Ta ushqesh fëmijën me «Big Mac» dhe gjëra të tilla është keqtrajtim – kështu thotë ish-drejtori i «McDonalds» në Austri

«I çuam sot fëmijët në McDonalds në Shkup» - kështu dëgjohen të thonë jo pak prindër në Kosovë. Pse «Fast Foodi» është fatal – në Shkup, në Prishtinë dhe kudo. Një shpjegim nga Harald Sükar, ish-drejtori i McDonalds në Austri, i cili ka shkruar një libër.




Çfarë bën vaki kur hani një «Big Mac»? Në dhjetë minutat e para ju ndiheni i lumtur. Ky ushqim me shumë kalori ngjall ndjenja lumturie në tru. Pas 20 minutave ju keni qejf të hani edhe një «Big Mac», sepse sheqeri i tepërt që përmban kulaçi ndikon që trupi të kërkojë edhe më shumë sheqer. 10 minuta më vonë ju keni etje. Fajin për këtë e ka kripa, e cila e ka dehidruar trupin tuaj. Meqë ju jeni në «McDonalds», etjen e shuani me Coca-Cola. Pas 40 minutave ju jeni edhe më shumë i uritur. Kanali i tretjes së ushqimit tashmë e ka absorbuar shurupin e misrit, niveli i sheqerit që keni në gjak përplaset si dallgët e detit gjatë stuhisë. Pas një ore do të duhej të fillonte tretja e ushqimit. Për shkak të yndyrave industriale që përmban «Big Macu», tretja zgjat më shumë. Derisa të përpunohen e treten të gjitha këto yndyra, mund të kalojnë më shumë se shtatë javë.

Kështu e përshkruan Harald Sükar shijimin e një «Big Macu» nga këndvështrimi i kanalit të tretjes. Sükar thotë: «Fast Foodi është keqtrajtim i fëmijëve». Këshilla e tij është kjo: «Mos shkoni! Mos shkoni në McDonalds. As në Burger King mos shkoni. As te ndonjë restorant i madh Fast-Foodi. Mos shkoni ju, mos shkoni me fëmijë». Sükar ka qenë 13 vjet shef i McDonalds në Austri. Ai e di për çka po flet. Ai e njeh sistemin e ushqimeve të shpejta pothuaj përmendësh. Jo për t’iu hakmarrë ish-punëdhënësit të tij Sükar ka shkruar një libër me titull: «Kurthi i Fast-Foodit». Tepër kalori, tepër sheqer, tepër kripë, tepër yndyra – të gjithë këto e bëjnë një vizitë në «McDonalds» të rrezikshme për trupin e njeriut. Ushqimi i shpejtë shton peshën e njeriut. Mbipesha të sëmur. Ushqimi i shpejtë të bën të varur – nga ushqimi i shpejtë. Strategjia e marketingut e «McDonalds» është joshja e fëmijëve. Kush ushqehet rregullisht me «Fast Food», atij nuk i bën punë as vrapimi i çdoditshëm. «Fast Food» është problem ekologjik, sepse bujqësia industriale dëmton klimën dhe ndikon në humbjen e biodiversitetit.