Udhëtim në Plovdiv. Rruga e kryqtarëve

Heiner Müller.



Marica. Këtu gratë e Trakisë
E shqyen Orfeun me plug.
Lumit teposhtë lundronte një kafkë duke kënduar. Lumi
S’ka më ujë. Edhe lumenjtë vdesin.
Mbi kodrat e varreve trake tri varre
Me yllin e kuq. Komunizmi:
Çlirimtar i të gjallëve dhe të vdekurve.
Plovdiv. Trimontium. Filipopolis.
Në tri kodra tre mijëvjeçarë.
Historia: kufomë e uritur. E djeshmja
Që me dashurinë e vampirit kapet për të nesërmen.
(Kush ishte Orfeu. Në këngën e tij
S’kishte vend për plug). Leka i Madh,
I biri i Filipit, të cilin në Pllovdiv nuk e njeh asnjë rrugë
Nuk arriti ta zgjidhë Nyjën Gordiane.
Ta presë mundet secili që s’ka mësuar asgjë.
Lum ai popull që i varros të vdekurit e tij
I ftohtë ndaj përqafimit nga varret.
Lavdi heronjve. Asnjë lot për pluhurin.

Nga gjermanishtja:
Enver ROBELLI