Stambolli dhe greku i paqenë: përse Erdoani po nxit një konflikt për emra?

Ndërsa po afrohet data e zgjedhjeve në Stamboll, presidenti turk po kapet pas teorive të komplotit.

Stambolli. Foto: Shutterstock



Për Edmondo De Amicis nuk kishte dilemë: Bukuria e këtij qyteti «është universale dhe absolute». Shkrimtari italian e kishte fjalën për Konstantinopojën, Stambollin e sotëm. Edmondo De Amicis ka shkruar një libër me titullin «Constantinopoli». Libri u botua në vitin 1878. Në dokumentet zyrtare qyteti në Bosfor quhej Dersa’âdet, portë e lumturisë. Stambolli ka pasur shumë emra gjatë historisë së tij të bujshme: Bizant, Roma Lindore, Stambull. Për shkak të këtyre shumë emrave tani, 566 vjet pasi metropoli dikur i krishterë u pushtua nga Fatih Sulltan Mehmeti i Dytë, Rexhep Taip Erdoani bën edhe fushatë elektorale, shkruan gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung».

«Ky është Stambolli apo Islâmbol (fjalë për fjalë: i përmbushur nga islami, një fjalë artificiale nga shekulli i ’18, [shënim i Süddeutsche Zeitung])», thotë Erdoan. «Kjo nuk është Konstantinopoja», shtoi presidenti turk. Ka të tjerë që mendojnë ndryshe dhe ata duhet të ndalen, porositi ai. Për këtë nuk mbetet shumë kohë, edhe pak ditë, deri më 23 qershor, atë ditë kur në Stamboll do të përsëriten zgjedhjet për kryetar të qytetit, sepse rezultati i zgjedhjeve të para nuk i pëlqeu Erdoanit, sepse fitoi kandidati i opozitës. Demokracia për Erdoanin është në rregull vetëm kur rezultati është i favorshëm për të. Në fillim të karrierës së tij politike Erdoan ka thënë se demokracia për të është si tramvaji – «kur të arrijmë në cak, do të zbresim».

Erdoan nuk përmendi armiq të cilët e kanë ndërmend ta shndërrojnë Stambollin në Konstantinopojë, por të gjithë e kuptuan se ai goditi Ekrem Imamollunë, i cili si kandidat i partisë socialdemokrate CHP fitoi zgjedhjet lokale në Stamboll më 31 mars. Imamaollu nuk ka thënë kurrë se do të bëhet kryetar i Konstantinopojës, «qyteti i qyteteve» siç e quajnë grekët deri më sot.

Imamaollu, shkruan «Süddeutsche Zeitung», rrjedh nga Trabzoni buzë Detit të Zi. Atje dikur kanë jetuar shumë grekë, para së të dëboheshin para 100 vitesh, të vriteshin dhe shpërnguleshin me forcë. Para disa viteve Imamollu i ka takuar në Greqi pasardhësit e disa grekëve të Detit të Zi. Takimi shkoi mirë, të dy palët u mirëkuptuan, madje vallëzuan së bashku. Imamollu postoi në Facebook një video nga ky takim. Pas zgjedhjeve komunale të 31 marsit një politikan lokal grek tha se Imamollu duhet të jetë grek meqë është aq i patrembur. Zjarrvënësit turq e përhapën menjëherë këtë deklaratë të politikanit lokal grek, në CNN Türk një moderator e pyeti Imamollunë se përse nuk po thoshte asgjë për këtë çështje, ndërsa Imamollu mbeti gojëhapur, i habitur nga propaganda se ai na qenkësh grek.

Imamollu e festoi Bajramin në vendlindjen e tij pranë Detit të Zi. Ai tha se me rëndësi është të jesh njeri i mirë dhe vizitoi varrin e gjyshit të tij. Në luftën turke për pavarësi mes viteve 1919-1923 ai luftoi kundër grekëve.