Të pamposhtura në luftë, të mohuara në paqe

Kur viteve të fundit po zhvillohej luftë në Lindjen e Mesme, mediat raportonin për gra të bukura në ushtrinë kurde. Bota u magjeps me to, madje kjo magjepsje përfshiu edhe opinionin tonë. A e ka pyetur ndokush veten në këto viset tona për fatin e heroinave tona? Heroinë nuk është vetëm ajo me pushkë në dorë, heroinë është edhe ajo që pagoi çmimin e lirisë me përdhunim, poshtërim, vrasje, përndjekje, burgosje. Bota jonë patriarkale këtyre grave ua shpërbleu vuajtjet me mbyllje të dyerve dhe stigmatizim.

Foto: Shutterstock



Ngaherë është konstatuar se dhuna seksuale, qoftë ajo e ushtruar gjatë luftës ose jo, është veprim që nuk përfundon me vetë kryerjen e krimit. Në mjediset patriarkale, çfarë fatkeqësisht jemi edhe ne, ajo vazhdon edhe në familje, bashkësi lokale e edhe fqinjësi. Një grua që është viktimë e dhunës seksuale në shoqëritë patriarkale perceptohet si fajtore dhe në momentin që ajo vendos të flas për përvojat e saj, stigmatizohet përgjithmonë.

Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, përveç betejës kundër «fajit» që atyre u ngarkohet paturpësisht nga rrethi, përballen edhe me vështirësi të natyrave nga më të ndryshme. Mbijetesa për to është e vështirë, sepse fatkeqësisht shoqëria jonë dhe ky shtet i yni i brishtë ka dështuar t’u ofrojë atë që është qenësore për to: ndalimin e stigmatizimit në emër të «nderit».

Kur viteve të fundit po zhvillohej luftë në Lindjen e Mesme, mediat raportonin për gra të bukura në ushtrinë kurde. Bota u magjeps me to, madje kjo magjepsje përfshiu edhe opinionin tonë. A e ka pyetur ndokush veten në këto viset tona për fatin e heroinave tona? Heroinë nuk është vetëm ajo me pushkë në dorë, heroinë është edhe ajo që pagoi çmimin e lirisë me përdhunim, poshtërim, vrasje, përndjekje, burgosje. Bota jonë patriarkale këtyre grave ua shpërbleu vuajtjet me mbyllje të dyerve dhe stigmatizim.

Një zonjë, në kuptimin e plotë të fjalës, kohë më parë bëri publik rrëfimin e saj si viktimë e dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Vasfije Krasniqi rrëzoi tabutë dhe foli hapur për vuajtjet që i ishin shkaktuar. Ajo vendosi të tregojë për dhimbjet e saj pa mbulim të fytyrës dhe pa kodim të zërit, dhe nëse mendoni se Vasfije Krasniqi e kishte të lehtë – gaboheni rëndë, por në gjithë këtë ajo pati mbështetje të pashoqe. Atë e mbështeti familja, bashkëshorti dhe fëmijët. Për shoqëritë e hapura e demokratike kjo është më se normale. Kështu duhet të sillet edhe shoqëria kosovare ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Pasi Vasfije Krasniqi foli për tmerret nëpër të cilat kishte kaluar, kush e kush më parë ngutej ta shpallte heroinë. E quajtën edhe burrneshë. Thua se heroizmi i takon vetëm gjinisë mashkullore.

Vasfije Krasniqi foli sepse nuk ka bashkëshort që e konsideron «për gjynah» dhe për «sevap» e mbanë në shtëpi përderisa në çdo përplasje sado të vogël ia kujton përjetimin e hidhur «hajt se veç unë t’kom majt». Vasfije Krasniqi foli sepse nuk ka fëmijë që me dëgjimin e një rrëfimi të tillë i thotë: «Nanë shyqyr që nuk t’ka ndodh ty se unë kisha bo vetëvrasje». Ajo foli sepse në familje të saj nuk u konsiderua asnjë herë njollë turpi.

Vasfije Krasniqi foli dhe me zërin e saj të fuqishëm dhe na nxori të gjithëve para pasqyrës publike, ku pamë veten – të skuqur. Ajo na tregoi se si shoqëri kemi dështuar t’i mbrojmë viktimat, të kërkojmë drejtësi për to dhe të luftojmë për vend të denjë në shoqëri. Ajo për më tepër na e bëri të ditur se krejt çka kemi bërë përmblidhet në të vrapuarit pas interesave personale dhe pas pushtetit. Na e bëri të ditur se kriter për heroizëm deri më tani e kemi konsideruar vetëm atë që ka bartur pushkë, madje si shoqëri i kemi mbyllur sytë dhe kemi toleruar që të gëzojnë privilegje të pamerituara edhe mashtruesit e luftës dhe të pasluftës.

Vuajtjet e grave u bënë temë publike falë kurajës së Vasfije Krasniqit. Ata duhet të ndihmohen e përkrahen nga shteti jo duke i trajtuar si të gjora që po kërkojnë lëmoshë. Por si viktima që janë pjesë e pandashme e tragjedisë sonë në fund të viteve ’90.

Zëri i Vasfije Krasniqit bie si kambanë alarmi. Kambanë që thyen heshtjen 20-vjeçare. Kambanë për veshët e shurdhër të atyre që i prijnë këtij vendi. Kambanë që nuk bie për medalje e statuse shoqërore, por për t’i dhënë fund mohimit të vuajtjeve të shumë grave.

Është obligim i yni që ta dëgjojmë këtë kambanë. Është obligim i yni t’ju kthejmë dinjitetin, t’iu japim vendin e merituar në shoqëri dhe të luftojmë për drejtësi dhe ndëshkim të atyre akteve çnjerëzore. Është momenti i fundit për t’ia hapur sytë kësaj shoqërie dhe për ta ndaluar stigmatizimin. Është momenti i fundit për t’u përulur para qëndresës së këtyre grave.

Ardita M. Dushi është kandidate e doktoratës në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit.