Turqit që i largohen persekutimit gjejnë strehë në Afrikën e Jugut

Regjimi turk përdor çdo mjet që ka në dorë për të bindur qeveritë të dëbojnë «gylenistët» e dyshuar, por kjo qasje nuk ka rezultuar e suksesshme në Afrikën e Jugut ku janë strehuar me dhjetëra njerëz.

Turkmen Terzi dhe Kenan Fazlioglu.

Që kur ai që ngjante si një grusht shteti i ekzekutuar keq nuk arriti të rrëzojë nga pushteti presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan më 15 korrik 2016, autoritetet në Ankara kanë ndërmarrë një fushatë masive arrestimesh me pak precedentë në botë. Këto arrestime kryesisht synojnë ndjekësit e dijetarit islamik në mërgim Fethullah Gylen, mësimet e të cilit kanë frymëzuar një lëvizje shoqërore transnacionale, të njohur si Hizmet, e cila kishte një ndikim të madh në jetën publik para tentativës për grusht shteti.

Dikur një aleat i afërt i Erdoganit në kërkimin e tij për të krijuar një lëvizje të fuqishme politike islamike në Turqinë laike, Gyleni u nda me presidentin pasi denoncoi korrupsionin dhe autoritarizmin e qeverisë së tij. Që atëherë, Erdogani e ka akuzuar Gylenin për krijimin e një shteti paralel duke vendosur ndjekësit e tij në sistemin gjyqësor dhe në institucionet e tjera publike. Menjëherë pas grushtit të shtetit, presidenti e akuzoi klerikun që tashmë ndodhet në Shtetet e Bashkuara se ishte ai që fshihej pas këtij komploti, gjë të cilën Gyleni e ka mohuar kategorikisht.

Ministri i Brendshëm i Turqisë thotë se agjencitë e sigurisë kanë burgosur gjysmë milioni gylenistë të dyshuar që nga grushti i shtetit. Por persekutimi i Ankarasë ndaj atyre që akuzohen për komplotimin e rrëzimit të dhunshëm nga pushteti të Erdoganit nuk ka ndalur vetëm brenda kufijve të vendit. Turqia i ka kërkuar gjithashtu SHBA-së të ekstradojnë Gylenin dhe i ka bërë kërkesa të ngjashme qeverive në të gjithë botën, që të kthejnë në vendin e tyre anëtarët e Hizmetit. Presioni ka qenë më intensiv në rajonin e Ballkanit, i cili dikur qeverisej nga Perandoria Osmane të cilën Erdogani e nderon.

Por krahu i gjatë i makinerisë së shtetit turk gjithashtu arrin toka edhe më të largëta. Afrika e Jugut është demokracia më e fuqishme në Afrikë dhe sistemi i saj i pavarur i drejtësisë nuk manipulohet lehtësisht nga qeveritë e huaja. Ajo është gjithashtu një nga vendet në të cilin qytetarët turq mund të hyjnë pa pasur nevojë për vizë. Kjo e ka bërë Afrikën e Jugut një destinacion të preferuar për shumë gylenistë që iknin nga Turqia për të shmangur arrestimin. Shoqata e të Drejtave Universale të Njeriut, një organizatë e të drejtave të njeriut e afërt me Hizmetin, thotë se rreth treqind turq kanë ardhur në Afrikën e Jugut gjatë tre viteve të fundit.

Rreth dy të tretat e tyre kanë kërkuar strehim në Europë ose Amerikë, ndërsa rreth 100 prej tyre e kanë bërë Afrikën e Jugut shtëpinë e tyre të përkohshme. Xhamia Nizamiye, pranë autostradës nga Johannesburgu në Pretoria, është një pikë takimi popullore për gylenistët në Afrikën e Jugut. E inauguruar në vitin 2012, ajo është xhamia më e madhe në Afrikën e nën-Saharës dhe është financuar nga Ali Katircioglu, një manjat ndërtimi dhe një ndjekës i Gylenit. Ai zgjodhi Afrikën e Jugut pasi autoritetet amerikane refuzuan ta lejonin të ndërtonte një kopje të xhamisë Selim në ish-kryeqytetin osman të Edrenesë atje.

Xhamia Nizamiye është e rrethuar nga një shkollë, një klinikë dhe një hapësirë tregtare me dyqane dhe restorante turke, ku të mërguarit pinë çaj të kuq dhe planifikojnë jetët e tyre të reja. Njeriu më i famshëm në mërgim është gazetari dhe filozofi Turkmen Terzi i cili erdhi në Afrikën e Jugut në vitin 2009, pasi u dërgua në Indi dhe Sri Lanka si korrespondent për agjencinë e lajmeve Cihan të lidhur me Hizmetin. Terzi humbi vendin e punës në vitin 2016 kur Erdogan mbylli Cihanin dhe gazetën Zaman, të cilën Ankara e konsideronte pjesë e «FETO»-s së Gylenit ose «Organizatës Terroriste Fethullah». Artikujt e Terzit në gazetat e Afrikës së Jugut, ku denoncon abuzimet e të drejtave të njeriut në vendin e tij, janë sulmuar ashpër nga ambasada turke.

Pak pas grushtit të shtetit, ambasadori tha për radion publike të Afrikës së Jugut se Terzi ishte pjesë e një organizate terroriste dhe kishte gjak në duart e tij. Ai rrezikon të arrestohet, nëse kthehet në vendin e tij. Ai gjithashtu druhet të udhëtojë në vende të tjera afrikane, pasi mund të arrestohet atje dhe të dëbohet në Turqi. Autoritetet turke kanë qenë më të suksesshme në lobimin e disa qeverive në Afrikë për të vepruar kundër gylenistëve në territoret e tyre. Kjo vlen sidomos për shtetet më të varfra në kontinent. Guinea, Somalia, Sudani, Kongo, Mali, Mauritania, Nigeri, Tunizia, Senegali dhe Çadi kanë konfiskuar të gjitha shkollat e lidhura me Hizmetin, edhe pse ato kanë ofruar arsim falas për dhjetëra mijëra fëmijë.

Disa nga këto shkolla janë mbyllur. Të tjera i janë dorëzuar Fondacionit Maarif, një institucion i krijuar nga qeveria turke që po merr përsipër shkollat e mbyllura gyleniste. Gaboni dhe Sudani kanë dorëzuar në Turqi shtetas turq që kanë pasur lidhje me Hizmetin. Ekspertët thonë se Erdogan ka përdorur ndikimin e tij në botën myslimane dhe premtimet për investime shumë të nevojshme, për të bindur qeveritë që të arrestojnë dhe dëbojnë ata që ai i etiketon si terroristë.

Duke folur për komunitetin mysliman lokal gjatë vizitës së tij në korrik 2018 në Afrikën e Jugut, ku mori pjesë në Samitin e BRICS, Erdogani e krahasoi atë që ai e quan FETO me Daesh-in, Al Qaeda dhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK. Ai i bëri thirrje myslimanëve të Afrikës së Jugut të jenë «vigjilentë» rreth gylenistëve. «Ne jemi të vetëdijshëm se FETO po përpiqet të bëjë për vete myslimanët në Afrikën e Jugut, sidomos nëpërmjet institucioneve arsimore», tha ai duke akuzuar Hizmetin se po përdor «nisma si arsimi, bamirësia dhe dialogu për të depërtuar» shtetin turk «për 40 vjet».

Ndryshe nga qeveritë e brishta në Somali, Gabon apo Sudan, Afrika e Jugut nuk i është nënshtruar presionit të Turqisë dhe mbetet një strehë për të mërguarit turq. Përndjekja në Afrikën e Jugut kufizohet në një bojkotim të imponuar nga ambasadat dhe konsullatat turke, një shqetësim i vogël kur krahasohet me rreziqet me të cilat ata përballen në vendet e tjera afrikane.

Por vazhdon të jetë ende një dhimbje koke. Disa të mërguar turq thanë për Balkan Insight se ambasada refuzon t’u ofrojë atyre ndonjë shërbim, duke filluar nga rinovimi i pasaportave të tyre. Personat pasaportat e të cilëve kanë skaduar nuk mund të udhëtojnë jashtë Afrikës së Jugut. Për shkak të pikëpamjeve moderne politike dhe pozicioneve me ndikim që anëtarët e tij e kanë zënë në shoqëri, Hizmet ndonjëherë krahasohet me Opus Dei, lëvizjen konservatore katolike që përkrah përfshirjen e thellë në vendin e punës dhe shoqëri.

Ndër anëtarët e saj në Afrikën e Jugut janë avokatë, mësues, profesorë, biznesmenë të suksesshëm dhe studentë të rinj premtues. Shumicës prej tyre u është dashur të fillojnë një jetë të re nga e para, në një gjuhë që ata nuk e dinë dhe në një vend larg shtëpisë së tyre. Ata kanë lënë pas familjet, paratë, pronat dhe kujtimet e dhimbshme. Huseyin Ozdemir, 34 vjeç, është një biznesmen i cili ka qenë i përfshirë me lëvizjen Hizmet që kur ishte 17 vjeç.

Ai kontribuoi rregullisht në lëvizje me donacione dhe u largua nga Turqia pasi autoritetet konfiskuan hotelin që ai kishte në pronësi një javë pas grushtit të shtetit, duke pretenduar se kompania e tij sponsorizonte një organizatë terroriste. Që atëherë qeveria i ka mbyllur të gjitha bizneset e tij në Truqi. Ai tani drejton një restorant pranë xhamisë. Fëmijët e tij kanë mbetur në Turqi me ish-gruan e tij, e cila mbështet Partinë qeverisëse Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, të Erdoganit. Përndjekja e Erdoganit për gylenistët nuk kufizohet vetëm tek ata që dyshohet se janë përfshirë në përpjekjen e grushtit të shtetit.

«Ne persekutohemi për atë që mendojmë, jo për atë që bëjmë», tha për BIRN një profesionist i ri që ka gjetur strehim në Johanesburg. Ai dhe të tjerët thonë se thjesht se kanë anëtarë të familjes në Hizmet, apo se përdorin Bylock, një aplikacion komunikimi për smartfonë tepër i përhapur mes gylenistëve, ose se kanë një llogari në Bankën e Azisë të lidhur me Hizmetin, mund të përfundosh në burg. Një student për drejtësi i cili është biri i një anëtari të shquar të Hizmetit u arrestua në vitin 2017 se përdorte Bylock dhe merrte para nga prindërit e tij nëpërmjet Bankës së Azisë. Pas 11 muajsh burg, ai u largua nga Turqia dhe u vendos në Afrikën e Jugut. Që atëherë ai ka mësuar se gjykatat turke e kanë dënuar atë me shtatë vjet burg për terrorizëm. Biznesmeni gylenist Nevi Gozur thotë se ai është denoncuar si terrorist për punën bamirëse që familja e tij bën me Hizmetin në mërgim.

«Ata thonë se edhe gruaja ime është një terroriste, sepse i jep ushqim të varfërve, por ne nuk do të heqim dorë nga jetesa sipas vlerave tona», tha ai. Ai u dësh të shiste pronat e tij në Turqi për t’i shpëtuar arrestimit dhe për të mbledhur paratë për të filluar një jetë të re në Afrikën e Jugut. Një tjetër i mërguar në listën e zezë në Johanesburg është ish-avokati Kenan Fazlioglu, gruaja e të cilit është vajza e mbesës së Gylenit. Ai mbërriti në Afrikën e Jugut me familjen e tij pas ndalimeve të shkurtra në Marok, Ugandë dhe Egjipt, ku druheshin se mund të ekstradoheshin. Fazlioglu u desh t’i jepte fund karrierës së tij të suksesshme në drejtësi dhe tani po studion anglisht, duke u përpjekur të përshtatet në atdheun e tij të ri.