Zvarritet funksionalizimi i objektit të ri të shkollës «Luciano Matroni» në Prizren

Premtimet se prej fillimit të tetorit nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë «Luciano Matroni» do të kalonin në objekt të ri shkollor, në mënyrë që edhe nxënësit e shkollës fillore «Lekë Dukagjini» në Prizren të ndiqnin mësimin në dy ndërresa, ende nuk janë realizuar.




Madje drejtues Arsimit të Prizrenit thonë se nuk janë në dijeni se kur do të vihet në funksion ndërtesa e re e Shkollës së Mjekësisë, pasi që afatet e caktuara nga Ministria e Arsimit, që e ka financuar projektin, deri tashti nuk janë përmbushur, shkruan sot «Koha Ditore».

«MASHT-i ende nuk e ka përfunduar projektin, prandaj dhe nxënësit e SHMM «Luciano Matroni» ende nuk kanë kaluar në ndërtesën e re. Kështu edhe nxënësit e shkollës «Lekë Dukagjini» nuk kemi mundur t’i bartnim në objektin që shfrytëzohet ende nga Shkolla e Mjekësisë. Për këtë arsye ia kemi drejtuar një shkresë zyrtare sektorit të infrastrukturës në MASHT, pasi që nuk kemi marrë ndonjë informatë se kur do të përurohet Shkolla e re e Mjekësisë», ka thënë drejtori i Arsimit i Prizrenit, Nexhat Çoçaj.

Ai ka pranuar se në këtë situatë procesi mësimor në shkollën “Lekë Dukagjini” po zhvillohet në tri ndërrime.

«Shkolla «Lekë Dukagjini» ka mbetur «peng» i MASHT-it, prandaj dhe vijon punën në tri ndërrime», ka deklaruar Çoçaj.

Objekti i ri i SHM «Luciano Matroni» në Prizren ende nuk është vënë në shërbim, ndonëse ndërtimi i saj ka filluar që nga viti 2010, me mjete të buxhetit të MASHT-it.