«Turqit po e pushtojnë Gjermaninë si kosovarët Kosovën: me natalitet më të lartë»: Socialdemokratët gjermanë duan të përjashtojnë nga partia ish-funksionarin Thilo Sarrazin

Thilo Sarrazin.



Ka disa vite që Thilo Sarrazin tërheq vëmendjen e opinionit gjerman me akuza të ashpra kundër të huajve në Gjermani. Sarrazin është anëtar i Partisë Socialdemokrate (SPD), e cila tradicionalisht angazhohet për të drejtat e emigrantëve dhe integrimin e tyre. Qëndrimet e tij nuk përputhen me ato të partisë. Me intevistat e tij skandaloze, librat kritikë mbi të huajt, sidomos ata që vijnë nga Turqia dhe bota arabe, Sarrazin është bërë yll i qarqeve të djathta jo vetëm në Gjermani.

Aktualisht SPD po përpiqet për herë të tretë ta përjashtojë nga partia provokatorin e madh. Vendimin për largimin e tij tani e ka marrë një seksion i SPD-së në Berlin, ku Sarrazin është anëtar. 74-vjeçari është qe 45 vjet anëtar i SPD-së. Përpjekja e fundit për përzënien e tij nga partia filloi pasi Sarrazin botoi një libër mjaft kritik ndaj islamit. Avokati i Sarrazin ka paralajmëruar se klienti i tij do të kundërshtojë vendimin në të gjitha instancat.

Për herë të parë SPD tentoi pa sukses ta përjashtojë nga partia Sarrazinin në vitin 2010. Atëbotë ai i dha një intervistë revistës «Lettre International», ku mes tjerash thoshte: «Turqit po e pushtojnë Gjermaninë si kosovarët Kosovën: me natalitet më të lartë». Kjo deklaratë e tij është historikisht e paqëndrueshme, por Sarrazin nuk i shikon aq faktet. Përpjekja e dytë për largimin e tij nga SPD përfundoi me një dakordim të dyanshëm. Sarrazin premtoi se nuk do t’i diskriminojë më emigrantët dhe nuk do t’i shkelë parimet socialdemokrate. Atëbotë shkas për nisjen e procedurës për përjashtim nga partia ishte libri i Sarrazin me titullin: «Deutschland schafft sich ab» (Gjermania po e shpërben veten).

Sarrazin ka qenë senator për financa i Berlinit dhe anëtar i bordit të Bundesbankës, bankës kombëtare gjermane. Ai është tepër kritik sidomos ndaj komunitetit turk në Gjermani, i cili, sipas tij, nuk është i gatshëm të integrohet. «Unë nuk duhet ta pranojë askënd, i cili jeton nga ky shtet, e refuzon këtë shtet, nuk kujdeset si duhet për arsimimin e fëmijëve të tij dhe vazhdimisht prodhon vajza me shamia», ka deklaruar Sarrazin. Ai po ashtu ka thënë: «Një numër i madh i arabëve dhe turqve në këtë qytet (mendohet për Berlinin) nuk ka funksion produktiv, përveçse ndoshta në tregtinë me pemë e perime, dhe me gjasë as nuk do të zhvillojë një perspektivë». Në librin «Feindliche Übernahme» (që afërsisht domethënë «Kapja armiqësore») Sarrazin shkruan: «Shpesh edhe vajzat tetëvjeçare (myslimane) në shkollë e dinë se cilin kushëri do ta martojnë dikur». Sipas Sarrazin në Gjermani ekziston problemi se 40 për qind e të gjitha lindjeve ndodhin në shtresën e ulët, e cila nuk arrin t’i përkasë elitës që kontribuon për shoqërinë. Ai supozon se në vitin 2050 në Gjermani 40 për qind e lindjeve do t’i përkasin myslimanëve. Nga kjo Sarrazin nxjerr përfundimin se dalëngadalë myslimanët do të «pushtojnë» Gjermaninë.