«Zvicra duhet t’i integrojë të huajt, jo t’i dëbojë»

Gazeta e njohur zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» e ka quajtur budallallëk iniciativën e popullistëve zviceranë për dëbimin automatik të qytetarëve të huaj – madje edhe në raste kur janë të përfshirë në delikte relativisht të lehta.

«Është më keq se një krim, është gabim»: Votuesit zviceranë duhet të hedhin poshtë iniciativën për dëbimin e të huajve, shkruan gazeta «Neue Zürcher Zeitung».



«Zvicra po debaton nëse të huajt janë barrë apo pasuri. Iniciativa për dëbimin e të huajve që kryejnë delikte jep një përgjigje të gabuar në këtë pyetje, sepse i zmadhon rreziqet dhe i injoron shanset». Kjo është motoja e komentit kryesor të gazetës së njohur zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ), botuar të shtunën, dy javë para se qytetarët e këtij vendi të vendosin nëse do të pranojnë një iniciativë të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila kërkon që të huajt që kryejnë delikte të caktuara në Zvicër të dëbohen automatikisht. Për këtë qëllim synohet të futet një nen në Kushtetutë.

Duke cituar ministrin e policisë të Napolonit, Joseph Fouché, i cili me rastin e ekzekutimit të dukës d’Enghien kishte thënë më 1803: «Është më keq se një krim, është gabim», «Neue Zürcher Zeitung» e quan nismën e Partisë Popullore të Zvicrës një budallallëk dhe në kundërshtim me interesat e Zvicrës. Derisa vendet e tjera ankohen se po u ikin njerëzit më të zgjuar për shkak të mungesës së perspektivave, Zvicra vazhdon të jetë një magnet për talentet më të mëdhenj. Zvicra, sipas NZZ, është një Silicon Valley i robotikës, ndërsa Zürichu kryeqytet i ndërmarrjeve të reja në sektorët e mjekësisë, fizikës dhe kimisë. «Kjo s’do të ishte e mundshme pa punëtorët e huaj të kualifikuar shumë mirë. A do të vijnë ata në numër të mjaftueshëm nëse nuk mund të ndërtojnë një ardhmëri të sigurt, sepse duhet të llogarisin se do të dëbohen për shkak të dy delikteve relativisht të lehta». Nga ana tjetër, thekson gazeta, iniciativa e SVP-së nuk mund t’i tremb punëtorët e kualifikuar dobët, të cilët edhe nëse kërcënohen me Shpatën e Domokleut, do të qëndrojnë indiferent, sepse nuk kanë alternativë. Iniciativa e konsideron të huajt jo vetëm si barrë, por edhe si kërcënim. «Njëkohësisht nxiten resentimente. Në lagjet periferike franceze asgjë më shumë nuk e nxit urrejtjen e të rinjve nga vendet e Magrebit se ndjenja e të qenurit të përjashtuar. Zvicra do të duhej të ishte mjaft e mençur që të mos krijojë shoqëri paralele me ndihmën e paragrafëve».

Gazeta kritikon faktin se Zvicra ende mbetet vend ku të huajt e kanë shumë të vështirë të marrin shtetësinë. «Qasja e lehtësuar për marrjen e pasaportës zvicerane te shumica e të huajve të shpërngulur në Zvicër do të stimulonte identifikimin me atdheun e ri. (…) Momentalisht një e katërta e popullsisë me banim në Zvicër është e përjashtuar nga participimi politik – dhe kjo ndodh në një shtet i cili lavdërohet për të arriturat e veta të papërsëritshme demokratike. Kjo nuk është faqe e lavdishme – dhe Zvicra nuk është polis antik, në të cilin një pjesë e madhe e banorëve nuk kishin të drejta politike».

Sipas NZZ në Zvicër ka ndryshuar struktura e popullsisë së huaj. Para 50 vitesh migrantët e shihnin veten si punëtorë stinorë, ndërsa tani shumica e të huajve i takojnë gjeneratës së dytë dhe janë të rrënjosur mirë në Zvicër. Për ta participimi politik është i vetëkuptueshëm. «Pa participim nuk ka integrim. Kush e dëshiron atë, duhet të jetë i gatshëm të bëjë hapin e dytë dhe t’u ofrojë të huajve një perspektivë të sigurt».