Valon Behrami shkëlqen edhe jashtë fushës së futbollit

Pas kritikave të padrejta në disa mediume zvicerane kundër «klanit të ballkanasve» në kombëtaren e Zvicrës Valon Behrami është dëshmuar si lojtar i mirë – jo vetëm në fushën e futbollit.



Në fillim të viteve 70-të ambasadori i Zvicrës në Beograd e njoftonte qendrën në Bernë se punëtorët nga Kosova, që po vijnë në Zvicër, për fat të mirë, nuk e kanë ndërmend t’i sjellin me vete familjet. Nëse do të bënin këtë, atëherë Zvicra do të gjendej para një situate të vështirë. Me dekada të tëra shoqëria, politikanët dhe elitat intelektuale të këtij vendi kanë besuar se të huajt vijnë në Zvicër, punojnë nëntë muaj si punëtorë stinorë, pastaj kthehen në atdhe, kthehen prej nga kanë ardhur. Ditën e mirë! Natën e mirë!

Gjatë këtyre nëntë muajve të huajt nuk binin në sy, jetonin në baraka, jetonin të shkëputur nga shoqëria zvicerane, punonin, kursenin dhe dërgonin para në atdhe – në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Ky ishte një iluzion i madh i Zvicrës, sepse të huajt nuk u kthyen, por vendosën të ndërtojnë ardhmërinë e tyre në këtë vend. Disa vite para letrës së ambasadorit zviceran në Beograd shkrimtari Max Frisch kishte paralajmëruar se është e padrejtë të mendohet se Zvicra ka ftuar vetëm fuqi punonjëse. Në fakt, shkruante Frisch, në Zvicër «kanë ardhur njerëz».

Vërtet, shumë shqiptarë mendonin të ktheheshin në vendlindje, pasi të kursenin disa mijëra franga. Ndodhi e kundërta: Jugosllavia u fundos në krizë ekonomike dhe politike, në vitet 80-të ngriti kokën nacionalizmi agresiv serb, i cili kishte ambicie të pushtojë pjesët e tjera të Jugosllavisë – nga Kroacia në Maqedoni. Gastarbajterët, siç quheshin punëtorët e huaj, nuk u kthyen nga kishin ardhur.

Përkundrazi, ata sollën këtu familjet. Pas heqjes së autonomisë nga Kosova nisi të largohej edhe shtresa e mesme, e cila kishte mbetur pa punë. Në këto rrethana Kosovës ia ktheu shpinën prej zorit edhe familja e Valon Behramit. I ati i tij, inxhinier në kombinatin Trepça, vazhdoi jetën e re në kantonin Tiçino, në kufi me Italinë. Me shumë fat dhe falë ndërhyrjes së një politikani vendor familja shpëtoi nga dëbimi në Kosovë. I biri i politikanit dhe Valon Behrami po luanin në të njëjtin klub futbolli në Tiçino. Këtu Behrami bëri hapat e parë në këtë sport të popullarizuar, ku dëshmoi talentin e tij.

Në vitin 2015 Behrami është shndërruar në lojtarin kyç të reprezentacionit të Zvicrës. Për këtë ai lavdërohet nga mediumet dhe fansat e futbollit gëzohen, sidomos kur Zvicra kualifikohet për turnirë të rëndësishëm, siç ishte së fundi kualifikimi në Kampionatin Europian të Futbollit. Behrami nuk është i vetmi ballkanas në kombëtaren e Zvicrës. Për të luajnë edhe ballkanas të tjerë si Josip Dërmiq, Haris Seferoviq, Pajtim Kasami, Xherdan Shaqiri, Admir Mehmeti, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili. Fraksioni ballkanik është bërë i madh, zotërues në kombëtaren e Zvicrës. Kush e ka menduar këtë në vitet 70-të? Askush.

Ky dominim i ballkanasve, e sidomos i shqiptarëve, natyrisht ka ngjallur debate parimore dhe periferike. Pyetjet që shtrohen në mediumet zvicerane, ashtu mes rreshtave, janë të ndjeshme. A është kjo kombëtare e Zvicrës? A mund të identifikohen zviceranët me këtë ekip? A mund të jenë këta lojtarë futbolli shembuj për të rinjtë zviceranë, kur dihet se sportistët nuk perceptohen vetëm në fushën e lojës, por edhe në jetën publike? Janë pyetje legjitime.

Por, mënyra se si disa mediume zvicerane e trajtojnë këtë çështje është skandaloze. Para disa javësh gazeta «Neue Zürcher Zeitung» duke iu referuar burimeve në Federatën e Futbollit të Zvicrës shtronte pyetjen nëse Zvicra është e gatshme të ketë madje edhe trajnerin e kombëtares nga Ballkani. Vladimir Petkoviqi – nomen est omen! – është një kroat nga Sarajeva dhe prej dekadash jeton në Zvicër. Ai është trajner i Zvicrës pasi ka bërë një karrierë të mirë, jo spektakulare, si trajner ekipesh futbolli në Zvicër dhe Itali dhe ka merita, mes tjerash, edhe për sukseset e Valon Behramit.

Petkoviq ka protestuar me takt kundër gjuhës polemiste të mediumeve. Por, mediumet e papërgjegjshme nuk e kanë ndërprerë këtë fushatë. Të dielën gazeta «Schweiz am Sonntag» botoi një tekst me plot kritika kundër fraksionit ballkanik, i cili gjoja nuk identifikohet sa duhet me Zvicrën. Akuzat kulmuan me cilësimin e Valon Behramit si «prijës i klanit ballkanik» në kombëtaren e Zvicrës dhe si një lloj oficeri për ndërlidhje mes trajnerit Petkoviq me grupin e futbollistëve me rrënjë nga Ballkani. Është një akuzë primitive, që gëlon nga resentimentet kundër të huajve. Mungon vetëm kërkesa që të huajve t’u ndalohet të luajnë për Zvicrën. Sipas kësaj logjike alogjike për Zvicrën duhet të luajnë vetëm ata që e kanë mbiemrin Müller, Meier, Schönbächler apo Rüdisüli. Kjo qasje injoron faktin se gati 25 për qind e banorëve të Zvicrës janë me origjinë të huaj dhe shumica prej tyre kanë pasaporta të këtij vendi. Si qytetarë të Zvicrës ata kanë të drejtë të luajnë futboll, të merren me politikë, të këndojnë dhe të ecin bjeshkëve të bukura të Zvicrës. Kur kroati me pasaportë zvicerane Ivan Rakitiq kishte vendosur të luajë për Kroacinë, gati të gjitha mediumet zvicerane ishin ankuar se ky talent i madh i futbollit po ia kthente shpinën Zvicrës, ku kishte mësuar të luajë futboll. Kur të huajt vendosin të luajnë për Zvicrën – kjo prapë s’qenka në rregull.

Përgjigjja e Valon Behramit ka qenë e menjëhershme. Ai deklaroi për gazetën «Tribune de Genève» se në kombëtaren zvicerane «nuk ka klane, që bashkohen në bazë të prejardhjes». Ky debat, sipas Behramit, është i lodhshëm, i mjerë dhe lëndues, sepse njerëzve u var etiketa të rrejshme. Nuk ka përgjigje më të mirë kundër kësaj fushate. Me këtë përgjigje futbollisti me origjinë nga Mitrovica ka dëshmuar se është lojtar i mirë edhe jashtë fushës së blertë. «Tribune de Genève» e ka pyetur Behramin edhe për sulmet terroriste të fashistëve jeshil në Paris. Çfarë ka ndodhur në kryeqytetin e Francës, tha Behrami, është tmerrësisht shqetësuese. Terroristët, sipas tij, duan të përçajnë njerëzit. «Unë vij nga një familje myslimane. Personalisht e kam lënë anash fenë, jam ateist». Këtë nuk duhet ta komentojmë, vetëm ta respektojmë! Siç duhet t’i respektojmë budistët, hebrenjtë, të krishterët, myslimanët… Nëse janë të padhunshëm.