Tabiate me alltia në autostradat gjermane

Policia gjermane po ballafaqohet me një problem në rritje: turq, sirianë, shqiptarë e libanezë e kanë shndërruar në zakon që gjatë dasmave të bllokojnë autostradat me vetura të shtrenjta. Disa gjuajnë edhe me armë.




Javën që shkoi policia në Hamburg bllokoi një kolonë dasmorësh shqiptarë. Gjatë kontrollit zyrtarët gjetën bomba tymuese, gëzhoja fishekësh, marihuanë. Dëshmitarët e alaramuan policinë pasi kishin dëgjuar edhe të shtëna me armë. Zakonisht bëhet fjalë për revole pa fishekë, Schreckschusspistole në gjermanisht apo alarm pistol në anglisht. Ky tabiat me alltia është duke i shqetësuar autoritetet gjermane të sigurisë, por edhe politikën.

Shqiptarët janë më shumë imitues të kësaj mode primitive. Ata që nuk njohin pothuaj asnjë kufi gjatë dasmave të tyre janë turqit. Kolona me vetura të gjata, burra me kostume të shndritshme, gra të ngarkuara me kozmetikë pasi e «marrin nusen», ndalen në rrugë në qytete apo në autostrada, bllokojnë trafikun dhe ia nisin valles. Dalldia orientale plotësohet me të shtëna me armë. Spektakli fotografohet pandërprerë dhe pastaj gjithçka dokumentohet në mediat sociale. Para disa muajsh një veturë ishte sjellë aq gjatë dhe aq shpejt në qark, saqë nga tymi i gomave ishte aktivizuar alarmi i zjarrit në tunel.

Skenat e bllokimit të rrugëve janë shndërruar në përditshmëri në qytete si Berlini, Kölni, Duisburgu dhe Esseni, ku jeton një komunitet i madh i turqve. Policia në landin Nordrhein-Westfalen njoftoi së fundi se nga prilli ka intervenuar gati 300 herë për shkak se dasmorët e kishin humbur kontrollin gjatë kremtimit. 120 herë policia ka ndërhyrë për shkak të konvojeve me vetura. Bllokimi i rrugëve është duke i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik, biçiklistët, për shembull. Policia ka filluar që konvojet e dasmorëve t’i përcjellë edhe me helikopter. Ekspertët e policisë gjermane i quajnë këto shfaqje një «inskenim i tepruar i maskulinitetit». Qëllimi është që të demonstrohet pushtet dhe ndikim në hapësirën publike dhe të provokohet popullsia vendore shumicë, në këtë rast gjermanët.