Vetëmashtrimi evropian

Një nga vlerësimet më të drejtpërdrejta rreth pritjeve të parealizuara nga misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, është bërë vitin e kaluar nga humanisti e gazetari i njohur gjerman dhe përkrahësi i madh i Kosovës, Rupert Neudeck, tashmë i ndjerë, shkruan sot «Koha Ditore».




Në intervistën për gazetën «Kolner Stadt-Anzeiger», në mars të vitit të kaluar, i pyetur rreth EULEX-it, Neudeck pati thënë: «Ky mision deri tani është dëshmuar vetëm si një vetëmashtrim evropian dhe zhgënjim për popullin e Kosovës. Misioni i EULEX-it ka dështuar plotësisht. Asgjë nuk do të ngjante nëse do të largohej ky mision – me përjashtim të interesave të njerëzve të paguar shumë, të cilët punojnë për EULEX-in. Shumë qytetarë në Kosovë nuk e kanë të qartë nëse ekziston një mision i tillë. Ata nuk e vërejnë atë, sepse nuk ka asgjë pozitive të theksohet për të. Nëse të gjitha paratë që janë djegur kot do të investoheshin atje në ndërtimin e qendrave të formimit profesional, popullsia do të mund të përfitonte së paku nga ato para».

Tani, tetë vjet nga vendosja e këtij misioni, Kosova është në prag të vazhdimit të mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet, ndërsa pritjet se ky mision do t’i ndihmojë vendit të ecë sigurt në binarët e sundimit të ligjit, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, mbesin kryesisht të parealizuara.