Truri me ve

Foto: Shutterstock



Besoj shumë prej jush tashmë e keni vënë re një fenomen mjaft interesant: njerëz me emër, të nderuar, me vepra tashmë të provuara, integritet të lartë moral, nëpër shfaqjet e tyre të rralla publike, para se të përgjigjen në pyetjet që lidhen drejtpërdrejt me politikën, medoemos e theksojnë se nuk janë analistë politikë, dhe se flasin ekskluzivisht si qytetarë dhe vetëm në emër të tyre.

Paçka se jo shumë kohë më parë, puna e analisti/opinionistit cilësohej serioze dhe e çmuar. Për më tepër ajo nënkuptonte qëndrim argumentues, mendim të guximshëm dhe kritikë të përgjegjshme ndaj shtetit ku jeton apo individit të angazhuar në forma të ndryshme në jetën publike, që nga politika e deri te sporti.

Pse ndodh kjo? Sepse këto kokat e guximshme nuk dëshirojnë të identifikohen me një grumbull individësh që shëtisin prej studios në studio apo që fotografia e tyre mund të gjinden nëpër faqet e tabloid(iota)ve të kësaj shoqërie me karakteristika identike, duke e paraqitur veten si persona që me zë të lartë bëjnë analiza politiko-sociale. Aman!

Pavarësisht se cila është tema: një plan për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, standard «më i mirë» për popullsinë, fabrika të reja, investitorë të huaj që ngarendin si milingona të verdha, autostrada më të shpejta, më të mira (dhe më të gjata) se kudo në Europë – dhe deri te ekipi i futbollit, ata nuk dëshirojnë të hyjnë në mesin e individëve gjysmë të lexueshëm të cilët nuk munden asnjë mendim të vetëm ta fillojnë pa «mmmm» apo «mendoj» apo «po shiqoni» e argumente të ngjashme, të cilat fillojnë e mbarojnë me thurje odash pushtetit aktual dhe personifikimit të tij.

Për të qenë plotësisht e sinqertë, ata nuk janë të kënaqur as me mendimet e disave të cilët mbahen për të pavarur, të lirë, politikisht të papërcaktuar, të cilat i përcjellin në media. Po flas për ata të rrallët. Për ata që të cilët nuk zgjedhin fjalët për ta goditur dhe vënë në pah secilën lëvizje të pushtetit si dhe për ata që nuk kujdesen se mos po e teprojnë me opozitën, duke llogaritur si Scarlet O Hara se «nesër është ditë e re» dhe se nuk duhet zemëruar shumë me ata që në një të nesërme, kurdo që të jetë ajo, do të jenë të rëndësishëm.

A do të thotë kjo se atyre asnjë prej analistëve/opinistëve nuk iu shkon për shtati? Larg qoftë! Ka prej atyre të cilët i çmojnë dhe ua plotësojnë kriteret, e të cilët janë të barabartë me recetën më të mirë për tru me ve, pra në një baraspeshim i përsosur: asgjë e tepruar, asgjë e pakët. Edhe kurajë edhe mençuri. Mjaftueshëm tru, por edhe ve.