Tallja me vullnetin e popullit është varrosje e demokracisë dhe demotivim i njerëzve për të qëndruar në Kosovë

Kushdo që synon të provokojë zgjedhje të reja parlamentare për shkak të ambicieve egoiste, duhet ta ketë parasysh se kjo do të ishte një tallje me vullnetin e popullit të shprehur qartë më 6 tetor. Për të organizuar zgjedhjet janë shpenzuar rreth 6 milionë euro. Në garën elektorale kanë marrë pjesë rreth 2 mijë kandidate e kandidatë. Në procesin elektoral janë angazhuar rreth 15 mijë komisionerë e mijëra vullnetarë. Kanë votuar rreth 800 mijë qytetarë. Kanë votuar dhjetëra-mijëra votues me banim jashtë vendit dhe njëkohësisht ata kanë motivuar familjet e tyre në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje. Gjithë ky proces ngjalli një entuziazëm të madh te shumica e njerëzve në Kosovë e diasporë. Kush luan me këtë vullnet qytetar, nuk duhet të befasohet nëse besimi qytetar në institucione, në politikë dhe në parti vazhdon të bie me shpejtësi marramendëse – me krejt konsekuencat e frikshme për Kosovën si shtet.

Foto: Hazir Reka



Më 6 tetor mbi 400 mijë votues në Kosovë shprehën qartë vullnetin për ndryshim të madh në qeverisjen e vendit. Sovrani u kujdes që Lëvizja Vetëvendosje të jetë partia e parë me vota, por epërsia e saj të mos jetë aq e madhe në mënyrë që VV të mos tregohet arrogante. Sovrani po ashtu u kujdes që Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e dytë, të ketë rol të rëndësishëm në Kuvend dhe në qeverinë e ardhshme. Mesazhi, dëshira (quane si të doni) nga mbi 400 mijë votues ishte krijimi i një qeverie mes këtyre dy partive. Nuk bëri punë propaganda se PDK-në e përkrahë «njeriu i Trumpit» (një propagandist me pagesë nga i cili u distancua edhe ambasada amerikane në Prishtinë), nuk bëri punë as shou popullist i Ramush Haradinajt, i cili duke e përmendur si sukses tarifën ndëshkuese ndaj Serbisë përpiqej të largonte vëmendjen e opinionit nga krejt skandalet e qeverisë së tij, ndër më të dobëtat në historinë e Kosovës, ku njerëz tmerrësisht të paaftë drejtonin edhe ministritë më të rëndësishme për sigurinë e vendit.

Zgjedhjet kanë përfunduar para dy muajsh. Rezultati final është certifikuar me vonesë të pashpjegueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Ka qenë LDK që thoshte se pa u certifikuar zgjedhjet nuk do të bënte hapa seriozë për themelimin e qeverisë. Një arsyetim ky arrogant, sepse si para, si pas certifikimit ka qenë e qartë se LDK negociatat do t’i zhvillojë fillimisht me VV-në. (Mund të ketë të tillë në LDK që ëndërrojnë t’i dështojnë negociatat për koalicion me VV-në, që pastaj presidenti i Kosovës t’ia japë mandatin LDK-së për themelimin e qeverisë – e aty në lojë futen pastaj menjëherë Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli dhe figura të tilla të diskredituara jo vetëm politikisht, të cilat në Kuvend, fatkeqësisht, i futi KQZ).

Tani negociatat mes VV-së dhe LDK-së për qeverinë e re kanë ngecur për shkak të ndarjes së posteve. Të dy partitë thonë se për programin qeverisës janë marrë vesh. Po ashtu edhe për madhësinë e kabinetit. Nëse është kështu, atëherë postet qenkan më të rëndësishme se sa programi. Në një vend me parti të përgjegjshme programi do të ishte më i rëndësishëm, sepse qeveria do të punonte bashkë dhe me mirëbesim për realizimin e tij.

Nëse nuk arrihet ky koalicion, zgjedhjet e reja parlamentare do të jenë të pashmangshme – sepse jo vetëm që VV nuk do të lejojë të përjashtohet nga qeveria e vendit, por as shtetet e fuqishme perëndimore nuk janë të gatshme të pranojnë më koalicione për vjedhjen e Kosovës. (Që ketë e kanë toleruar deri më tani shtetet perëndimore, është kapitull i errët në historinë e angazhimit të tyre në Kosovë, por përgjegjësia kryesore bie mbi trupin votues kosovar që ka toleruar qeveri të tilla siç i ka pasur Kosova deri më tani).

Kushdo që synon të provokojë zgjedhje të reja për shkak të ambicieve egoiste, duhet ta ketë parasysh se kjo do të ishte një tallje me vullnetin e popullit të shprehur qartë më 6 tetor. Disa shifra: për të organizuar zgjedhjet janë shpenzuar rreth 6 milionë euro. Janë para të taksapaguesve të Kosovës. Në garën elektorale kanë marrë pjesë rreth 2 mijë kandidate e kandidatë. Shpenzimet e partive – varësisht nga fuqia financiare – kalojnë disa miliona euro. Në procesin elektoral janë angazhuar rreth 15 mijë komisionerë e mijëra vullnetarë. Kanë votuar rreth 800 mijë qytetarë. Kanë votuar dhjetëra-mijëra votues me banim jashtë vendit dhe njëkohësisht ata kanë motivuar familjet e tyre në Kosovë që të marrin pjesë në garën demokratike. Gjithë ky proces ngjalli një entuziazëm të madh te shumica e njerëzve në Kosovë e diasporë. Kush luan me këtë vullnet qytetar, nuk duhet të befasohet nëse besimi qytetar në institucione, në politikë dhe në parti vazhdon të bie me shpejtësi marramendëse – me krejt konsekuencat e frikshme për Kosovën si shtet.