Tadeush Mazovjecki – një autoritet moral nga Polonia, që dokumentoi krimet serbe në Kosovë

Sot është ditëlindja e publicistit, disidentit dhe politikanit polak Tadeush Mazovjecki, i cili në vitin 1992 erdhi në Prishtinë për të mbledhur material mbi represionin serb në Kosovë. Mes dokumenteve që iu dorëzuan raportuesit të OKB-së për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi ishte edhe fotografia e një vajze nga Peja, të cilës policia serbe ia kishte këputur veshin gjatë një demonstrate, ku kërkohej kthimi në objektet shkollore. Në Prishtinë polaku takoi edhe disa bashkëkombëse që jetonin në Kosovë, të cilat po ashtu i raportuan mbi terrorin e Beogradit.

Për veprën e tij jetësore Tadeush Mazovjecki është nderuar me shumë mirënjohje ndërkombëtare, mes tyre me Kryqin e Meritave të Gjermanisë dhe me Medaljen Robert Schuman të partive konservatore në Parlamentin Europian. Kosova politike nuk e kujtoi e nderoi me asgjë - as në të gjallë, as në të vdekur.



Në numrin e së martës të 20 tetorit 1992 gazeta «Bujku» njoftonte se në sesionin e ’47 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Shqipëria ka kërkuar demilitarizimin e Kosovës, se kryeministri i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, ka arritur në një vizitë shumëditore në SHBA, ku do të takonte zyrtarë të Senatit dhe Kongresit dhe të administratës amerikane, se organizata daneze «Aksioni për paqe 92» kishte organizuar një tribunë për të shprehur shqetësim mbi gjendjen në Kosovë, se Organizata Ndërkombëtare e Gazetarëve në Pragë do të bëjë presion mbi Beogradin për hapjen e mediumeve shqipe. Raportohej po ashtu se në prag të sezonit dimëror në Prishtinë një metër dru kushton 16 mijë dinarë, por në depon e «Voqarit» «tash për tash» nuk ka dru, kurse një tonelatë thëngjill i lagur kushtonte 8820 dinarë. Një vend prominent në ballinën e «Bujkut» zinte deklarata e raportuesit të OKB-së për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, Tadeush Mazovjecki, mbi terrorin serb në Kosovë. Mazovjecki e dha këtë deklaratë në aeroportin e Beogradit pas një vizite në Kosovë.

Më datën 18 tetor 1992, në orën 03:19 të mëngjesit, agjencia zvicerane e lajmeve SDA raportonte se shqiptarët e Kosovës i kanë prezantuar Tadeush Mazovjeckit dëshmi për diskriminimin dhe shtypjen e bashkëkombësve të tyre nga autoritetet serbe. Në takimin e zhvilluar në Prishtinë, vazhdonte SDA, morën pjesë përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe të Komitetit të Helsinkit për Kosovë. «Në mesin e dokumenteve që iu dorëzuan Mazovjeckit ishte edhe një fotografi e një studenteje nga Peja, të cilës i ishte këputur një vesh. Sipas raporteve policia serbe ia kishte këputur veshin kësaj vajze, kur në fillim të javës e kishte shpërndarë me dhunë një demonstratë në Prishtinë, pjesëmarrësit e së cilës kërkonin rifillimin e mësimit në gjuhën shqipe».

Agjencia zvicerane e lajmeve citonte nënkryetarin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Aziz Abrashi, i cili ofroi të dhëna që dëshmonin se që nga viti 1990 mbi 103 mijë shqiptarë ishin dëbuar nga puna – ose 70 për qind e popullatës shqiptare të kyçur në procesin punues. Po ashtu, sipas Abrashit, 90 për qind e ekonomisë së Kosovës ishte futur nën administrim nga Serbia.

Tadeush Mazovjecki ishte publicist, disident antikomunist dhe politikan nga Polonia, i cili gëzonte një prestigj të madh në arenën ndërkombëtare. Ndoshta sot shumë shqiptarëve emri i tij nuk u thotë asgjë – dhe kjo është pjesë e amnezisë nga e cila vuan shoqëria në Kosovë. Pikërisht sot, në ditëlindjen e Tadeush Mazovjeckit, meriton të kujtohet edhe më shumë ky personalitet i shquar polak, që dokumentoi dhe denoncoi represionin serb dhe kështu dha kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Gazetarit veteran Zenun Çelaj, i cili në vitin 1992 ishte sekretar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i kujtohet mirë vizita e Mazovjeckit në Prishtinë më 1992. «Ne kishim mbledhur shumë dëshmi, të cilat ia prezantuam atij. Ftuam shumë viktima të dhunës që të raportonin, i dorëzuam edhe dokumente e kronika. Madje në Prishtinë ftuam edhe disa gra polake, të cilat jetonin në Kosovë. Ato e vunë në dijeni bashkëkombësin e tyre nga Polonia mbi diskriminimin e shqiptarëve nga forcat serbe», tregon Zenun Çelaj. «Mazovjecki u largua nga takimi duke na përshëndetur me dy gishta në formë të shkronjës ‘V’, atëbotë shenjë e rezistencës e Ibrahim Rugovës dhe e të gjithë shqiptarëve të Kosovës».

Tadeush Mazovjecki shkroi 18 raporte mbi terrorin serb në Bosnjë dhe Kosovë. Pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995 ai dha dorëheqje – i dëshpëruar me mungesën e gatishmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për të intervenuar kundër Serbisë dhe serbëve të Bosnjës. Në një intervistë dhënë shtojcës «Das Magazin» të gazetës zvicerane «Tages Anzeiger» në fund të tetorit 1995 Mazovjecki deklaronte: «Çështja qendrore është nëse Bosnja do të ekzistojë si shtet multinacional. Bosnja është pamatshëm e rëndësishme për të ardhmen e Europës. Për aq kohë sa ekzistojnë këto kundërthënie të përgjakshme nacionale në zemrën e Europës, ne jemi larg, shumë larg nga një unitet europian. Për të ardhmen e Europës Bosnja është një test».

Të kthehemi sërish te Kosova. Më datën 9 dhjetor 1993, në orën 22:01, agjencia zvicerane e lajmeve SDA njoftonte se sipas raportit të të deleguarit të OKB-së për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, Tadeush Mazovjecki, policia serbe në «provincën e Kosovës» po i torturon «sistematikisht» të burgosurit politikë. Raporti i Mazovjeckit u publikua në New York. Njëkohësisht SDA bënte të ditur se Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Butros Butros-Gali, ku e njoftonte se vetëm në vitin 1993 policia serbe kishte vrarë 15 shqiptarë etnikë, ndërsa shumë të tjerë ishin burgosur, ndonëse janë të pafajshëm.

Tadeush Mazovjecki u lind më 18 prill 1927 dhe vdiq më 28 tetor 2013. Mes këtyre dy datave Polonia kaloi nëpër kthesa të mëdha – mes pushtimit nazist dhe sundimit komunist. Juristi Mazovjecki që nga vitet ’50 i përkiste «Klubit të inteligjencës katolike». Më 1958 themeloi revistën mujore «Wiez». Në vitet ’80 drejtoi gazetën sindikale «Tygodnik Solidarnosc» dhe punoi si këshilltar i lëvizjes Solidarnoshq. Pas shtypjes së protestave kundër regjimit në vitin 1981 ai u internua si shumë disidentë të tjerë. Pas rrëzimit të regjimit komunist Mazovjecki më 1989 u zgjodh në postin e kryeministrit të parë jokomunist të Polonisë. Për veprën e tij jetësore Tadeush Mazovjecki është nderuar me shumë mirënjohje ndërkombëtare, mes tyre me Kryqin e Meritave të Gjermanisë dhe me Medaljen Robert Schuman të partive konservatore në Parlamentin Europian. Kosova politike nuk e kujtoi e nderoi me asgjë – as në të gjallë, as në të vdekur.