Zoologu ambasador që ia acaroi nervat presidentit Trump

Sir Kim Darroch është ambasador i Britanisë së Madhe në Washington. Për shkak të kritikave të brendshme të tij kundër kabinetit të Donald Trumpit ai është vënë në shënjestër nga presidenti amerikan.

Donald Trump dhe Kim Darroch.



Sir Kim Darroch është 65-vjeçar. Me gjasë posti i ambasadorit të Britanisë së Madhe në Washington do të jetë i fundit në karrierën e tij. Dhe ky fund mund të ishte brilant. Sir Kim Darroch ka qenë ambasador në Bruksel dhe këshilltar për siguri i kryeministrit David Cameron. SI nxënës dhe student ai ishte brilant. Pas studioi zoologjinë u kyç në shërbimin diplomatik të Britanisë së Madhe. Nga viti 2008 ai mban titullin «Sir Kim». Si ambasador në Washington Sir Kim Darroch ka për detyrë të kultivojë raportet speciale mes Londrës dhe Washingtonit, dy aleatë besnikë.

Por tani situata ka eskaluar. Gazeta «Mail on Sunday» ka botuar detaje nga depeshet diplomatike, të cilat Darroch i ka dërguar nga Washingtoni në Londër. Në shënimet e tij ambasadori Darroch shkruan se qeverisja e Donald Trumpit është «e paaftë», «e pasigurt», «e ngathët». Sipas tij Shtëpia e Bardhë është «papërsëritshëm disfunksionale». Ende nuk dihet si i ka siguruar gazeta «Mail on Sunday» depeshet, qeveria britanike e ka dënuar botimin e tyre, historiani Timothy Garton Ash e ka mbrojtur diplomatin duke thënë se ai vetëm ka kryer punën e tij.

Doanld Trump ka reaguar menjëherë – në mënyrë jodiplomatike përmes Twitterit, instrumentit të tij kryesor për të qortuar çdokënd që nuk i pëlqen. «Ambasadori i çmendur, të cilin Britania e Madhe e kanë infiltruar në Shtetet e Bashkuara, nuk është dikush për të cilin jemi aq të entuziazmuar, një budalla». Meqë Trump nuk ndalet kurrë me një Tweet kur i humb nervat, ai shkroi se ambasadori britanik bashkë me kryeministren Theresa May më mirë t’i shikojë punët e shtetit të tij në lidhje me Brexitin. Trump tha se nuk dëshironte të kishte më punë me Darroch. Ai nuk u ftua në një darkë për nder të emirit të Katarit që u shtrua të hënën në mbrëmje. E paqartë është nëse Trump mendoi se ai vetë nuk dëshiron të ketë punë me ambasadorin apo tërë aparati qeveritar. Qeveria britanike ka deklaruar se nuk do të heq dorë nga ambasadori. Darroch ka heshtur deri më tani për këtë rast.