«Spiegel Online»: Merkel kyçet në problemet e Ballkanit, por s’ka çfarë i ofron rajonit për shkak se Macron po e bllokon integrimin

Portali gjerman «Spiegel Online» ka arritur të sigurojë draftin e deklaratës që do të publikohet pas Samitit të Berlinit. Aty thuhet: «Serbia dhe Kosova pajtohen për të rifilluar dialogun për normalizim». Kjo deklaratë nuk është e përshtatshme për të përhapur optimizëm. Kritikët e Angela Merkelit theksojnë se ajo nuk ka një ide se si të normalizohen raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.




Portali gjerman «Spiegel Online» shkruan se me pritjen e liderëve të Ballkanit në selinë e saj në Berlin kancelarja Angela Merkel i është futur një rreziku të madh. Qe një kohë Federica Mogherini po përpiqet ta zgjidh konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, së fundi ideja për shkëmbimin e territoreve sipas vijave etnike gjeti përkrahës të rinj. Kritikët në Bruksel dhe Berlin kanë frikë se një shkëmbim i tillë mund të ketë efekt negativ në rajon. «Në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, kryeministri Edi Rama po u jep hov fantazive shqiptaromëdha», shkruan «Spiegel Online». Këto akuza të rënda kundër Shqipërisë janë bërë të mundshme për shkak të mendjelehtësisë së kryeministrit Edi Rama, i cili shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është përpjekur ta prezantojë vetëm si një pauzë të vogël drejt bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Portali «Spiegel Online» citon ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Asselborn, i cili thotë se shkëmbimi i territoreve shpejt mund të ketë efekt edhe në vende të tjera të Ballkanit. Çfarë nuk ia ka dalë Mogherini, tash po provon Merkel, por jo të gjithëve u pëlqen qasja e saj. Por, sipas «Spiegel Online», politikanët në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera të BE-së dyshojnë se kancelarja gjermane ka një ide bindëse se si t’i normalizojë raportet mes Serbisë dhe Kosovës. «Spiegel Online» citon draftin e deklaratës që do të publikohet pas Samitit të Berlinit. Aty thuhet: «Serbia dhe Kosova pajtohen për të rifilluar dialogun për normalizim». Kjo deklaratë nuk është e përshtatshme për të përhapur optimizëm.

Në të vërtetë Merkel ka pak për t’iu ofruar bashkëbiseduesve të saj të hënën në mbrëmje. Dhe kjo për shkak të presidentit francez Emmanuel Macron, me të cilin ajo ka organizuar Samitin. Joshja më e madhe për Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit për të zgjidhur ngatërresat kufitare është perspektiva për anëtarësim në BE. Vitin e kaluar Brukseli i kishte premtuar Serbisë hyrjen në BE në vitin 2025. Para së gjithash Parisi reagoi ashpër dhe Komisioni i BE-së qe i shtyrë që këtë datë ta minimizojë. Që nga atëherë qëndrimi kundërshtues i Francës vetëm sa është ashpërsuar. Para një viti ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së mezi arritën të merren vesh që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat më 2019.

Gjatë ditës së hënë komisioneri i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, e ka përmendur në profilin e tij në Twitter vetëm Maqedoninë e Veriut si vend që mund të fillojë negociatat, Shqipëria është injoruar. Rol negativ për këtë qëndrim të zyrtarëve europianë ndaj Tiranës ka luajtur sigurisht kriza politike në Shqipëri, e cila është thelluar pas veprimeve të papërgjegjshme të opozitës së drejtuar nga Lulëzim Basha. Megjithatë, përmes shtypit gjerman Hahn ka bërë të ditur se Komisioni i BE-së do të propozojë që negociatat të fillojnë me të dy vendet – Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

«Spiegel Online» shkruan se Macron ka penguar edhe publikimin e raporteve të progresit për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ka qenë e planifikuar që ato të publikohen në prill. Me raportet, të cilat sipas «Spiegel Online» janë deri-diku pozitive, BE do të merret tek më 29 maj, pas zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së. Macron frikësohet se do t’u jap municion kundërshtarëve të tij nëse francezët kuptojnë se BE pas Serbisë dhe Malit të Zi tani dëshiron të nisë negociatat për anëtarësim edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. «Spiegel Online» shkruan se me gjasë me pajtimin e Gjermanisë dhe për shkak të presionit të Francës për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të vendoset ndoshta në vjeshtë. Në draftin e deklaratës së Samitit të Berlinit vendeve të rajonit u premtohet një «perspektivë europiane». Në gjuhën gazetareske kjo është «no news».