Udhëzime për kapërcimin e kufijve ballkanikë

Të udhëtosh nga Kosova në Zürich - një përvojë personale.




1.
Ideja ishte e mirë: me një mik timin – me Nexhat Latifin, i cili në mediat sociale mrekullisht tallet me cenet dhe marrëzitë e miletit tonë – një ditë gushti deshëm të udhëtojmë nga pikëkalimi i Merdarit në Serbi, por duhej durim. Dy orë, tri apo pesë… «Para mesditës nuk dilni nga këtu», tha një shitës i CD-ve me muzikë të Medës, Gjyste Vulajt e të kësaj kategorie. U kthyem dhe morëm rrugën drejt veriut. Kur guxon të shkojë presidenti i Kosovës për lundrim në Gazivodë, pse jo edhe ne për të kaluar kufirin? Dhe shih ti: në Jarinjë pritëm 5 minuta. Polici kosovar tha: «Mos na harroni neve këndej», polici serb nuk tha asgjë, kështu ndoshta deshi të shprehte mllefin ndaj dy shqiptarëve që po kalonin në Serbi për të vazhduar rrugën drejt Europës Perëndimore. Në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët në çdo 50 metra nga një flamur i Serbisë, dhe secila veturë me targa serbe të Mitrovicës. Shteti i Kosovës duket se është i pranishëm vetëm në pikën kufitare. Në një pikë karburanti në Rashkë e takuam Nikollën nga Klina. Nikolla tha: «Kurrë nuk kaloj nga Merdari, vetëm këndej». Ndenji pak me ne dhe iku, por me porosinë: «Mos kaloni nga Kraleva e Kragujevci, por nga Çaçaku».

2.
Kinezët janë gjithkund në Ballkan. E kanë blerë portin e Pireut në Greqi. Po e ndërtojnë një urë që e lidhë bregdetin kroat me siujdhesën Peleshac. Me këtë urë do të bëhet e mundshme të shmanget kalimi nëpër territor të Bosnjës (te Neumi) për të shkuar në Dubrovnik. Dhe kinezët janë në Serbi. Sapo e kanë ndërtuar edhe një pjesë të autostradës në Serbinë perëndimore, në kuadër të projektit «Korridori 11». Kjo domethënë: nga Çaçaku e tutje ka rrugë të shpejtë drejt Beogradit. Kjo rrugë është një alternativë shumë e mirë për ata që duan t’i ikin Merdarit, Dheut të Bardhë, Mutivodës. Domethënë: nga veriu i Kosovës, nëpër magjistralen e Ibrit drejt Kralevës dhe tutje drejt Beogradit dhe kufirit me Kroacinë.

3.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit të Kosovës njofton në Twitter se në Merdare njerëzit presin 3, 4, 5 orë për të hyrë në Serbi. Gjatë verës nuk është fare më e mirë as situata në kufirin Serbi-Kroaci, në pikëkalimin e madh të Batrovcit. Aty bashkohen shqiptarë të Kosovës, shqiptarë të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, serbë, turq, bullgarë… Dhe aty bashkohet dembelia serbo-kroate e policëve dhe doganierëve. Ka një mënyrë për t’i ikur pritjeve të gjata (3, 4 apo 5 orë) në Batrovci. Natyrisht kjo pritje evitohet duke u futur nëpër ara në qytetin e Shidit, një qytet në Vojvodinë, Serbia veriore. Aty gjendet një pikëkalim i vogël kufitar. Aty doganieri kroat na përshëndeti me: «Mirëdita, shok! Si je, a je mirë?»

4.
Kroacia është vend anëtar i BE-së, por disa tabiate primitive shihen që në kufi. Për shembull: doganieri që pak a shumë hapur kërkon «me i dhanë diçka», çokollatat zvicerane i pëlqejnë. Përvoja tjetër negative: autostrada Lipovac-Zagreb kushton 19.32 euro. Ia jep 20 euro atij argatit te barriera dhe ai nuk të kthen kusurin, por vetëm një faturë (račun). E kusuri? S’ka kusur, thotë ai me ton banditi. Kjo metodë me gjasë i funksionon, sidomos me udhëtarë të stërlodhur që duan sa më shpejt të vazhdojnë udhën. E mbase më së shumti me shqiptarë që «nuk e këqyrin për pak» kur bëhet fjalë për «miqtë tanë kroatë». Pas një shkëmbimi fjalësh, pasi tha disa herë se nuk kthen kusur në euro, argati i ktheu pesë kuna, afërisht 70 centë. Edhe në faturë shkruan se shoferit të automjetit duhet t’i kthehen 5 kuna. Nëse ky bandit brenda orarit të punës arrin t’ua marrë (grabit) nga 70 centë 100 shoferëve, ai e përfundon ditën me 70 euro ekstra.

5.
Ka shqiptarë që thonë: «Për 14 orë kam shkuar në Gjilan. Nga Zürichu!» Me avion? «Jo, me veturë». Shoferët me këtë stil të ngasjes së veturës janë të lodhur nga jeta. Zagrebi është përherë një adresë e mirë – për të kaluar një natë, dy, më shumë apo për të jetuar aty me vite. Çka është Zagrebi? Për një shqiptar Zagrebi është Millan Shufllaji, albanolog i vrarë nga agjentët e Beogradit, është Mirosllav Kërlezha që shkruante kundër terrorit të Mbretërisë Serbe në Kosovë, është Çiro Bllazheviqi, trajneri i futbollit i Prishtinës, është kitaristi Petrit Çeku, është Jozha Horvati, shkrimtar, autor i udhëpërshkrimeve me titullin «Besa» (këtë titull librat e bartin edhe në kroatisht), është Drazhen Petroviqi, basketbollisti i shumë ëndrrave tona fëminore, është Darko Hudelisti, autor i një libri për krizën e Kosovës në fund të viteve ‘80, është Branko Horvati, ekonomisti i famshëm, autor i librit «Çështja e Kosovës», ky libër në Jugosllavi e ka pasur atë efekt që më vonë do ta kishte në arenën ndërkombëtare libri mbi historinë e Kosovës i Noel Malcolmit. Për një shqiptar personifikim i Zagrebit janë mijëra shqiptarë ndërmarrës, bukëpjekës, prodhues e shitës akulloresh, argjendarë që stolisin gishtat e damave të Zagrebit («E di kush ishte ajo gruaja atë ditë që ma solli atë unazën me diamant për t’ia ndrequr? E dashura e Titos. Është profesoreshë e japonishtes»). Zagreb janë ata ndërtimtarë dhe biznesmenë si i paharrueshmi Vebi Velija nga Gradeci i Gostivarit, pikërisht ai që gjente kohë të regjistrojë në Zagreb revistën e pavarur KOHA të Kosovës, janë edhe shumë profesionistë fushash të ndryshme që u formuan në Zagreb dhe në fillim të viteve 70-të madje qenë pjesë e rëndësishme e lëvizjes politike Pranvera Kroate, Zagreb është Ardian Kozniku, Dinamo e Zagrebit, është Glavni Kolodvor, stacioni i trenit ku nisnin ose përfundonin shumë ëndrra, Zagreb (dhe Kroaci!) janë gjeneralët e Kroacisë me origjinë shqiptare që luftuan për çlirimin e vendit, është Zagreb (dhe Shibenik) gjenerali Rahim Ademi, ai që e ka mposhtur Ratko Mlladiqin në fushëbetejë dhe nuk ka lejuar pushtimin e Shibenikut nga forcat serbe, Zagreb janë gjenerali i APJ-së Ramiz Abdyli dhe profesori i Universitetit të Zagrebit Behlul Brestovci, Zagreb është edhe Esad Mekuli që këtu shkroi zërat që lidhen me shqiptarët për projektin e Enciklopedisë së Jugosllavisë…

6.
Nuk pret njeriu vetëm në kufirin Kosovë-Serbi dhe Serbi-Kroaci. Njeriu pret edhe në kufirin Kroaci-Slloveni, pak kilometra pas Zagrebit. Policët serbë duan t’i terrorizojnë shqiptarët për t’iu treguar se «Kosova nuk është shtet», policët kroatë duan t’u tregojnë serbëve se «Kroacia tash është në BE dhe këtu ka rend», ndërsa policët sllovenë duan t’u tregojnë kroatëve: «Ne jemi anëtar të Zonës së Schengenit, ju nuk jeni, andaj duhet të kontrollojmë me kujdes në kufi». Për t’i shpëtuar pritjeve të gjata në kufirin kroato-slloven duhet kaluar fushave dhe arave nëpër Zagorje, atje nga vendlindja e despotit jugosllav Josip Broz Titos. Pas pikëkalimit kufitar Harmica, afër lumit Sutla, jo larg centralit bërthamor Kërshko, në një pikë karburanti njeriu e kupton se gjendet tamam në Europë: udhëtarët i përshëndet një lopë prej plastike.

7.
Të pish espresso në një pikë karburanti të autostradës italiane apo në Kështjellën Duino? Vendimi nuk qe i vështirë. Këtu poeti Rainer Maria Rilke filloi t’i shkruajë «Elegjitë e Duinos» (Duineser Elegien). Rilke shkruan për jetën e vdekjen, vuajtjen dhe dashurinë. Pra, për katër temat që herët apo vonë e godasin çdo njeri. Ka kritikë letrarë gjermanë që thonë se «Elegjitë e Duinos» në thelb janë të pakuptueshme, ndoshta as nuk duhet të kuptohen tamam. Vetëm duke i lexuar me zë të lartë ose duke i dëgjuar të lexuara nga aktorët gjermanë, shkronjat e elegjive bëhen të gjalla. Në anën e kështjellës me pamje nga deti gjendet ballkoni ku Rilke i shkroi «Elegjitë e Duinos». Në të majtë shihet Triesta, qyteti ku lindi aktori shqiptar Aleksandër Mojsiu, ku një rrugë bart emrin e inxhinierit austriak të urave Karl Gega (me origjinë shqiptare) dhe ku jetoi autori irlandez James Joyce. Rilke shkruan: «Kur këlthas, athua kush më dëgjon nga Rendi i Engjëjve?» «Sepse e bukura nuk është asgjë tjetër përveç se fillim i të tmerrshmes, të cilën e durojmë disi. Dhe e adhurojmë, sepse ajo e urren të na shkatërrojë».

8.
Në Italinë veriore, rrugës për në Zvicër, dielli fillon të mbulohet nga retë. Është verë, por gushti është e diela e verës, vjeshta është në prag. Për vjeshtën Rainer Maria Rilke ka shkruar një poezi madhështore. Gjejeni dhe lexojeni!