Tronditja nga PISA: ky është çmimi i diletantizmit

Foto: Shutterstock



Rezultatet e publikuara të PISA janë tronditëse. Nuk ka krim më të madh se sa të sabotohet sistemi arsimor, sepse kështu sabotohet e ardhmja e fëmijëve, e ardhmja e vendit. 20 vjet liri e 12 vjet shtetësi nuk na kanë mjaftuar ta kuptojmë këtë fakt të thjeshtë. Sistemi arsimor është keqpërdorur si mekanizëm për zgjidhjen e problemeve sociale, duke hapur shkolla e universitete pa kriter e duke punësuar e promovuar diletantë në pozita kyçe të politikbërjes e mësimdhënies. Rezultati na u prezantua tani: në epokën e revolucionit digjital, fëmijët e Kosovës nuk dinë të lexojnë e të llogarisin. Çfarë duhet bërë?

Kosova investon në arsim rreth 3,9 për qind të BPV-së dhe mbetet larg nga mesatarja prej 6 për qind e BE-së, 7,3 për qind e ShBA e 6,3 për qind e OECD-së. Ky hendek investues bëhet edhe më i madh nëse merren parasysh dallimi real i BPV-së dhe struktura e re demografike e Kosovës. Zhvillimi afatgjatë i kësaj shoqërie mund të bëhet vetëm me investime serioze e përmbajtësore në arsim dhe duke depolitizuar sistemin arsimor.

Cilët hapa duhen ndërmarrë? Qeveria e Kosovës në ardhje duhet ta riorganizojë rrënjësisht sistemin arsimor, që nga ai parashkollor, duke modernizuar e thjeshtëzuar planprogramet mësimore dhe duke këmbëngulur në rritjen e cilësisë së mësimdhënësve. Mësimdhënësit kanë para së gjithash përgjegjësi morale për të ofruar vlerë të shtuar në raport me pagat jo të vogla, që i marrin nga qytetarët e këtij vendi.

Rritja e llojllojshmërisë së arsimimit nëpërmjet kombinimit të trajnimit teorik në shkolla profesionale me trajnimin praktik në kompanitë private është një imperativ tjetër për të nxitur llojshmërinë e fuqisë punëtore dhe për të garantuar zhvillimin e aftësive në fusha të ndryshme të ekonomisë. Jemi mbushur me ekonomistë, menaxherë, juristë e politologë me diploma, por nuk kemi elektricistë, saldues, instalues uji apo automekanikë të hairit. Prandaj, në nivelin e mesëm duhet aplikuar urgjentisht sistemin e dyfishtë (dual) të arsimimit respektivisht përgatitjes profesioanle të ngjashëm me sistemet në Austri, Gjermani dhe Zvicër. Në këtë mënyrë do të mundësohet krijimi i një fuqie punëtore më të shumëllojshme, më efektive dhe fare më pranë nevojave të tregut.

Investimet në infrastrukturën arsimore fizike, si në laboratorë të teknologjisë informative, fizikës, kimisë, biologjisë etj., duhet të shumëfishohen, që të mundësohet zhvillimi i aftësive praktike dhe rritja e kompetencës në fushat deficitare. Për një riorientim të suksesshëm dhe ndërmjetësim të papunëve në ekonomi, qeveria e Kosovës duhet t’i rrisë investimet dhe subvencionet edhe për shkollat profesionale si dhe të vendosë mekanizma që nxisin pjesëmarrjen e nxënësve në to.

Cila është alternativa? Alternativa është të vazhdojmë të prodhojmë punëtorë fizikë për tregjet e Europës Perëndimore, për të cilët në epokën e inteligjencës artificiale do të ketë çdo herë e më pak nevojë.