Ymeri në Shqipëri kërkon drejtësi për çështjen çame

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, bashkë me një delegacion nga partia, kanë marrë pjesë në Kongresin e Partisë Demokratike për Integrim dhe Unitet në Shqipëri.




Me këtë rast, ai ka mbajtur edhe një fjalim para të pranishmëve, ku ka potencuar se padrejtësitë e bëra ndaj çamëve nuk duhen harruar, ndërsa ka bërë thirrje jo për hakmarrje por për vendosje të drejtësisë.

«Jemi dëshmitarë se si para disa ditësh Gjermania njohu gjenocidin armen, të ndodhur një shekull më pare. Pra, popujt e tjerë nuk harrojnë. As ne nuk duhet t’i harrojmë padrejtësitë që janë bërë mbi ne, e veçanërisht mbi çamët. Jo për të kërkuar hakmarrje por për të ndërtuar sigurinë se nuk do të na përsëriten më, dhe për të kërkuar vendosjen e një drejtësie të pranueshme për ato raste. Pa u vendosur drejtësia nuk mund të ketë fqinjësi të mirë e mirëbesim të ndërsjellë», ka theksuar Ymeri.