Veseli: Ramazani të shërbejë si motiv shtesë për të qenë më afër njëri-tjetrit

Në prag të fillimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava dhe zyrtarë tjerë të BIK-ut.




Veseli ka thënë se Muaji i shenjtë i Ramazanit është motiv shtesë për të qenë më afër njëri-tjetrit, transmeton Koha.net.

«Ky muaj na përkujton sakrificën e njeriut për njeriun dhe tolerancën midis njerëzve, duke shërbyer njëkohësisht, si motiv shtesë për të qenë më afër dhe në përkrahje të njëri-tjetrit. Të tillë duhet të qëndrojmë jo vetëm gjatë këtij muaji, por gjatë gjithë vitit», theksoi kryetari Veseli, duke paralajmëruar se gjatë muajit të Ramazanit do të vizitojë familje të ndryshme dëshmorësh dhe familje të tjera në nevojë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, falënderoi kryetarin Veseli për këtë vizitë në vigjilje të muajit të madhërishëm, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë për institucionin që ai drejton dhe për të gjithë besimtarët islamë.