Vdiq Albert Rohan, diplomati austriak që shkroi planin për pavarësinë e Kosovës

Albert Rohan, një diplomat me karrierë të gjatë në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, vdiq në moshën 83-vjeçare në Vjenë. Rohan rridhte nga një familje aristokrate franceze, e cila në fund të shekullit të '18 kishte emigruar në Austri. Ai kishte lidhje familjare me Mbretëreshën Geraldinë, me të cilën u martua Mbreti shqiptar Ahmet Zogu. Rohan ka qenë kritik i rreptë i hegjemonizmit serb. Para vdekjes kundërshtoi planet për ndarjen e Kosovës.

Albert Rohan.



Në skenën e madhe të politikës botërore Albert Rohan hyri edhe njëherë kur bashkë me Martti Ahtisaarin u emëruan nga OKB ndërmjetësues në negociatat e Vjenës, të cilat do të çonin në pavarësinë e Kosovës. Për asnjërin nuk kishte dilemë se cili do të ishte epilogu i negociatave: pavarësia e Kosovës për Rohanin dhe Ahtisaarin ishte rruga e vetme dhe më e mira për zgjidhjen e konfliktit shekullor të Kosovës me Serbinë. Një dekadë pasi Rohan mbaroi misionin në Kosovë dhe vendi shpalli pavarësinë, ai jo pa zhgënjim përcolli debatet e lansuara nga presidenti serb dhe ai kosovar për ndryshimin e kufijve të Kosovës. «Kjo është një rrugë e gabuar», tha Rohan në një intervistë për gazetën austriake «Der Standard» vitin e kaluar. Ideja e ndarjes së Kosovës është e ngahershme dhe autor i saj është Dobrica Qosiqi, shkrimtari nacionalist serb. Pas Qosiqit këtë ide e kanë përvetësuar ministri i tanishëm i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq dhe kryetari Aleksandar Vuçiq. Në një deklaratë për mediat zvicerane Rohan tha së fundi se në bisedmet e Vjenës Beogradit i është garantuar se të drejtat e serbëve në Kosovë janë të siguruara, por Serbia «nuk ishte e interesuar për këtë, por vetëm për territor».

Në një deklaratë të ministrisë së Jashtme të Austrisë thuhet se Rohan që në vitet ’90 ka dizajnuar politikën largpamëse të Austrisë ndaj Ballkanit. Bashkë me kryediplomatin e famshëm Alois Mock ai mbajti qëndrime të qarta kundër agresionit serb mbi sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët. Ministri i ri i Jashtëm në qeverinë e përkohshme austriake, Alexander Schallenberg, tha se vdekja e Rohanit është humbje e një idhulli të madh.

Rohan u lind më 1936 në Melk të Austrisë. Studioi drejtësinë në Universitetin e Vjenës dhe në Belgjikë. Në vitin 1963 hyri në shërbimin diplomatik dhe mes tjerash punoi në ambasadat austriake në Beograd dhe Londër. Më 1977 Rohan u bë shef i kabinetit të sekretarit të atëhershëm të përgjithsëm të OKB-së, Kurt Waldheim. Rohan rridhte nga një familje aristokrate franceze, e cila në fund të shekullit të ’18 kishte emigruar në Austri. Ai kishte lidhje familjare me Mbretëreshën Geraldinë, me të cilën u martua Mbreti shqiptar Ahmet Zogu.

Gjatë karrierës së tij ai qe ambasador i Austrisë në Argjentinë dhe më 1996 u emërua sekretar i përgjithshëm në ministrinë e Jashtme të Austrisë. Rohan ishte kryetar i Shoqatës Austri-SHBA, nënkryetar i Shoqatës Austriake për Politikë Europiane dhe anëtar themelues European Council on Foreign Relations. Në vitin 2002 ai botoi një libër me kujtime («Diplomat am Rande der Weltpolitik. Begegnungen, Beobachtungen, Erkenntnisse»). Me shumicën e politikanëve të Kosovës Rohan njihej personalisht, duke filluar nga Ibrahim Rugova deri te pushtetarët e tanishëm, për shumicën e të cilëve nuk kishte ndonjë fije respekti, siç tregonte në mirëbesim gjatë ndonjë dreke pas debateve në televizionin austriak ORF. Por ai jetoi dhe u largua nga kjo botë si dashamirës dhe përkrahës i madh i shtetit të Kosovës.