«Xhihadi i familjes»: pse celulat terroriste shpeshherë përbëhen prej vëllezërve?

Përdorimi i fjalës «vëlla» në mesin e ekstremistëve shqiptohet në kuptimin e plotë të fjalës: rekrutimi terrorist është goxha social, me prindër e vëllezër që bashkojnë forcat

Një mesazh që s'kërkon përkthim - para Ambasadës së Belgjikës në Berlin. Foto: Shutterstock



Militantët shpeshherë e thërrasin njëri-tjetrin «vëlla», dhe u referohen «vëllezërve» në Siri, Afganistan, Irak, ose Francë. Pse?

Kjo bëhet pjesërisht që të dëshmohet solidaritet, lidhje e fortë shpirtërore me kauzën e përbashkët, njëfarë ndjenje indentiteti dhe përpjekjeje. Pjesërisht edhe për shkak se kjo është mënyra si flasin të rinjtë, anembanë botës, por në mënyrë të veçantë në aso ambiente prej të cilave vijnë shumica e militantëve të kohës sonë.

Por ndodh shpeshherë edhe për shkak se fjala «vëlla» përthekon më së miri kauzën e tyre. Ata që flasin me «vëllezër» janë në të vërtetë njerëz të të njëjtit gjak, fëmijë të një palë prindërve, që në të shumtën e rasteve edhe janë rritur së bashku.

Sulmuesit e Parisit raportohet se përfshinin Ibrahim Abdeslamin – sulmues vetëvrasës, që hodhi veten në ajër jashtë restorantit «Comptoir Voltaire» – dhe Salah Abdeslamit, që ishte në arrati deri të premten e kaluar.

Vëllai i tretë, Mohammedi, ishte arrestuar në Bruksel të hënën dhe kaloi disa orë në paraburgim përpara se të lirohej pa i ngritur asnjë aktakuzë. Duke folur pas lirimit, ai mohoi çdo lidhje me veprimet e vëllezërve të tij: «Më akuzuan se kisha kryer veprime terrorizmi… por nuk kam pasur kurrfarë lidhjeje me operacionet në Paris».

«Prindërit e mi janë tërësisht të tronditur prej kësaj tragjedie. Dy vëllezërit e mi janë njerëz normalë dhe asnjëherë nuk kam vërejtur diçka të çuditshme».

Abdelhamid Abaaoud, orkestruesi i dyshuar i sulmeve, rekrutoi vëllanë e tij trembëdhjetëvjeçar, që kishte udhëtuar drejt Sirisë dhe atje ishte parë në një videoxhirim në një kamionçinë duke tërhequr zvarrë trupat e ushtarëve sirianë. Dhe e gjithë kjo duket se është pjesë e një komploti të vetëm – megjithëse të ndërlikuar.

Ka shumë shembuj të tjerë në vende të ndryshme, në kontinente të ndryshme: dy vëllezërit Kouachi, që sulmuan zyrat e revistës «Charlie Hebdo» në janar. Vëllezërit Tsarnaev, që bombarduan maratonën e Bostonit më 2013. Vëllai i Mohammed Merah, që vrau shtatë persona në jugperëndim të Francës më 2012, vazhdon të mbahet prapa grilave, megjithëse nuk është qartësuar krejtësisht roli i tij në vrasjet dhe radikalizimin e dorasit.

Lidhjet vëllazërore janë të njohura edhe në mesin e atyre që udhëtojnë drejt Sirisë, Irakut ose zonave të tjera të luftës, edhe nëse nuk i janë bashkuar kauzës terroriste sa ishin në vendlindje. Pak prej tyre udhëtojnë fikall vetëm: pothuajse të gjithë udhëtojnë me miq të ngushtë ose anëtarë të familjes.

Tre vëllezër ndërmjet moshës 17 dhe 21-vjeçare u larguan nga Mbretëria e Bashkuar drejt «Frontit al-Nusra», degë e «al-Kaidës» në Siri. Aty ishte Aseel Muthana, nxënës 17 vjeç, që kishte udhëtuar me vëllanë më të madh, student mjekësie, që t’u bashkoheshin radhëve të ISIS-it. Një gjykatë britanike zbardhi në tetor se dy vëllezërit e Iftekhar Jamanit, që fliste për «xhihadin me pesë yje» në BBC, kishin kaluar dy vite duke u dhënë ndihmë dhe këshilla atyre që kërkonin të udhëtonin drejt Sirisë për themelimin e një shteti islamik. Të dytë janë shpallur fajtorë për terrorizëm.

Ky vizion i «xhihadit të familjes» mund të jetë tronditës, por nuk duhet të habisë. Dhjetë vite më parë, zyrtarë të inteligjencës ushtarake amerikane në Irak kishin identifikuar lidhjet e ngushta të anëtarëve të familjes të të dyshuarve, duke paralajmëruar se në të ardhmen do të ishte një telash me të cilin do të përballeshin shtetet në luftimin e indidvidëve të përfshirë në grupe militante, islamike apo të çfarëdollojshme.

Ky anëtar mund të jetë vëlla ose baba. Abdel-Majed Abdel Bary, reper aspirues britanik që u shndërrua në rekrut të ISIS-it, është i biri i Adel Abdel Baryt, militant egjiptian që kishte ardhur më 1991 në Mbretërinë e Bashkuar dhe më vonë ishte dënuar në qytetin e New Yorkut për rolin e tij në sulmin e «al-Kaidës» në ambasadat amerikane në Afrikë më 1998. Së fundi në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë me motra e vëllezër janë arrestuar edhe prindër të xhihadistëve, dhe disa sosh janë akuzuar për dyshime që lidhen me aktivitetet e tyre në Siri.

Në një hulumtim të kryer prej organizatës së pavarur amerikane «New America» është parë se më shumë se çereku i militantëve perëndimorë kanë lidhje familjare me xhihadin, pavarësisht se a bëhet fjalë për kushërinj, që po luftojnë në Siri e Irak, apo nëpërmjet martesave a lidhjeve të tjera me forma të ndryshme të xhihadit ose të sulmeve terroriste.

Hulumtimi gjithashtu ka dëshmuar se tri të pestat e militantëtve perëndimorë, kanë lidhje gjaku me ndokënd që para tyre kishte marrë rrugën drejt shtetit të zhytur në luftë civile.

Një tjetër studim i kryer së fundi nga Universiteti Shtetëror i Pennsylvanias ka ekzaminuar raportet e më shumë se 120 të supozuarve si terroristë të quajtur «ujq të vetmuar» me bindje të ndryshme ideologjike dhe fetare, dhe ka vënë pah se, megjithëse i kanë kryer të vetmuar sulmet terroriste, në shumicën e rasteve ishin individë që ndjenin se ishin pjesë e një ideologjie specifike ekstremiste. Në 64 për qind të rasteve, familja dhe miqtë ishin të njoftuar për qëllimin individual të angazhimit në aktivitete të lidhura me terrorizmin, sepse i dyshuari u kishte treguar gojarisht.

Të gjitha këto të dhëna ofrojnë një dritare të rëndësishme për natyrën e rekrutimit dhe radikalizimit. Të dyja kuptohen si procese, që përfshijnë dikë që ishte «normal» para se t’i «shpëlahej» truri prej dikujt të jashtëm, që e shëndërron në person me sjellje jonormale. Një shpjegim alternativ se si njerëzit joshen në militantizëm është edhe propaganda nëpërmjet internetit.

Sidoqoftë, faktet na shfaqin kundërthënie në këtë pikë. Terrorizmi, si çdo aktivitet tjetër, është gjerësisht social, vetëm se pasojat e tij janë përjashtuese. Njerëzit nisin të interesohen për ide, ideologji e aktivitete, qofshin edhe destruktive, sepse edhe njerëz të tjerë intresohen për to.

«Rekrutimi kryhet prej shokëve të kauzës. Bëhet fjalë për miqësi e afërsi, gjë që ka peshë të madhe, madje më fort se feja, lokaliteti ose çfarëdo qoftë. Është fenomen i fortë grupi», ka deklaruar doktori i shkencave, Rik Coolsaet, ekspert belg që ka studiuar rrjetet militante lokale në vendin e tij.

Pengesat psikologjike dhe shoqërore për përfshirje në dhunë janë shumë më të mëdha se në aktivitetet e tjera më pak zullumqare, por e njëjtë është mekanika e procesit që i josh këta njerëz si magneti.

(«Guardian»)