Vetura godet një nxënës të shkollës «Hasan Prishtina» – reagojnë prindërit

Një nxënës i klasës së dytë në shkollën fillore «Hasan Prishtina» në kryeqytet është goditur nga vetura, të enjten, rreth orës 13:00 dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore.




Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se nxënësi ka marrë lëndime të lehta dhe është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shkruan sot «Koha Ditore».

Ajo ka bërë të ditur se njësitet policore janë duke u marrë me rastin.

Drejtori i shkollës, Milaim Berisha, ka thënë për gazetën se nxënësi i shkollës që ai drejton ka pësuar disa lëndime, por që janë jashtë rrezikut për jetën.

«Nxënësi është goditur në rrugë. Nuk është goditur drejtpërdrejt vetëm me pasqyre të veturës. Nuk është hera e parë që nxënësit goditën nga veturat, por që jo me fatalitet», ka thënë Berisha.

Prindërit e nxënësve kanë tërhequr vërejtjen disa herë se rreth shkollës «Hasan Prishtina» po krijohet kaos nga veturat, autobusët dhe kombibusët të cilët parkohen në trotuar, teksa fëmijët detyrohen të ecin në rrugë.