Sot është një ditë kur njeriu mbetet pa fjalë dhe trishtimi piskat në kupë të qiellit

Po si mund të ndihen viktimat sot, sonte, në këtë çast ndërsa po e lexoni këtë shënim? Po kush bëhet merak për viktimat. Jo, s’bëhen merak pronarët e «partisë më të madhe» për asgjë, sepse janë në hall: për të shpëtuar lëkurën e vet këta janë në gjendje t’ua përdhosin dinjitetin edhe viktimave, shtresës më të lëndueshme të kësaj shoqërie të grirë e vrarë. Në mesditë i nxjerrin para opinionit mashat e tyre, në mbrëmje i hedhin në ajër.




Ka ditë kur njeriu mbetet pa fjalë. Sot është një ditë e tillë. Ka ditë kur njeriu mendon: a është heshtja përgjigjja e vetme ndaj poshtërsisë? A është heshtja ndëshkimi ndoshta i vetëm ndaj faqezinjve? A flet heshtja më shumë se një milion fjalë? A është heshtja mburojë kundër krimit, mashtrimit, vesit të të gënjyerit, manipulimit, keqpërdorimit? Jo, nuk është. Por, as fjalët nganjëherë s’bëjnë punë.

Dhe në fund të ditës – publiku i tronditur e turbulluar në shpirt. Po si mund të ndihen viktimat sot, sonte, në këtë çast ndërsa po e lexoni këtë shënim? Po kush bëhet merak për viktimat. Jo, s’bëhen merak pronarët e «partisë më të madhe» për asgjë, sepse janë në hall: për të shpëtuar lëkurën e vet këta janë në gjendje t’ua përdhosin dinjitetin edhe viktimave, shtresës më të lëndueshme të kësaj shoqërie të grirë e vrarë. A mos i shkaktuan pak plagë këtij populli bandat e Arkanit, ushtarët e Vlladimir Llazareviqit e Nebojsha Pavkoviqit si dhe policët e Vllastimir Gjorgjeviqit, që në një ditë maji të vitit 2019 për hesape të ulëta ky popull të tronditet e traumatizohet kështu, me këso gjestesh perverse, bizare, groteske?

Çfarë karakteri duhet të kesh që si deputete të bëhesh instrument i lojërave më të ndyra të atyre që nuk e kanë problem të japin edhe gjysmën e Kosovës vetëm për të shpëtuar fundshpinën e tyre? Duhet të jesh e zhveshur nga çdo normë morale dhe të bëhesh mashë e tyxharëve politikë. Nuk merr fund këtu e keqja. Sepse pasi u prezantuan ato fotografi që tani për tani mund të thuhet se janë me burim të dyshimtë, nisi përhapja e tyre gjithandej thua se këtu bëhej fjalë për një garë kuajsh.

Çfarë skëterre! Çfarë dite kur trishtimi piskat në kupë të qiellit! Çfarë guximi prej të krisureje të pështysh mbi viktima, të ndotësh punën e ndershme të atyre pak grave që kanë punuar gjatë gjithë këtyre viteve në rehabilitimin e grave viktima të dhunës seksuale. Dhe nuk e kanë pasur lehtë në këtë shoqëri patriarkale, ku gruaja (e sidomos ajo e përdhunuar) shpesh shihet si grua me behane, me njollë, njeri i pavlerë, që nuk guxon të flasë për tmerrin.

Edhe me vuajtjet e viktimave bëjnë tregti këta. Çudi që ka ende njerëz që ende po çuditen. Çudi që nuk e sheh askush domosdoshmërinë e një revolte qytetare. Çudi që kjo shoqëri po bëhet e shurdhër edhe kur vetë ambasadori amerikan i thotë: dilni në rrugë, njerëz, sepse këta nuk ndalen. Këta duhet të ndalen, prangosen e nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

E dëgjuat këtë bajraktarin e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarin e PDK-së çfarë tha? Tha, sipas Kohës Ditore, se edhe nëse fotot e deputetes F.B. janë gabim, e sigurt është që Serbia ka kryer krime. Ky duhet ta dijë këtë punën me fotografi, ky i di të gjitha, se ky është ai që thoshte se «organizata» e tij ka arritur të marrë informata me thasë nga zyrat më të larta qeveritare në Beograd. A mos ishte në ata thasë edhe ky albumi pervers që sot iu prezantua opinionit? Që Serbia ka kryer krime, e ka vulosur Tribunali i Hagës ngaherë duke dënuar gati komplet udhëheqjen shtetërore serbe. Që mijëra kriminelë serbë kanë mbetur të padënuar, është pasojë e verbërisë së klasës politike kosovare të etur për grabitje dhe vetëm për grabitje. Në këtë rrugë grabitësit kanë pasur shumë shokë e shoqe, shumë kalemxhinj, shpifës, kusarë, atentatorë, banditë e çka jo tjetër.

Çka duhet të ndodhë në ditën e nesërme? Duhet prokuroria ta marrë në pyetje menjëherë deputeten F.B. Ajo duhet të tregojë se nga kush i ka marrë fotografitë në të cilat, sipas saj, shihen kriminelë të uniformuar serbë duke përdhunuar një shqiptare, duhet të tregojë a e njeh familjen e viktimës (sepse tha se e njeh), duhet të shpjegojë se përse këto fotografi nuk i ka dorëzuar në prokurori vite më herët, pasi po thotë se i ka në dispozicion nga viti 2003/2004. Prokuroria duhet të urdhërojë menjëherë një ekspertizë të fotografive. F.B. që sonte u la vetëm nga ata që me gjasë e nxitën të bëjë këtë hata. Askush nga shefat e saj s’po e mbron, po kërkohet tash që AKI të verifikojë fotografinë. F.B. nuk është figura e vetme e shahut që këta e përdorin dhe hedhin si leckë. Kush është joshur prej tyre, e ka të garantuar hedhjen në kanalizimin e politikës.

Nëse dëshmohet përfundimisht se fotografitë janë të vjela nga faqe pornografike, me këtë Serbisë i është bërë një shërbim kolosal. Mund ta marrim me mend se si do ta shfrytëzojë këtë Serbia deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke thënë se këta hajdutët e pushtetit të Prishtinës edhe filmat pornografikë përpiqen t’i shesin si përdhunime.  Ka ditë kur njeriu mbetet pa fjalë. Sot është një ditë e tillë.