«Ta Pastrojmë Kosovën» shënon Ditën Botërore të Mjedisit

Vullnetarët e Organizatës «Let’s Do It Kosova», në kuadër të fushatës «Ta Pastrojmë Kosovën» sot kanë shënuar 5 Qershorin, Ditën Botërore të Mjedisit.




Për nder të kësaj dite, vullnetarët e Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”, kanë realizuar një aksion pastrimi në parkun e Muzeut të Kosovës, afër Xhamisë së Çarshisë, duke larguar një sasi të madhe të mbeturinave nga ajo pjesë, e cila ishte pastruar edhe me 9 Maj, për nder të Ditës së Evropës., transmeton Koha.net.

«Sot në Ditën Botërore të Mjedisit në gjithë botën, adresohen probleme mjedisore. Në Kosovë, këtë problem po e adresojmë duke kontribuar fizikisht për largimin e sasive të mëdha të mbeturinave gjithandej vendit, të cilat po hudhen edhe në vendet e pastruara më parë, sic është rasti me parkun tek Muzeu, i cili si pasojë e pandërgjegjshmërisë së qytetarëve dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve, është mbushur prapë me mbeturina», thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Organizata «Let’s Do It Kosova», u bënë apel institucioneve që të jenë më të përgjegjshme karshi ndotjes së mjedisit duke krijuar infrastrukturën e nevojshme për hedhjen e mbeturinave dhe të gjobitin qytetarët apo edhe kompanitë që e ndotin vendin.

«Pikërisht, në Ditën Botërore të Mjedisit ftojmë të gjithë që të vetëdijësohen për rëndësinë e një mjedisi të pastër dhe të rrisin kujdesin ndaj tij, duke ndryshuar këtë casje. Iniciativa , njofton të gjithë qytetarët, se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe më tej, prandaj u bëjmë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje», përfundon komunikata e kësaj organizate.