Vrasja e Brice Taton në Beograd më 2009 dhe mikpritja e anglezëve në Prishtinë

Një përpjekje për të shpjeguar zemërgjerësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj fansave anglezë, përfshirë edhe muzikën e engjëjve në vitin 1999 dhe një definicion i kuzhinës angleze, e cila s’ka shans në betejën kundër qofteve, qebapëve dhe pizzave kosovare.




Në shtator të vitit 2009 huliganët e Partizanit të Beogradit rrahën brutalisht francezin Brice Taton, simpatizant i ekipit Toulouse. Pak ditë pas sulmit, Taton vdiq në spital në kryeqytetin serb. Ky rast shkaktoi tronditje në mbarë botën dhe solli në vëmendje dhunën e fansave të futbollit në Serbi dhe lidhjet e tyre me grupet e ekstremit të djathtë, me federatat e korruptuara të sportit dhe shërbimet sekrete shtetërore.

***

Sivjet, 10 vjet pas vdekjes së Brice Taton, një gjykatë në Beograd e dënoi me 12 vjet burg vrasësin Dejan P. Taton ishte 28-vjeçar kur huliganët serbë ia morën jetën. Familja e viktimës kishte pritur dhjetë vjet drejtësinë. Procesi ishte zvarritur dhe tek në përpjekjen e tretë u arrit dënimi i vrasësit. Huligani Dejan P. kishte ikur nga Serbia dhe pastaj ishte bërë murg në një manastir rus në Tajlandë. Pas arrestimit në Greqi ai u ekstradua në Serbi.

***

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, po e jep një shembull tjetër me mikpritjen e fansave anglezë. Mund të ketë ndonjë teprim në këtë mikpritje, naivitet, inferioritet, lista do të mund të zgjatej. Mbase edhe ideja që lojtarët anglezë në aeroport t’i presin disa vajza me minifunde apo veshje të tjera të lehta nuk ka qenë aq origjinale. Megjithatë, më mirë kështu se ndryshe, larg qoftë si në Beograd.

***

Që anglezët priten kështu, ka të bëjë edhe me vetëdijen e shqiptarëve mbi historinë më të re të Kosovës. Viti 1999 është si kod. Nuk duhet fantazi e madhe për këtë. Njerëzit jo vetëm në Prishtinë e dinë se pa vendosmërinë e Tony Blair zor se do të kishte ndërhyrë NATO dhe zor se do të kishte qëndruar e palëkundur deri në dëbimin e forcave shtypëse të Serbisë. Të gjithëve u kujtohet zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, i cili gati çdo ditë dilte para mediave dhe mbante frontin medial. Shea e pati krahasuar Sllobodan Millosheviqin me diktatorin kamboxhian Pol Pot, i cili në vitet ’70 vrau miliona bashkëkombës. Kundërshtarëve të ndërhyrjes së NATO-s Jamie Shea u përgjigjej duke e cituar një refugjat kosovar: «Njëri prej tyre ka thënë se zhurma e avionëve të NATO-s në veshët e tij tingëllon si muzikë engjëllore. As unë nuk do të dija ta formuloja më mirë». Në konferencat e tij për shtyp në selinë e NATO-s Shea gati përherë ia jepte fjalën gazetares serbe Dubravka Saviq. Njëherë Saviq e pyeti zëdhënësin e NATO-s nëse aleanca ushtarake ishte e vetëdijshme se çfarë dëmi për ambientin dhe njerëzit në Beograd po shkaktonin bombardimet e ndërmarrjeve kimike dhe rafinerive të naftës. «Zonja Saviq, gjithë ai tym i 500 fshatrave të Kosovës që po digjen me siguri nuk i bën mirë shtresës së ozonit», u përgjigj Shea.

***

Kur Bill Clintoni nisi të frikësohej se NATO mund të humbte betejën kundër propagandës së Beogradit (të cilës i bënin jehonë shumë ekstremistë të majtë dhe të djathtë në Perëndim), kryeministri Tony Blair e dërgoi në Bruksel në selinë e NATO-s këshilltarin e tij për strategji komunikimi, Alastair Campbell. Gjenerali Wesley Clark theksoi se Campbell vendosi rend e disiplinë në komunikimin e NATO-s me publikun dhe i krijoi hapësirë ushtarakëve të kryejnë punën e tyre. Edhe shumë emra të tjerë vijnë në kujtesën e kosovarëve këto ditë: historiani Noel Malcolm, udhëtarja dhe shkrimtarja Edith Durhamit, diplomati dhe mbështetësi i madh i Shqipërisë e shqiptarëve, Aubrey Herbert, humanistja Vanessa Redgrave e deri te britaniku më i popullarizuar i viteve të fundit në Kosovë, ish-ambasadori Ruari O’Conell, i cili me kritikat e tij të ashpra kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë dëshmonte se është i shqetësuar me gjendjen në Kosovë më shumë se politikanët dhe jo pak qytetarë.

***

Më mirë se Noel Malcolm pothuaj askush nuk mund ta përthekojë me pak rreshta historinë e Kosovës. Në një tekst që u botua sivjet në një revistë zvicerane, Malcolm shkroi: «Pavarësia e kompensoi një padrejtësi eklatante. Kosova u okupua nga serbët në vitin 1912, kundër vullnetit të pjesës më të madhe të popullsisë. Pasoi një politikë që zyrtarisht u quajt ‘kolonizim’. Nën Titon shtypja u zbut hap pas hapi, nën Millosheviqin, i cili faktikisht instaloi një regjim aparteidi, kjo politikë u ashpërsua sërish. Dhe para luftës së vitit 1999 u dogjën shtëpi të shqiptarëve të Kosovës, qindra-mijëra u arratisën nga vendlindja e tyre. Tërheqja e ushtrisë së Millosheviqit në qershor 1999 ishte një hap i madh për rivendosjen e drejtësisë. Megjithatë, qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës në rastin më të mirë është i vakët, në rastin më të keq armiqësor. Pesë shtete të BE-së refuzojnë të njohin këtë shtet, duke këmbëngulur që edhe më tutje ai t’i takojë Serbisë. Arsyet duhet të kërkohen në situatën e brendshme politike në vendet përkatëse (Spanja e ka mendjen te Katalonia etj.), por në fund është Kosova ajo që po pëson. Pastaj lobistë të zhurmshëm serbë vazhdimisht flasin për krim të organizuar në Kosovë, thua se bandat mafioze nuk qenkan aktive në shtete të tjera të Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë, e cila nën Millosheviqin qe shndërruar në një lloj shteti gangsterësh».

***

Në reagimet e shumta në Twitter fansat anglezë po e lavdërojnë jo vetëm mikpritjen në Prishtinë, por edhe çmimet e lira. Birra 1,5 euro, pizza 5 euro, kafja 1 euro. E kështu me radhë. Me pesë euro anglezi me peshë rreth 100 kilogramë mund të ngopet mirë me qofte ose qebapë, për shembull «Te Martini». Çmimet e lira janë njëra anë e medaljes, mirë për anglezët, ata do rrinë vetëm një fundjavë në Prishtinë, por të rrinin një muaj me një rrogë prej 150 euro apo 300 euro, lezeti i shijimit të qofteve do të merrte fund shpejt. Sidoqoftë, kuzhina angleze e ka vështirë të fitojë betejën me atë të Kosovës, ky si në gjithë Ballkanin shihen ndikime turke dhe imitime të magjes italiane, pa hyrë këtu në detaje në përmendjen e zinxhirëve të ushqimit të shpejtë. Në njërën nga veprat mbi Asteriksin kuzhina angleze përmblidhet kështu: birrë e ngrohtë dhe derr i egër i zier në ujë. Si në çdo konstatim të tepërt ka diçka të vërtetë.