Spiegel: «Një dramë mërgimi: Jo pa babain tim»

Një burrë dëshiron të ikë nga Kosova në Gjermani, por e ndalon djali i tij: drama e emigracionit «Babai» e gjermano-kosovarit Visar Morina po e impresionon botën e filmit.




Në qendër të filmit «Babai» qëndron një hero i vogël – Nori. Fakti që regjiszori ka marrë një material virulent dhe e ka vendosur atë në vitet e ’90-ta në ish-Jugosllavi, mund të ketë diçka me historinë e jetës së vet atij, supozon «spiegel.de». Sepse, Visar Morina ka lindur më 1979 në Prishtinë, më vonë ka ardhur në Gjermani dhe përpara se të studionte për film ka punuar si asistent-regjisor në Skenën Popullore të Berlinit.

Në film ai rrëfen një histori me babë e bir. Nori 10-vjeçar dhe babai i tij Gëzimi jetojnë në një katund të Kosovës dhe paranë e fitojnë duke shitur cigare. Ende nuk ka plasur lufta, por njerëzit ikin me të madhe dhe shumëkush fatin e tij e kërkon në Gjermani. Kështu bën edhe Gëzimi, por arratisja e tij e parë me veturë dështon në kufirin me Malin e Zi: Në bagazhin e veturës e zbulojnë Norin, i cili ishte fshehur aty pa dijeninë e babait. Djali e saboton edhe provën e dytë të babait për t’u arratisur duke i dalë përpara autobusit me të cilin udhëtonte babai, duke përfunduar në spital. Nori është një fëmijë i ndrojtur dhe i introvertuar. Atë e karakterizon një dashuri e palëkundur për babain e tij. Dhe kur ky megjithatë ia del të ikë nga Kosova, Nori i vardiset në mënyrën e vet.

«Babai» nuk është një film aksion, siguron raporti i gazetës. Fuqia e filmit qëndron në thjeshtësinë e tij dhe në qetësinë e rrëfimit. Ngjarjet janë dramatike, por paraqiten në mënyrë jospektakulare. Publiku fillon t’i ndjekë ndodhitë e çuditshme me sytë e Norit. Deri te arratisja natën me gomone në Mesdhe dhe kontrollet në hyrje të strehës gjermane të azilantëve. Ai vazhdimisht rrethohet nga njerëz të cilët ndjekin qëllimet e tyre. Edhe djaloshi mëson të shtyhet, duke u bërë i pakonsideratë – sikurse të mëdhenjtë.

Historia i kontribon diskursit mu sepse është e shkëputur nga lamjet aktuale dhe temat e nxheta momentale. Ngjarja zhvillohet mjaft herët në kohë, për të mos u bluar në debatet e sotme ditore. Fundja, sipas raportit, Visar Morina nuk interesohet gjithaq për konstelacionin konkret historik, por flet për raportin e një djali me babain e vet. Me këtë ai iu jep figurave një pavarësi mbrsëlënëse. «Babai» tregon se si filmat mbi emigracionin mund të kenë sukses – me guximin për forcën e pavarur të imazheve, duke hequr dorë nga dramatizimi artificial dhe me interesimin për fatet individuale të figurave. ks