Thaçi: S’ka tërheqje të nënshkrimit, opozita është e verbër

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj veprimeve të sotme të bëra nga opozita në Kuvendin e Kosovës.




Ai thotë se është i zhgënjyer nga veprimet e opozitës dhe «se nga sulmet e tyre kanë pësuar edhe ata që ia kanë kushtuar jetën idesë për Kosovën e lirë».

Thaçi ka përshëndetur edhe qëndrimin e deputetëve të pozitës dhe ka thënë se ndihet mirë që edhe faktori ndërkombëtar nuk po i përkrah veprimet e opozitës.

«Opozita nuk është duke cenuar vetëm demokracinë në Kosovë por tani ka filluar të cenojë edhe integritetin personal, dinjitetin e madje edhe vet shëndetin e deputetëve të Kosovës. E duke sulmuar deputetë, duke penguar punën e Kuvendit, opozita po vepron drejtpërdrejt edhe kundër vet themeleve të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Prandaj, jam i zhgënjyer. Ndihem më lehtë vetëm kur shoh që kjo sjellje e papranueshme është duke u dënuar nga të gjithë në Kosovë, duke e lënë opozitën të vetmuar në verbësinë e saj. I përgëzoj deputetët nga partia ime si edhe ata nga koalicioni qeverisës, si edhe Kryesinë e Kuvendit, që vazhdimisht po tregohen të matur, të kujdesshëm, me dinjitet, dhe po i kthejnë shpinën provokimeve dhe dhunës të cilës po i nënshtrohen në institucionin më të lartë politik të shtetit tonë», ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai në fund ka shkruar se qeveria nuk do ta tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet dhe se data e zgjedhjeve të ardhshme nuk do të ndryshojë.

«Nuk do të ketë zgjerim të koalicionit, zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2018, nuk do të ketë tërheqje të nënshkrimit nga marrëveshjet dhe do të jemi edhe më të vendosur për të punuar për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO dhe për të ruajtur miqësinë e përhershme me SHBA-në. Asnjë presion, shantazh apo dhunë nga kushdoqoftë, nuk do të ndalë konsolidimin e shtetit të Kosovës», ka shkruar ai.