Ymeri mbështet Bahtirin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka mbështetur kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, pas sulmeve dhe presioneve ndaj këtij të fundit.




«Një seri sulmesh të orkestruara kanë nisur së fundi kundër Kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri. Nga presionet e kërcënimet, deri tek sulmi me armë zjarri që ndodhi së fundi në objektin e Komunës së Mitrovicës», ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Koha.net.

Ymeri ka folur në emër të LVV-së, duke thënë se nuk dëshiron të ndërhyjë në mes udhëheqjes komunale dhe kryetari, por që i jep mbështetje Bahtirit, ngaqë ky i fundit po i bën kundërshtim planeve të Serbisë për ndryshim të kufijve kadastralë.

«Si Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk duam të ndërhyjmë tek raporti midis qytetarëve të Mitrovicës dhe udhëheqjes komunale, por do t’i japim mbështetje të pa rezervë Kryetarit Bahtiri në kundërshtimin që po i bën planeve të Serbisë për ndryshimin e kufijve kadastralë të Komunës së Mitrovicës. Në këtë kauzë ai duhet ta ketë mbështetjen e të gjithëve!», ka përfunduar Ymeri.