i popullizmit agresiv, i cili me metoda jostransparente shërbehet me institucionet e demokracisë së drejtpërdrejtë. Lukas Bärfuss mbase synonte të përmendte këtë rrezik. Ky s’do të duhej të ishte vetëm synim i tij», përfundon Gross. Dhe këtu, me gjasë, nuk do të përfundojë as kjo polemikë zvicerane.