Vjedhja dhe vrasja e përditshme e Kosovës

Nuk ka dëshmi se si janë shpenzuar 815 mijë euro për «Pastrimin e Kosovës». Prishtina humb 360 mijë euro çdo muaj nga bizneset që shfrytëzojnë pronën e saj pa asnjë kompensim. Në Prizren qeveria e mëparshme e PDK-së ka ndarë 76 mijë euro për «arkivin elektronik», i cili s'është ndërtuar kurrë, dhe 24 mijë për aplikacionin «Prizreni i mençur», i cili nuk punon. Lista e veteranëve të rrejshëm nuk duhet të verifikohet - thotë AAK. Vjedhja vazhdon. Dhe kështu do të jetë përherë nëse qytetarët nuk dalin në protesta masive.




1.
Njëherë në vit politikanët e Kosovës futin duart në doreza dhe nën përcjelljen e kamerave dalin për të pastruar Kosovën. Së paku ashtu thonë. Një raport i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës tregon se edhe kur dalin gjoja për të pastruar vendin, politikanët dhe organizatorët e bëjnë punën pis. Me gjasë edhe aksionet e tilla sa për efekt medial kanë një qëllim: vjedhjen e mjeteve financiare nga buxheti. Nëse kosovarët plaçkiten përmes procesit të homologimit të veturave, nëse çdo shofer që ka veturë me targa të huaja duhet t’u paguajë haraç klaneve Thaçi dhe Pacolli, atëherë duket e «logjikshme» që mjetet të keqpërdoren edhe në aksione si «Ta pastrojmë Kosovën», të «Let’s Do It Kosova».

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, i tha KTV-së se nuk ka dëshmi se si janë shpenzuar 815 mijë euro për «Pastrimin e Kosovës». 815 mijë euro janë gati një milion. Një milion janë shumë para në një vend të varfër si Kosova. Nëse nuk ka dëshmi si janë harxhuar këto para, atëherë duhet të arrestohet dikush – qoftë në zyrën e kryeministrit apo në zyrat e organizatës joqeveritare që ka organizuar aksionin për pastrimin e Kosovës dhe në të vërtetë e ka ndotur Kosovën. Besnik Osmani tha se në projekt është përshkruar pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave. Nuk ka dëshmi se kjo punë është kryer. «Ne kemi parë shumicën e faturave që janë dorëzuar në zyrën e kryeministrit. Por nuk kemi dëshmi se projekti është implementuar sipas projektit. (…) Vetë qeveria ka caktuar një kryesues të Task Forcës, dhe është dashur që të bëhet një raport, që nuk është bërë». Qeveritë e Kosovës nuk kanë qenë qeveri të llogaridhënies. Ato kanë qenë dhe janë qeveri të harxhimeve pa hesap, janë si turma që dalin për gjah. Plaçka e tyre është Kosova.

Sipas Besnik Osmanit në shumicën e institucioneve bëhen pagesa për personelin nga veriu i vendit i dominuar nga serbët për të cilët nuk ka informacione se a kryejnë punën për atë që marrin pagesën. Në veri ministritë paguajnë edhe qira për objekte që «s’kanë mundur t’i shfrytëzojnë». Një studim i Nismës Globale kundër krimit të organizuar ka treguar se Kosova çdo javë i humb në veri të vendit 750 mijë euro nga tarifat doganore të pambledhura.

2.
Sipas Kohës Ditore në vitin 2014 komuna e Prishtinës ka bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur Zona Industriale. Të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës. Epilogu? Prishtina humb 360 mijë euro çdo muaj. Edhe në Kosovë viti i ka 12 muaj. Shumëzimi na tregon se çdo vit komuna e Prishtinës i humb 4,3 milionë euro. Nëse llogarisim vetëm 5 vitet e fundit (2014-2018) i bie se kryeqyteti i Kosovës i ka humbur gati 22 milionë euro. Do të mund të bëheshin punë të mençura me ato 22 milionë në Prishtinë. Do të mund të investoheshin këto para në arsim, në shëndetësi, në planifikim serioz hapësinor, në rregullim kanalizimesh dhe parqesh…

3.
Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka treguar një shembull tejet ilustrativ se si e sheh Partia Demokratike e Kosovës (PDK) qeverisjen komunale: e sheh si mundësi për vjedhje. Shefi i PDK-së, i rizgjedhur së fundi në post me rezultate koreanoverior, pati thënë se Prizreni është Jerusalemi i PDK-së. Partia e tij derisa e ka sunduar Prizrenin ka ndarë 76 mijë euro për arkivin elektronik. E arkivi? Ja çfarë thotë Haskuka në KTV: «76 mijë euro janë dhënë për arkivin elektronik që s’ekziston. Kemi pa që 76 mijë euro ka ardhur përmbaruesi me i marrë. E shikova, thash çka është. Më tha bëhet fjalë për arkivin elektronik. E ku është, tha nuk është fare. Krejt çka ka bë kompania ishte që ka sjellë tre skanerë e ka mbajtur dy trajnime. Arkivi s’ekziston. Në dosjen që e kemi pa kemi vënë re se komisioni për pranim teknik nuk e ka nënshkruar, duke thënë se s’është kryer puna», ka thënë ai duke shtuar se ka një vit që e kanë çuar rastin në prokurori. Me sa duket prokuroria ka rënë në gjumë si arinjtë që po dyshohet se shëtisin nëpër fshatrat në rrethinë të Prizrenit. Ka edhe shembuj të tjerë: për ngrohje qendrore në Qendrën Rinore në Prizren janë dhënë 20 mijë euro, e ajo nuk ekziston! Për aplikacionin «Prizreni i mençur» janë harxhuar 24 mijë euro. Por aplikacioni nuk punon. Aplikacioni i PDK-së është ky: trajtimi i qytetarëve si budallenj. Dhe derisa ata durojnë, përse të mos trajtohen si të tillë.

4.
Qeveria e Ramush Haradinajt pati një ide «gjeniale». T’ia blejë një objekt kompanisë Dukagjini. Për 55 milionë euro. Me arsyetimin se objekti i duhet qeverisë. Do të ishte biznes fitimprurës për të dyja palët. Njëra palë ndërton një skelet betoni për 2, 3 apo 5 milionë euro dhe ia shet shtetit për 50 milionë. Mund të merret me mend se në këtë sahan do ta ngjyenin kafshatën qeveritarë, oligarkë, kriminelë, hajdutë e grabitës. Krejt bashkë në një vend kur bëhet fjalë për vjedhjen e Kosovës. Siç i kemi parë shumë prej tyre bashkë në betejat nëntokësore për shitjen, blerjen, tjetërsimin e pronësisë së Hotelit Grand. Presioni publik dhe i Lëvizjes Vetëvendosje ndikoi që qeveria të tërhiqet nga vendimi për t’ia dhuruar disa miliona kompanisë Dukagjini.

Por e palëkundur AAK po tregohet sa i përket listës së gjatë me veteranë të rrejshëm. Mijëra mashtrues marrin pensione nga arka e shtetit, shumica janë militantë partish. AAK thotë se e kundërshton pastrimin e listës – sepse «për çështjen e veteranëve ka pasur një marrëveshje politike». Çfarë argumenti idiotik. Pasi ka pasur marrëveshje politike për të fryrë listën (lexo: për të vjedhur nga buxheti), asgjë nuk bën të ndryshojë. Prokurori që ka hetuar rastin quhet mashtrues. Nga mashtruesit. Kështu vidhet dhe vritet për çdo ditë Kosova. Dhe kështu do të vazhdojë nëse qytetarët nuk dalin në protesta masive.