Vonesa në zgjidhjen e ankesave të konsumatorëve nga KESCO

Rreth 6 mijë ankesa të konsumatorëve të bëra në KESCO gjatë muajve të fundit të vitit 2015 janë shqyrtuar nga kjo kompani jashtë afatit të paraparë ligjor, prej 30 ditëve, shkruan sot Koha Ditore.




Ankesat që kanë pasur të bënin kryesisht me kontestimin e vlerave të faturave të energjisë elektrike ose me moslexim të rregullt të njehsorëve, sipas përgjigjeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), janë zgjidhur në muajt e parë të këtij viti.

«Nga KESCO jemi informuar se ankesat e pranuara gjatë vitit 2015 e të cilat kanë mbetur pa zgjidhje kanë qenë ankesa të konsumatorëve të parashtruara dy apo tre muajve të fundit të vitit ku edhe fluksi i ankesave të konsumatorëve për shkak të sezonit së dimrit është më e lartë», thuhet në përgjigjet e ZrRE-së.

Sipas tyre, ankesat janë zgjidhur në muajt e parë të vitit 2016, duke përjashtuar ankesat e konsumatorëve, të cilat kanë qenë të ndërlidhura me investimet në përmirësimin e kualitetit të tensionit të cilat kërkojnë kohën e duhur të investimit.