Ta bëjmë ariun zëvendësministër, pastaj e dekoron presidenti




Mos e vrisni ariun.
Sepse ariu na duhet.
Sepse ariu është pjesë e pandashme e jetës sonë.
Sepse ai është dëshmitar i të mirave dhe këqijave në shoqërinë tonë.
Ariu mund dhe duhet të bëhet zëvendësministër.
Ariu mund dhe duhet të bëhet këshilltar.
Ariu mund dhe duhet të bëhet diplomat.
Ariu mund dhe duhet të intervistohet nga Gjykata Speciale.
Ariu mund dhe duhet të shpallet veteran.
Ariu mund dhe duhet të marrë pjesë në debate televizive.
Ariu ka të drejtë t’ia bëjë me sy moderatorit.
Ariu mund ta nominojë kryeministër kryetarin e PDK-së.
Ariu mund të dekorohet nga presidenti.
Ariu mund të shpallet gylenist nga Rexhep Taip Erdoani.
Ariu e ha hekurin.
Ariu anëtarësohet në PDK.
Ariu mban konferencë për shtyp çdo të premte.
Ariu shpallet separatist nga Aleksandar Vuçiqi.
Ariu udhëton me autobus nga aeroporti në Prishtinë.
Ariu ka të drejtë të ketë avokat të paguar nga shteti.
Ariu shkruan recension mbi pikturat e Edi Ramës.
Hapet tender për t’ia blerë një xhip ariut.
Ariu na duhet në kohëra të mira dhe të liga.
Sllogani i ariut në zgjedhjet e ardhshme parlamentare: «Familja, prona, shteti».
Shoqëria civile e civilizon ariun – për një honorar të majmë.
Ariu privatizon Brezovicën.
Ariu i blen tokat e Azem Sylës.
Ariu ka pension invalidor të Zvicrës.
Ariu e ka numrin privat të mobilit të Angela Merkelit.
Ariu i falë pesë vakte (momente!), pastaj shkon në kishë.
Ariu pi vetëm Frutomania.
Ariut nuk i duhet vizë.
Ariun e thërrasin në darkë ambasadorët.
Ariun përherë e ftojnë te Lutjet e Mëngjesit.
Ariu është George Washingtoni i Kosovës.
Ariu e ka takuar Donald Trumpin.
Në dreka zyrtare ariu ha peshk.
Ariu është kryetar i jurisë së Dokufestit.
Ariu vjel rrushin në Rahovec.
Ariu deguston verërat në bodrumet e Rahovecit.
Ariu e bashkon Preshevën me Kosovën.
Ariu kur vjen me veturë me targa të huaja në Kosovë nuk i paguan sigurim Gani Thaçit.
Ariu e sjell Sistinën në Sllatinë.
Ariu e ka shoqe multietnike Rada Trajkoviqin.
Ariu reciton poezi në Polip.
Ariu e viziton varrin e dr. Rugovës.
Ariu çdo të diele del në Gërmi.
Ariu ka refuzuar të shkojë në Siri.
Ariu e dëgjon Radio Kukësin.
Ariu na e kthen Çakorin.
Ariu e hap urën në Mitrovicë.
Ariu nuk shkon në lokale me «Muzik».
Ariu e lexon Ismail Kadarenë.
Ariu ka bërë foto me Azem Bejtën te Marubi në Shkodër.
Ariu e di përmendësh Lahutën e Malcisë.
Ariu ka qenë në Theth.
Ariu e lexon «New York Times-in».
Ariu pi vetëm raki Skrapari.
Ariu nuk manipulon tenderë.
Ariu nuk arratiset në Suedi.
Ariu nuk pikturon.
Ariu e bën nervoz Ivica Daçiqin në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ariu nuk emëron konsull nderi të Kosovës personat e kërkuar nga drejtësia.
Ariu nuk e ka parë Titon cullak.
Ariu nuk ha bar.
Ariu do t’i gllabërojë peshqit e mëdhenj.
Ariu do e bëjë shqiponjën në Kampionatin e Futbollit në Katar.