«Stacioni» s’e lëshon objektin, Ministria njofton organet e rendit




Ministria e Kulturës nuk ka arritur që ta bindë qendrën për art bashkëkohor «Stacion» për ta liruar objektin në kompleksin «Emin Gjiku». Por për zbatimin e vendimit zyrtarët e këtij institucioni kanë paralajmëruar që sot (e enjte) do të kërkojnë ndihmë nga organet e rendit.

 

«Nesër paradite për këtë do të njoftohen organet e rendit», ka thënë të mërkurën Ndue Ukaj, zyrtar për informim në MKRS pak orë pas konferencës për media të Rrjetit të Organizatave të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RrIPAK), ku është kundërshtuar vendimi i MKRS-së për largimin e «Stacionit» nga objekti të cilin e shfrytëzon tash gati një dekadë. Institucioni më i lartë kulturor dhe «Stacioni» kanë shkëmbyer akuza nga distanca, shkruan sot Koha Ditore.

MKRS-ja nëpërmjet komunikatës e ka cilësuar «Stacionin» uzurpator dhe ka bërë të ditur se tashmë i është drejtuar gjykatës për këtë çështje. Stafi i «Stacionit» dhe anëtarët e RrIPAK-ut qasjen e MKRS-së e kanë cilësuar hakmarrje ndaj institucioneve të pavarura të kulturës.

Vendimin për lirimin e objektit MKRS-ja e kishte marrë me arsyetimin se «Stacioni» është uzurpues i një objekti që mbrohet me ligj si aset i trashëgimisë kulturore. Ora 14:00 e ditës së hënë ka qenë afati i fundit që i kishte dhënë Qendrës për Art Bashkëkohor për ta liruar objektin në të cilin tash e pesë vjet zhvillon aktivitet pa kurrfarë leje nga Muzeu i Kosovës dhe Ministria e Kulturës.

Krejt këtë drejtori i artistik i «Stacionit», Albert Heta, e ka cilësuar si një proces të jashtëligjshëm. Sipas Hetës tashmë «Stacion» është posedues i shtëpisë së gurit.