Xhamitë e një shekulli në Kamenicë

Kishte bërë rreth 3 kilometra rrugë për të ardhur në xhaminë e Krilevës, ani pse kishte kaluar afër një objekti të tillë të kultit islam.




Asllan Fehrat Demolli, ish-minator, tash 65 vjeç, ka nostalgji për xhaminë e moçme. Që kur ka qenë 12 vjeç është falur në këtë xhami, nën shoqërinë e të atit, emrin e të cilit e thekson me ngritje zëri, shkruan sot «Koha Ditore». Rrjedhimisht, duke dhënë shenjë se për të dhe fshatarët e tij në këtë pjesë të Komunës së Kamenicës trashëgimia ka shumë rëndësi.

Xhamia e Krilevës është njëra prej xhamive që në këtë territor në lindje të Kosovës u ndërtuan në shekullin XIX. Shumë nga to ruajnë ende autenticitetin. Të tjerat janë të shpërndara nëpër fshatrat kodrinoro-malore të zonës. Një në Zhujë, një në Vryçec, në Meshinë e tjetra në Tygjec.

Minarja si shenjë e autenticitetit

Nga mesi i oborrit të xhamisë në Krilevë, pak para vaktit të «faljes së xhumasë», Asllan Demolli, ndalet për të rrëfyer pak nga historia e «shtëpisë së Zotit».

«Që kur i kam pas 12 vjet në këtë xhami kam ardh me u fal, bashkë me babën. Të gjitha janë shtëpi të Allahut, por unë këtu jam msu, e më tërheq. Jam falë nëpër shumë xhami në këto vjet që kam, përfshi edhe ato në Maqedoni, Preshevë, por si në këtë xhami nuk ndihem askund. Më ka mbet rrem i babës», thotë Demolli.