Thaçi u uron fat futbollistëve të Kosovës, tash e quan përfaqësuese

Kreu i shtetit Hashim Thaçi u ka uruar fitore futbollistëve të Kosovës që sonte ndeshen kundër atyre të Ishujve Faroe.




Thaçi, që u komentua kur më parë iu referua si «kombëtare» përzgjedhjes së futbollistëve që prezantojnë shtetin më të ri të Evropës, tash i ka thënë asaj «përfaqësuese».

«I uroj fitore përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen kundër Ishujve Faroe, që njëherësh do të jetë përballja e parë zyrtare ndërkombëtare pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, ku djemtë tanë do t’i mbajnë simbolet shtetërore në fanellat e tyre dhe do të intonohet himni i Kosovës», ka thënë Thaçi, përcjell Koha.net. «Jam i bindur se bashkëatdhetarët tanë të panumërt në Frankfurt do të jenë sonte lojtari i dymbëdhjetë i përfaqësueses sonë», ka thënë më tej ai.

Ndeshja Kosovë – Ishujt Faroe luhet sonte në Frankufurt, në orën 20:00.