Zgjedhjet dhe njollat e zeza

Një hartë orientuese se si të (mos) votohet, e cila do të mund të ndihmonte në zgjedhjen optimale. Një gjë është e qartë: të gjithë individët dhe subjektet e tyre politike që kanë pamundësuar për vite e dekada zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shtetin e së drejtës dhe ligjor dhe në kohë zgjedhjesh e kanë gojën plot me çirrje e me fraza për luftimin e korrupsionit dhe keqqeverisjes, nuk duhet votuar.

Arben Hajrullahu.



Dramaturgu norvegjez do të mund t’i ndihmonte votuesit kosovar se si të (mos) votojë dhe njëkohësisht të jetë në gjendje të ruajë qetësinë shpirtërore dhe ndërgjegjen me gjithë faktin e votës së dhënë. «Shoshite brendësinë e çdo qenie njerëzore – në secilin prej tyre do të gjeni të paktën një pikë të errët që duhet mbuluar» (H. Ibsen 1828-1906, në , «Shtyllat e shoqërisë»). Injorimi dhe mospjesëmarrja në zgjedhje nuk do të duhej të ishte alternativa për të gjithë që jetojnë në apo jashtë Kosove. Po si të vendoset për cilin «deklarimin politik» (M. Weber) në momentin e votimit? Edhe pse çdonjëri do të duhej të ishte i vetëdijshëm se të gjitha partitë tok me kandidatët dhe kandidatet e tyre janë duke i mbuluar njollat e zeza («pikët e errëta»), një skicë orientuese se cili do të duhej të ishte kuti matës për (mos) dhënien e votës do të duhej të ekzistonte. Kjo hartë orientuese se si të (mos) votohet do të mund të ndihmonte në zgjedhjen optimale.

Kushdo e sado që fiton, që në ditën e parë në e me pushtet, do të konfrontohet me trashëgiminë e mirë- apo keqqeverisjeve paraprake. Pra, qeveria e re do të duhet të vazhdojë përpara me gjendjen që e trashëgon nga ato të mëparshmet. E si të vazhdohet, cila do të ishte mënyra më e mirë dhe e realizueshme në situatën e dhënë? Në këtë pyetje ndodh edhe ndeshja e pikëpamjeve politike se çfarë e si, çfarë na qenka e «mirë» e çfarë e «keqe», e para së gjithash si të ndahet kulaçi publik, buxheti. Cilat do qofshin përgjigjet në këto pyetje, votuesit kosovarë do të duhej pa emocione, aq sa është e mundur, e në mënyrë racionale të votonin për ato subjekte politike që në listat e tyre nuk shpërfaqen kandidatë që kanë pasur apo kanë rënë ndesh me drejtësinë dhe integritetin e etikën profesionale. Të tillë në skenën politike kosovare nuk ka me bollëk.

Të gjithë individët dhe subjektet e tyre politike që kanë pamundësuar për vite e dekada zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shtetin e së drejtës dhe ligjor dhe në kohë zgjedhjesh e kanë gojën plot me çirrje e me fraza për luftimin e korrupsionit dhe keqqeverisjes, nuk duhet votuar. Njollat e zeza janë aq të shumta, saqë edhe me qenë votuesit e verbër nuk do të mund t’i mbulonin. Për më shumë, në mënyrë racionale këtë soj individësh dhe subjektesh politike që s’mund as t’u mbulohen anët e errëta, nuk do të duhej votuar madje as vetë ata që kanë përfituar e janë duke përfituar në mënyre të paligjshme dhe të pandershme. Arsyeja do të ishte e thjeshtë: nëse vazhdohet në mënyrën e njëjtë të udhëheqjes si në vitet dhe dekadat e kaluara, atëherë edhe vetë përfituesit e paligjshëm dhe pandershëm s’do të mund të jetojnë gjatë në një sistem të pallogaritshëm e të rrezikuar nga ciklet vetshkatërruese. Do të detyrohen të ikin, siç ikën e po ikin shumë edhe nga vetë ato shtresa që kanë një mirëqenie relative ekonomike, të përvetësuar konform apo në kundërshtim me ligjin, me apo pa nder. E ikja, të themi duke ofruar «arsyetimin» sqarues se «s’kemi ku t’i çojmë fëmijët në shkollë», s’mund të ofrojë ikje nga vetvetja për askënd.

Pushtetarët e ri eventual, për shembull, në rast të ballafaqimit me sistemin e drejtësisë, ish-udhëheqësve të deritanishëm do të duhej t’u mundësojnë trajtim dinjitoz, johakmarrës dhe para së gjithash fer. Madje, të mbuluarve nga njollat e zeza duhet ofruar edhe shërbime profesionale psikologjike si të dyshuar për vuajtje nga «pseudologia fantastica».

Individët dhe subjektet politike që vazhdimisht përmendin Serbinë dhe raportet e komplikuara me të, duke u munduar të arsyetohen për mosofrimin e mirëqeverisjes dhe zgjidhjeve konkrete në fushat gjegjëse, nuk do të duhej ta meritonin votën e askujt. Po as mohuesit e as (tentim-) copëtuesit e shtetit nuk do të duhej ta meritonin votën. Vetëm dialogu, edhe me vetë ato forca që e luftojnë, mohojnë, tentojnë ta copëtojnë apo shkallmojnë Kosovën, dhe para së gjithash paralelisht me dialogun edhe ofrimi i zgjidhjeve për problemet konkrete, do të mund të ishte alternativa drejtë hapit të radhës.

Po si do të mund të dialogohet, në çarë baze? Empatia për palën tjetër do të mund të ndihmonte. Tentimi i kuptimit, jo domosdoshmërisht mirëkuptimit, i palës tjetër do të mund të ofronte hapin e parë se si të dialogohet në e për Kosovën. Nga një shembull ilustrues prej politikës së jashtme e asaj të brendshme do të ishin: në rrafshin ndërkombëtar, e para së gjithash në rrafshin e dialogut me Serbinë, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës vazhdon të mbetet një mundësi e pashfrytëzuar për forcimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës së mohuar e zhvatur, nga brenda e nga jashtë; në rrafshin e zhvillimeve të brendshme mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë për (mos-) veprimet duke ushtruar pozita me përgjegjësi publike vazhdon të pamundësojë në mënyrë kronike krijimin e çdo parakushti për më shumë zhvillim ekonomik dhe shtet funksional të së drejtës e ligjorë.

Një analizë, hetim dhe gjykim objektiv e i drejtë se pse Kosova çdo ditë e më shumë është bërë e padëshirueshme si për qytetarët e saj e po ashtu madje edhe për palët ndërkombëtare me qëndrim miqësor dhe mbështetës ndaj saj, do të duhej të ishte njëri nga veprimet e para të pushtetarëve të rinj. Kështu, vetëm dhe vetëm ato forca politike që ende sadopak kanë ngelur të paerrësuara plotësisht, e që janë më bindëse se kanë dijen, vullnetin dhe guximin njerëzor e udhëheqës që ta trajtojnë të tashmen në funksion të orjentimit për të ardhmen, e para së gjithash nuk shfaqin simptoma se do të jetojnë në e me të kaluarën përderisa nga ta pritet të mirëqeverisin në të tashmen, duhet dhe do të meritonin për t’u votuar.

Dr. Arben Hajrullahu është profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës