VV: Qeveria që nuk guxon t’i reagojë Daçiqit, shfryen mllefin ndaj Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj gjuhës që sot kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka përdorur ndaj aktivistëve të kësaj lëvizjeje pasi të njëjtit hodhën vezë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa gjatë një tubimi në këtë komunë.




Veliu, pas këtij incidenti, akterët e këtij rasti i quajti «horra».

«Kryetari i Komunës së Besianës sot ka përdorur një gjuhe rrugaçërore ndaj aktivistëve që kanë kryer një aksion simbolik ndaj kryeministrit të Zajednicës. Arsyet pse Agim Veliu e përdorë këtë gjuhë banale janë dy: së pari ai dëshiron të shprehë servilizmin e tij të fuqishëm ndaj kryeministrit të pafuqishëm, së dyti edhe ai dëshiron t’i bashkohet logjikës parafashiste dhe antidemokratike që po instalohet gjerësisht në instancat e pushtetit burokratik, mafioz edhe mediatik», thuhet në reagimin e subjektit politik Vetëvendosje, raporton Koha.net.

Vetëvendosje thotë se ata politikanë që përdorin gjuhë kërcënuese dhe quajnë horra aktivistët e qytetarët e ndërgjegjshëm e paqësorë, janë të njëjtët që nuk guxojnë ta çelin gojën kur qeveria e Serbisë e quan Kosovën të barabartë me ISIS-in.

«Me logjikën e tyre të pabarazisë dhe servilizmit, Daçiqi e Vuçiqi ofendojnë Kosovën, dhe Mustafa e Veliu ofendojnë aktivistët e qytetarët e tyre. Por kësaj logjike i ka ardhur fundi. Qindra mijëra qytetarë po e kundërshtojnë «Zajednicën» dhe në fakt ky mobilizim është shqetësimi kryesor i qeverisë Mustafa. Humbja e legjitimitetit të Isa Mustafës po përcillet me ofendime e sharje, kërcënime e dhunë policore», thonë në Vetëvendosje, reagim të cilin e përmbyllin me: «Ky është paralajmërim i fundit të tij politik».