Vuçiq: Kosova do ta fitojë pavarësinë në tërë territorin e saj, por jo me fajin tim

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pas dështimit të planit të tij për ndarjen e Kosovës, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të shtrihen në tërë territorin e saj.

A. Vuçiq.



Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar për televizionin Pink se oferta e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk kaloi për shkak të «presionit të tmerrshëm» të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre sekrete, të cilat angazhuan agjentura politike, mediale dhe të tjera.

Vuçiq u ankua se plani i tij u hodh poshtë nga njerëzit në Serbi, por ata, sipas tij, nuk e kanë parë planin. Në të vërtetë Vuçiq as në këtë intervistë nuk pranoi të tregojë se cili ka qenë plani i tij konkret, përveç idesë për përkufizim të ri me shqiptarët.

«Ju pyes unë juve se cila është zgjidhja përveç se në të ardhmen Kosova – jo me vullnetin tim dhe jo për shkak se unë do ta pranojë – do të ketë pavarësi dhe sovranitet në tërë territorin e saj. Atëherë shumë prej atyre që protestuan dhe thanë shumë gjëra do t’i pyes – pse e bëtë këtë dhe si është e mundur të mos e shihni realitetin dhe përse e keni penguar mundësinë që Serbia të nxjerrë diçka për popullin dhe vendin tonë», tha Vuçiq.