Zviceranët mesatarisht kanë nga 545’000 franga

Popullata zvicerane mesatarisht ka në disponim pasurinë më të madhe në të gjithë botën. Realisht janë 1'500 veta që zotërojnë nga mbi 100 milion franga...

Foto: Sonia Alves-Polidori / Shutterstock.com



Askund në botë pasuria mesatare e qytetarëve nuk është kaq e lartë sa ajo e Zvicrës. Mesatarisht i bie 545’000 franga (ose 567’000 dollar) për qytetar. Në vendin e dytë me qytetarë të pasur vjen Zelanda e Re me një pasuri mesatare të qytetarëve prej 400’000 dollarësh, e transmeton «20 minuten» raportin e fundit botëror të bankës zvicerane Credit Suisse. Artikulli thotë se nga viti 2000 pasuria mesatare në Zvicër është rritur për 144 për qind. Pjesa më e madhe e rritjes vjen falë forcimit të frangës kundrejt dollarit.

Për përllogaritjen e kësaj pasurie Credit Suisse ka përfshirë të gjitha depozitat e kapitalit, gjërat me vlerë dhe patundshmëritë. Ndërsa nga kjo shumë janë hequr borxhet. Edhe fondet private të përkujdesjes janë llogaritur në kalkulim, por këtu nuk bën pjesë fondi i pensionit të moshës.

Gjysma e banorëve kanë nga 100’000 dollarë

Por, paralajmëron media, shpërndarja mesatare e pasurisë nuk jep një ide të drejtë të pasurisë së vërtetë. Është pasuria e madhe disa pak vetave që e bën kaq të lartë mesataren e përgjithshme. Në dhjetë vitet e kaluar, përkundër zhvillimeve në vendet e tjera, në Zvicër nuk ka pasur një zvogëlim të pabarazisë. Prandaj Zvicra reflekton edhe një ndër pabarazitë më të mëdha ndër të gjitha vendet e zhvilluara, thuhet në raport. Në vitet 2014 dhe 2015 në Zvicër jetonin 3’800 veta që zotëronin një pasuri prej nga 50 milionë dollarësh. Kurse 1’500 të tjerë kishin nga 100 milionë dollarë.

Një pasqyrë më të saktë të pasurisë së vërtetë të qytetarëve e jep parametri i medianit, që tregon vlerën që qëndron në vendin e mesëm të një radhitjeje në bazë të lartësisë. Vlera e tij në Zelandën e Re me 182’600 dollarë është më e larta. Kurse, sipas këtij parametri, Zvicra vjen pas Australisë, Belgjikës, Britanisë së Madhe dhe Norvegjisë – në vendin e pestë në botë me 107’600 dollar. Sipas raportit të bankës, gjysma e zviceranëve ka nga më pak se 107’600 dollarë. Gjysma tjetër zotëron një pasuri prej më shumë se 107’600 dollarëve.

Pabarazia po shtohet

Zhvillimi tregon që ndërmjet mesit të 2014-tës dhe mesit të 2015-tës pasuria botërore po shënon një rënie të lehtë. Ajo është zvogëluar për 12,4 bilion dollarë në rreth 250 bilion dollarë amerikanë. Sidomos në zonën e euros, Australi, Japoni dhe Kanada. Kurse në Amerikë pasuritë janë rritur.

Pabarazia botërore ka vazhduar të rritet, transmeton media. Sipas raportit të Credit Suisse, gjysma e popullsisë së varfër në botë zotëron më pak se një për qind të pasurisë botërore. Përqindja e të pasurve ndërkohë zotëron 50 për qind të të gjitha pasurive.

Po t’i heqësh borxhet, një personi i duhen 3’210 dollarë për t’u kualifikuar në gjysmën e pasur të popullatës së botës. Kush zotëron më tepër se 68’800 dollarë kalon në dhjetë përqindshin e më të pasurve të popullsisë botërore. Me 759’900 dollar pasuri llogaritesh në përqindjen e atyre me pasurinë më të lartë. ks