Viti i mbrapshtë

Përpos një morie ngjarjesh dhe zhvillimesh skandaloze e të zymta, viti 2015 do të mbahet mend edhe për një gjë tjetër - si viti kur vdiq iluzioni i madh për Kosovën shtet në kuptimin funksional të fjalës. Ky është viti kur përfundimisht u zhveshën heronjtë e luftës e të paqes, ndërkombëtarë e vendorë. Politikanë të majtë e të djathtë. Të ndershëm e hajna!



2015-tën kosovarët e nisën të drobitur nga zgjedhjet e përsëritura. Rezultati ishte ardhja në pushtet e një kryeministri me paterica, derisa kryeministër de fakto do të mbetej edhe më tutje Hashim Thaçi, ndonëse i katapultuar në ministrinë e Jashtme. Isa Mustafa si kryeministër i ri përfaqësonte denjësisht gjendjen morale në vend: depresiv, pa elan, pa energji, i përgjumur nga lodhja, i izoluar dhe i vjetër në koncepte. Në politikën e jashtme, Kosovën do ta përfaqësonte njeriu i cili në politikën ndërkombëtare më tepër se sa si ish-gueril, njihet si i dyshuar për krime lufte (ky hyn, mes tjerash, edhe tregtia e supozuar me organe njerëzore). Në krye të parlamentit të Kosovës do të ulej një njeri i cili për departamentin e shtetit amerikan njihet si kriminel i lidhur me nëntokën biznesore dhe politike. Kombinim më të përshtatshëm për rrënim të shtetësisë nga brenda dhe jashtë, vështirë se mund të ishte gjetur.

Në shtator të 2015-tës, duke qenë në paraburgim, Sami Lushtaku arratiset nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Ishte e tepërt kërkimi i ndonjë përgjegjësie nga ministria e Drejtësisë apo nga organet e rendit. Kosovarët tashmë kishin bërë pakt me krimin. Ishin gjunjëzuar para krimit dhe poltronëve të tij.  Ishte pranuar si normë që nuk kish ministër, prokuror, polic apo EULEX që do të guxonte të përballej me bosat e luftës dhe të krimit. Në po këtë vit, një gjykatë do të dënonte me 6 muaj burg dy djemtë e Adem Grabovcit, shefit të grupit parlamentar të PDK-së, për shkak se këta dy të fundit kishin sulmuar policinë kur qenë ndaluar. Nuk ka lojë me shefat, shefat e shefave, bijtë dhe nipat e tyre. Ata kanë privatizuar gjithçka, përfshirë policinë, rendin dhe dhunën.

200 mijë vende pune ishin premtuar për kosovarët – banorët më të varfër të Europës tash e 16 vjet. Mizerja e papunësisë do të shtohej kur filluan dyshimet, ende të pakonfirmuara, se me gjasë kishim vite të tëra që po hanim grurë kafshësh në vend të grurit për njerëz. Në këtë mënyrë nuk ishim më vetëm një «kope politike» që ushqehet me nacionalizëm (të prodhimeve vendore) dhe përralla për territore, por ishim, para së gjithash, një kope në kuptimin e zhveshur të fjalës. Kjo kope diplomohet nëpër 6 degë të Universitetit Publik dhe në mbi 20 tjera universitete private, për t’u rreshtuar në karvanin e pashpresë të të paditurve dhe të të papunëve. E njëjta kope vërshon spitalin publik duke blerë vetë shiringën, pambukun, alkoolin, mjekun, apo  dhe operacionin me kredi në spitalet private. Në të njëjtën mënyrë, do të vazhdonte radikalizimi i kosovarëve që do të iknin në Siri dhe vende tjera për t’iu bashkuar «luftërave të shenjta», idealeve dhe kauzave të ndryshme.

Listës së dëshpërimit dhe mjegullës i shtohet edhe EULEX-i. Dëshmitë e ish prokurores Maria Bamieh ndaj misionit më të madh të BE-së dhe akuzat e saj për korrupsionin e dyshuar në këtë strukturë e kompletuan vrasjen e iluzionit se ndërkombëtarët megjithatë do të lëvizin ndonjë gur në interes të shtetit të së drejtës. Kronologjikisht viti do të mbyllej me hedhjet e njëpasnjëshme të gazit lotsjellës nga opozita në seancat parlamentare e që do të pasonin me paraburgimin e disa deputetëve të opozitës.

Kjo listë gjithmonë do të kujtohet edhe më skëterrshëm marrë parasysh ikjen masive të kosovarëve në vendet e Europës perëndimore. Për herë të parë që nga lufta e fundit, autobusët do të mbusheshin jo vetëm me njerëz ekonomikisht të varfër dhe të pa perspektivë. Ndër ta do të kishte edhe shumë sosh me punë dhe jetë relativisht të rregulluar dhe me një edukim (çfarëdo qoftë ai). Ata që mbetën në Kosovë vazhdojnë të jenë qytetarë të ngujuar të Europës. Në pritje të vizave! Nuk mbaj mend depresion më të madh gjatë gjithë këtyre viteve. Kosova nuk kishte mbetur më ëndërr as e atyre që kishin lëpirë ndonjë kockë pushteti. Prishtina nuk ishte më qyteti «nice» i «kullerave» urbanë. Shprehja «më mirë të lash pjata me doktoratë në Belgjikë, se sa të kthehesh në Kosovë», më ishte thënë shumë shpesh gjatë këtij viti.

E megjithatë, përkundër këtij bilanci të trishtueshëm, ky është viti i fundit i iluzionit për Kosovën. Deri në 2015-tën ka pasur hapësirë për të ushqyer ndonjë narrativë pozitive – sado të parealizueshme. Deri në 2015-tën megjithatë ka ekzistuar një gënjeshtër e madhe se ky vend do të bëhet me kosovarë të rinj me ide. Me kosovarë/e pa dosje, pa krime, pa të kaluara të dyshimta.

Pas kësaj shfaqen dy rrugë: vazhdimi në vetë-rrënim dhe rreziku për të përfunduar në një shtet emocionalisht dhe politikisht të dështuar si Bosnjë-Hercegovina sot, apo përqafimi i programeve nacionaliste dhe ngulfatëse.  Të dyja premtojnë zhytje në izolim politik, moral dhe shtetëror. Një rrugë tjetër do të kërkonte kalimin nga të qenurit kope politike dhe jopolitike, në mendim që do të kërkojë krijimin e një alternative tjetër – qoftë me protesta, qoftë me plenume.

E vetmja gjë pozitive që mund ta ofroj ky vit skëterrë, është një këndellje të shëndetshme pas rrënimit të iluzionit mistiko-nacionalist për «Kosovën heroike».