Vizat e Schengenit dhe lakimi i shkronjave sipas qejfit

Një shkrim aspak optimist i një gazete gjermane për liberalizimin e vizave, e ka nxitur kryeministrin e Kosovës që edhe njëherë të shkruajë në Facebook: «Urime Kosovë». Urime - për çka? Gazeta numëron para së gjithash kundërshtarët e liberalizimit të vizave. Këto vende janë kundër Kosovës: Franca, Austria, Belgjika dhe Holanda, por edhe disa zyrtarë në ministrinë e Brendshme gjermane janë skeptikë.




Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) ka botuar një shkrim për çështjen tashmë epike të heqjes së vizave të Schengenit për shtetasit e Kosovës. Gazeta thekson se ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, i ka premtuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj heqjen e vizave – dhe me këtë i ka trembur zyrtarët në ministrinë e Brendshme gjermane në Berlin. Si përkrahës i heqjes së vizave përmendet edhe deputeti i gjelbër Manuel Sarrazin. Kryeministri i Kosovës e ka shpërndarë tekstin e FAZ të shoqëruar me një «Urime Kosovë». Urime – për çka? Për heqjen e vizave? Çfarë bën kryeministri i Kosovës është vetëm lakim i shkronjave për interesa të politikës ditore.

Gazeta gjermane tërheq vërejtjen se Seehofer nuk duhet të kuptohet sikur ka garantuar heqjen e vizave pa kushte. Ministri i Brendshëm gjerman insiston që Kosova të plotësojë parakushtet e domosdoshme. Përfaqësues të ministrisë së Brendshme të Gjermanisë do të vijnë në Kosovë për të parë nga afër se si qëndron vendi me luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. FAZ nënvizon se për dallim nga shefi i tyre zyrtarët e ministrisë së Brendshme gjermane ende kanë rezerva ndaj heqjes së vizave qytetarëve të Kosovës. Për shembull zyrtarët pyesin se përse Gjermania refuzon 20 për qind të kërkesave për viza të kosovarëve?

Deri më tani Gjermania ka qenë skeptike e madhe e heqjes së vizave për kosovarët. Në Këshillin e BE-së kërkohet një shumicë e kualifikuar për të miratuar liberalizimin e vizave, por kjo shumicë nuk është siguruar, shkruan FAZ. Këto vende janë kundër Kosovës: Franca, Austria, Belgjika dhe Holanda. Kosovarët shpresojnë se Seehofer do t’i bind ministrat e tjerë të punëve të Brendshme që të lëshojnë pe. Takimi i radhës i tyre është në qershor.

Seehofer e konsideron interesin e kosovarëve për liberalizim të vizave si të drejtë, ndërsa zyrtarët përkatës në ministrinë e Brendshme theksojnë rrezikun e keqpërdorimit: pas udhëtimit në Gjermani kosovarët mund të vazhdojnë të jetojnë ilegalisht në këtë vend, bandat kriminale mund të futen të pakontrolluara, shkruan FAZ. Numri më i madh i kosovarëve jashtë Kosovës jeton në Gjermani. Sipas të dhënave zyrtare në Gjermani jetojnë 220 mijë shtetas të Kosovës. Që nga themelimi i shtetit të Kosovës më 2008 numri i tyre në Gjermani është trefishuar, shkruan FAZ.