Zgjidhja e mundshme: Glauk Konjufca zëvendëskryeministër, LDK kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e presidentit me konsensus

Isa Mustafa dhe Albin Kurti gjenden para çastit vendimtar: ose marrin vendim për të krijuar koalicion ose duhet ta ndërpresin sa më shpejt terrorizimin e qytetarëve të Kosovës, sepse gjendja edhe ashtu është dramatike. Dhe këtë nuk po e tregon vetëm vrasja e personave që mendohet se kanë qenë dëshmitarë të Gjykatës Speciale. Buxheti i pamiratuar, negociatat e vështira me Serbinë, kaosi në raportet me Shqipërinë, aktakuzat e pritshme të Gjykatës Speciale, pozita e rëndë e Kosovës në arenën ndërkombëtare – këto janë çështje urgjente! Mustafa dhe Kurti duhet të marrin përgjegjësi ose të ndërpresin telenovelën e negociatave. Boll më me këtë tmerr! Boll më me tallje të qytetarëve. Propozimi i LDK-së, të cilin po e sjellim këtu ekskluzivisht, dhe ai i VV-së që u bë publik sot mund të harmonizohen. Duhet vetëm vullnet.




Më 6 tetor 2019 VV dhe LDK morën votat e shumicës shqiptare për të qeverisur vendin. Mbi 400 mijë vota! Albin Kurti dhe Isa Mustafa më parë ishin takuar disa herë, shpesh në shtëpinë e Mustafës në një fshat afër Prishtinës. Duhet pasur respekt për Isa Mustafën që krijoi një raport mirëbesimi me Kurtin, i cili, siç dihet, ishte ai politikani gjaknxehtë që në parlament fluturonte me sprej në dorë në drejtim të Isa Mustafës. Të shkuara, të kaluara. Të dy liderët treguan një pjekuri bazike për të ecur përpara. Albin Kurti bëri një hap vendimtar kur e përjashtoi koalicionin me «partitë e luftës», përkundër afërsisë që kishte me këtë strukturë gjatë luftës si nxënës i Adem Demaçit.

Kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit. LDK gjatë kësaj kohe vazhdimisht është përpjekur të zvarrisë punët, njëherë duke pritur rezultatin «përfundimtar», pastaj duke e izoluar Vjosa Osmanin dhe duke i dhënë hapësirë për vendimmarrje Agim Veliut, i cili po sillet si i dërguar special i Hashim Thaçit në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kur, më në fund, filluan negociatat për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Agim Veliu e kishte për prioritet ta qortojë Vjosa Osmanin pse po i fliste Albin Kurtit gjatë një takimi të rastësishëm në Kuvend. Në krye të herës shihej se në LDK ka udhëheqës që nuk e kanë prioritet koalicionin me VV-në, por shkaktimin e tensioneve dhe bllokimin e negociatave, me shpresën se kështu do të hapen opsione të tjera, për shembull një koalicion me parti që u futën në parlament me vendime tavoline dhe jo me votë qytetarësh. Votuesit e LDK-së, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, anëtarët e kryesisë duhet ta kenë të qartë se në LDK ka individë pa vota nga zgjedhjet e fundit parlamentare që janë thjeshtë argatë të Hashim Thaçit, i cili duke e parë perëndimin e tij politik po përpiqet edhe njëherë ta mbajë Kosovën në qorrsokak politik. Për këtë qasje destruktive ai i ka arsyet e veta dhe hallet e veta, të cilat nuk do të duhej të ishin halle as të Kosovës, as të LDK-së.

Nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë hap të mençur politik, kur pa marrëveshje me LDK-në e propozoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit. Isa Mustafa, i lyer e ngjyer me shumë bojëra të lojërave e kurtheve politike, dha urdhër për zgjedhjen e Konjufcës si kryetar Kuvendit. Kështu – me apo pa marrëveshje me Thaçin, këtë do ta tregojë ndoshta historia një ditë – Isa Mustafa u përpoq ta tërheq Kurtin në kurth. Tani Kurti duhej të shkonte të merrte mandatin te Thaçi për t’u bërë kryeministër. Në këtë karrem nuk ra Albin Kurti, por kjo nuk minimizon gabimin e tij në hapa.

Tani punët janë si janë. Në takimin e fundit të dy partitë vendosën të mos komunikojnë me publikun, por ofertat t’i shkëmbejnë me shkrim, larg syve të opinionit. Por herët apo vonë asgjë nuk mbetet e fshehur. VV sot njoftoi se i ka propozuar LDK-së rritjen e numrit të ministrive në 14. Ende pa e marrë postin e kryeministrit nga Kurti, VV i ka shkelur dy parime: kjo parti i ka premtuar publikut se do të ketë 12 ministri dhe përfaqësim të barabartë të grave në kabinet. Asnjërën nuk e ka bërë. Por në krahasim me dallaveret që i ka bërë LDK muajve të fundit, gabimet e VV-së peshojnë më pak.

Ndërkohë sot kam arritur të sigurojë ofertën që LDK ia ka bërë Lëvizjes Vetëvendosje. (Për të shmangur çdo keqinterpretim: ofertën e LDK-së nuk e kam siguruar as nga burime brenda LDK-së, as brenda VV-së). LDK propozon që «kryetari i Kuvendit të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së me propozim të LVV, sipas procedurave kushtetuese. Pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, të propozuar nga LDK, Kryetari i Kuvendit do të jetë nga radhët e deputetëve të LVV, me propozim të LVV».

Kjo alternativë i hap rrugë zgjidhjes së ngërçit: Glauk Konjufca largohet nga posti i kryetarit të Kuvendit dhe në qeverinë e ardhshme zgjidhet zëvendëskryeministër. Në postin e kryetarit të Kuvendit zgjidhet një kandidat nga LDK. Le ta propozojë VV, siç po kërkon LDK. Një fusnotë: më 2 dhjetor 2019 në një postim në Facebook kam shkruar (dhe kjo mund të verifikohet): «Kryetar Parlamenti në dy vitet e para Kujtim Shala, në dy vitet tjera Glauk Konjufca». Natyrisht Lëvizja Vetëvendosje mund të propozojë dikë tjetër për kryetar të Kuvendit (pas zgjedhjes së presidentit), nëse Konjufcës i pëlqen më shumë të jetë nënkryetar i qeverisë apo nëse kthimi i tij në postin e kryetarit të Kuvendit nuk është i mundshëm për arsye procedurale e ligjore. Numri i ministrive, sipas propozimit të LDK-së, mbetet 12.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti gjenden para çastit vendimtar: ose marrin vendim për të krijuar koalicion ose duhet ta ndërpresin sa më shpejt terrorizimin e qytetarëve të Kosovës, sepse gjendja edhe ashtu është dramatike. Dhe këtë nuk po e tregon vetëm vrasja personave që mendohet se kanë qenë dëshmitarë të Gjykatës Speciale. Buxheti i pamiratuar, negociatat e vështira me Serbinë, kaosi në raportet me Shqipërinë, aktakuzat e pritshme të Gjykatës Speciale, pozita e rëndë e Kosovës në arenën ndërkombëtare – këto janë çështje urgjente! Mustafa dhe Kurti duhet të marrin përgjegjësi ose të ndërpresin telenovelën e negociatave. Boll më me këtë tmerr! Boll më me tallje të qytetarëve. Propozimi i LDK-së, të cilin po e sjellim këtu ekskluzivisht, dhe ai i VV-së që u bë publik sot mund të harmonizohen. Duhet vetëm vullnet. LDK duhet të jetë më kooperative për t’i dhënë Kosovës një president të denjë dhe jo një figurë të diskredituar. Kështu do të merrte fund agonia politike e Kosovës, e cila po ua këput çdo shpresë qytetarëve se ky vend ka ardhmëri. Më 6 tetor qytetarët kanë votuar për një të ardhme më të mirë. Në respekt të 6 tetorit Isa Mustafa e Albin Kurti do të duhej të takoheshin sonte për të kurorëzuar këtë marrëveshje. Por nëse LDK ka plane të tjera me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me presidentin Thaçi, të cilin e ka zgjedhur vetë, atëherë: urdhëroni. Vetëm ndërpritni këtë agoni. Kosova është shtet demokratik dhe zgjedhjet tjera vijnë ndoshta më shpejt se ç’mund t’i ëndërrojë Agim Veliu.