Vetëvendosje mund të bëhet parti serioze vetëm nëse tregon se ka më shumë kapacitet se sa ngjyrosjen e mureve me parulla

Celulat për propagandë të VV-së janë aktivizuar sërish. Si fantazma duar të (pa)dukshme po shkruajnë parulla nëpër muret e Prishtinës dhe muret e Facebookut. Diçka në lidhje me Vjosa Osmanin. Me këto sjellje VV mund të përfundojë si Lëvizja Pesë Yjet në Itali, e cila llapte poshtë e lart se kur të vijë në pushtet do bëjë namin, por kur erdhi u shqua vetëm me diletantizëm.

Foto: Shutterstock



Prej se ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit VV nuk ka arritur të maskojë arrogancën e fitimtares. Para se të takonte partnerin apo partnerët eventualë të koalicionit, shefi i VV-së bëri një xhiro nëpër studiot televizive të Tiranës e Prishtinës për të shpjeguar historinë (pse nuk i kemi shpallur luftë Serbisë në fillim të viteve 90-të – kjo ishte njëra prej pyetjeve të tij antihistorike), për të treguar se si do ta rrëzojë presidentin (edhe pse kjo është praktikisht e pamundshme për shkak të barrierave të larta kushtetuese dhe ligjore), për të bërë me dije se tani e tutje asgjë nuk do të jetë siç ka qenë, sepse do të jetë krejt ndryshe. Më mirë, më bukur, më lezetshëm. Sa janë reale këto parulla të VV-së? Për këtë pak më poshtë në këtë tekst.

Sepse së pari duhet një fusnotë për LDK-në: sjellja e kësaj partie në javët e fundit ka qenë skandaloze. Militantët e kësaj partie po bërtasin nëpër Facebook se VV-në e ka themeluar SHIK-u, andaj s’duhet bërë koalicion. Nga këto shënime jehon një dëshirë për t’u kthyer sërish në prehrin e krerëve të PDK-së, me të cilët LDK i ka ndarë shumë të mira materiale të këtij vendi – borde, këshilla, ndërmarrje publike, drejtori, ministri, dikastere e çka jo tjetër. Rugovistët e vërtetë (domethënë të rrejshëm) thonë se më mirë VV le të bëjë koalicion me PDK-në. LDK, sipas kësaj logjike pa logjikë, duhet të presë ditën kur ta kthejë namin e asaj kohe kur i merrte 50 për qind të votave. Kjo pritje është po aq reale sa të besohet se nga Luboteni do të fluturojnë njëzet kuaj dhe do të ulen në gjethe mani te Liqeni i Batllavës.

Akuzat e ndërsjella mes militantëve lëdëkësitë dhe vëvëistë (militantët shpesh e thonë atë që e mendojnë shefat e tyre, pra ndërsyesit e tyre) po ndikojnë që të shkatërrohet edhe ai mirëbesim i vogël që ishte krijuar pas takimeve mes Isa Mustafës dhe Albin Kurtit (takimet janë zhvilluar kryesisht në shtëpinë e Mustafës). Gjuajtja me baltë mes dy taborëve e pengon një partneritet afatgjatë për të cilin kanë shpresuar shumica dërmuese e votuesve të të dy partive. Këtu përgjegjësi duhet të kërkohet nga të dy partitë dhe nga të dy liderët – dhe jo të shihen gabimet vetëm te pala tjetër.

Si është e mundur që të aktivizohen sërish celulat për propagandë të VV-së? Si fantazma duar të (pa)dukshme po shkruajnë parulla nëpër muret e Prishtinës dhe mure të Facebookut. Diçka në lidhje me Vjosa Osmanin. Po për atë Vjosa Osmanin për të cilën kanë luftuar me mish e me shpirt që ta joshin në VV. Vetëvendosje mund të bëhet parti serioze vetëm nëse tregon se ka më shumë kapacitet se sa ngjyrosjen e mureve me parulla.

Krerët e VV-së rrahin gjoks se ata përfaqësojnë antiestablishmentin. Nuk jemi parti, jemi lëvizje, thonë ata. Nuk kemi degë ne, kemi qendra e pika e presje. Flamuri i Kosovës? Një peshqir. Himni i Kosovës? I padenjë, andaj Albin Kurti me shokë pret para parlamentit për të hyrë në seancë derisa të kryhet ai dreq himn. Thua se Kosova nuk ka halle të tjera, por vetëm simbolet. Nuk ka halle si papunësia, analfabetizmi funksional (nuk është dashur fare testi i PISA-s për të dëshmuar këtë), ekonomia në duar të dy-tre oligarkëve, mijëra mashtrues që marrin rroga si veteranë, mijëra arsimtarë që janë punësuar sipas librezës partiake (kryesisht PDK), privatizime kriminale, bisedime të dështuara me Serbinë. Natyrisht që për të gjitha këto VV ka mendime, por një pjesë të energjisë e ka djegur duke u marrë me gjëra simbolike. Shumëkujt i kujtohet se si militantët e VV-së ekzaltoheshin kur Visar Ymeri në vitin 2016 i uronte fitore ekipit të futbollit të Shqipërisë (diçka normale kjo), por nuk e përmendte debutimin historik të kombëtares së Kosovës në futboll.

VV duhet të ketë kujdes të mos përfundojë si Lëvizja Pesë Yjet (MoVimento Cinque Stelle) në Itali. Kjo parti u themelua para një dekade me premtime të mëdha se do të ndryshojë plotësisht skenën e korruptuar politike italiane, do të largojë Italinë nga unioni monetar europian, do të qeverisë me duar të pastra. Më 2013 Pesë Yjet refuzuan të bëhen pjesë e qeverisë – me argumentin se nuk duan të përlyhen me partitë e establishmentit. Më 2016 një kandidate e Cinque Stelle u bë kryetare e Romës. Bilanci i qeverisjes së saj në Romë është negativ. Këtë e dëshmojnë jo vetëm dështimet në administrim të kryeqytetit, por edhe arrestimi i kryetarit të këshillit komunal të Romës për shkak të korrupsionit. Partia që kishte premtuar një kulturë të ndershmërisë dhe transparencës sapo mori pushtetin me gjasë vetëm shikoi yjet se kur do të jenë të përshtatshëm për të vjedhur. VV duhet ta ketë parasysh shembullin negativ të Pesë Yjeve në Itali, parti kjo që në njëfarë kohe shihej si model edhe për Shqipërinë dhe Fatos Lubonja s’pushonte duke e lavdëruar në televizionet e Tiranës.

VV është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Në demokraci edhe një votë diferencë është fitore. Këtë duhet ta kuptojnë në LDK. Kjo parti doli e dyta sepse i mungoi entuziazmi për të dalë e para. Sepse LDK është mësuar me këtë rol dytësor. Sepse aty përplasen shumë interesa dhe nuk ka politikë koherente. Sepse krerët e LDK-së bëhen sikur punojnë si ekip vetëm para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve secili e ka agjendën e vet, e disa e ndjekin agjendën e PDK-së.

Duke pasur parasysh se LDK edhe kur e ka pasur ministrinë e Brendshme nuk ka treguar ndonjë sukses, është e udhës që VV të marrë drejtimin e kësaj ministrie të rëndësishme. LDK është lavdëruar përherë se ka shumë kompetencë ekonomike, por fakti që së pari e kërkon ministrinë e Brendshme dhe jo të Financave lë për të dyshuar se njerëzit aty kanë halle.

Por, çdo medalje i ka dy anë: nëse VV e merr drejtimin e ministrisë së Brendshme a mund të presim që përveç zbulimit të shumë krimeve (për shembull kidnapimi i shtetasve turq), ministri nga radhët e VV-së do të punojë edhe në zbulimin e autorëve të djegies së veturave të disa politikanëve në vitin 2016? Atëbotë u patën djegur veturat e Ismet Beqirit, Memli Krasniqit, Bajram Gecajt, Adem Grabovcit. Pa marrë parasysh se çfarë mendimi mund të ketë opinioni kritik mbi këta politikanë, fakti që ende nuk janë kapur piromanët tregon se Kosova është larg për të qenë shtet stabil. Ministri i Brendshëm nga radhët e VV-së duhet të angazhohet po ashtu në zbulimin e autorëve të sulmit kundër Kuvendit të Kosovës në fillim të gushtit 2016. Opinioni duhet ta dijë se kush qëndron pas këtij sulmi: aktivistët e VV-së, siç ka pretenduar drejtësia e Kosovës (e tillë çfarë është) apo ndonjë strukturë tjetër? VV nuk mund të sillet sikur me ardhjen e saj në pushtet ajo do t’i hap dyert e parajsës për të gjithë. Sepse kjo është rrenë. Siç ishte rrenë edhe premtimi i Cinque Stelle në Itali se çdo gjë do të bëhet më mirë. Në Itali mund të jetë bërë më i mirë brumi për pizza dhe pasta, por asgjë tjetër. Nga VV opinioni në Kosovë pret shumë. Prandaj edhe ia ka dhënë shansin për të qeverisur.