Skica për shqiptarë

64 pikëpamje e këndvështrime me rastin e vdekjes së Arbën Xhaferit në moshën 64-vjeçare. [Ribotim me rastin e 7-vjetorit të vdekjes]

Arben Xhaferi.



1.
«Zotin K. e pyetën: ‘Çfarë bëni, kur e doni një njeri?’ ‘E bëj një skicë të tij’, tha zoti K., ‘dhe kujdesem që ai t’i përngjaj asaj’. ‘Kush? Skica?’ ‘Jo’, tha zoti K. ‘Njeriu’”.

2.
Njëjtë si shkrimtari gjerman Bertolt Brechti në rrëfimet e tij të vogla mbi dhe me zotin Keuner edhe Arbën Xhaferi gjatë angazhimit të tij publik bënte skica. Skica shqiptarësh. Ai i vizatonte ata përmes mendimeve. I idealizonte. Besonte se nga thellësia e shoqërisë shqiptare do të burojë e mira dhe ajo një ditë do të ngadhënjejë mbi të keqen. Arbën Xhaferi dëshironte që skicat e tij mbi shqiptarët idealë t’u përngjajnë sa më shumë shqiptarëve realë.

3.
Skica e Arbën Xhaferit mbeti e papërfunduar.

4.
Njeriu vdes dy herë. Njëherë kur ndahet nga kjo botë. Dhe së dyti kur e harrojnë ata që mbesim pas tij.

5.
Arbën Xhaferi ka lënë disa gjurmë, të cilat e bëjnë të paharrueshëm në shoqëritë shqiptare kudo në Ballkan dhe te çdo shqiptar kudo tjetër nëpër botë.

6.
Në «annus mirabalis», në vitin e mrekullive, më 1999, kur bota e civilizuar perëndimore çliroi Kosovën, Arbën Xhaferi ishte politikan me ndikim të madh në Maqedoni. Partia e tij ishte pjesë e koalicionit qeveritar. Nga kjo pozitë Xhaferi dha kontribut vendimtar që sa më shumë shqiptarë të Kosovës të gjenin strehim e shpëtim në Maqedoni. Një valë e madhe solidariteti e shqiptarëve të atjeshëm mbetet kapitull i ndritur i historisë bashkëkohore të shqiptarëve në Ballkan.

7.
Ai ishte mbështetës i madh i lëvizjes çlirimtare në Kosovë, jo vetëm në frontin politik. Për këtë shumë politikanë të Kosovës nuk janë më të vetëdijshëm.

8.
Me angazhimin e tij politik në Maqedoni ai u përpoq që vokabularin e debatit publik ta avancojë në aspektin cilësor, përmbajtësor dhe artikulues.

9.
Tetova, qyteti ku u lind, sipas dëshirës së tij, duhej të bëhej qendër e arsimimit dhe e europianizimit të shqiptarëve të Maqedonisë. Deri në shpërbërjen e Jugosllavisë këtë rol e kishte luajtur Prishtina. Me heqjen e autonomisë së Kosovës nga Beogradi, me përzënien e shqiptarëve nga shkollat fillore, gjimnazet dhe Universiteti i Prishtinës kryeqyteti i Kosovës e humbi edhe funksionin e qendrës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

10.
Arbën Xhaferi përmes koalicionit me konservativët maqedonas të VMRO-së krijoi disa mundësi për depërtimin e shqiptarëve në sektorin publik, në zyra qeveritare dhe ndërmarrje publike.

11.
Ashtu si shumë grupe të tjera politike të shqiptarëve në Ballkan edhe partia e Xhaferit, rrjedhimisht, nuk mbeti e paprekur nga fenomeni i korrupsionit. I manipulimit të votave. I kurtheve politike.

12.
Si shumica e liderëve politikë shqiptarë në Ballkan as Arbën Xhaferi nuk arriti që në kuadër të partisë së tij – derisa ishte gjallë – t’i përkrahë politikanët shteghapës, ata që i përkushtohen zhvillimit, demokratizimit, përparimit.

13.
Megjithëkëtë, Xhaferi tregoi pjekuri politike kur në vitin 2001, pas shpërthimit të kryengritjes shqiptare në Maqedoni, luftëtarët shqiptarë i futi nën ombrellën politike, ua hoqi atyre imazhin e halabakëve dhe, në një mënyrë, u bë zëdhënës i tyre në tavolinën e bisedimeve në Ohër.

14.
Ndoshta është legjendë, por edhe si e tillë e shpjegon mirë mentalitetin e disa shqiptarëve për aventura politike pa program, siç ishte kryengritja e vitit 2001. Pasi kishte shpërthyer lufta në Maqedoni disa luftëtarë shqiptarë marrin nën kontroll katundin e madh të Haraçinës. Dikush nga qeveria e Athinës i telefonon Arbën Xhaferit dhe i lutet të ndikojë te «rebelët e Ali Ahmetit» që të kenë kujdes dhe mos ta sulmojnë rafinerinë e naftës afër Shkupit. Xhaferi thuhet se ishte përgjigjur kështu: «Dyshoj nëse ata e dinë se ç’është rafineria».

15.
Pas uljes së shtizave gjatë luftës së vitit 2001, raportet mes partisë së Xhaferit (PDSH) dhe asaj të Ali Ahmetit (BDI) u ashpërsuan. Eksponentë të PDSH-së akuzuan Ahmetin dhe politikanë të rrethit të tij për bashkëpunim me shërbimin sekret jugosllav. U krijua një mjegull e helmët politike, u publikuan e shpërndanë dokumente që gjoja provonin spiunllëkun, por, në fakt, ato letra nuk dëshmuan asgjë. Humbi besimi edhe ashtu minimal mes politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Nuk dihet tash se ç’është e vërteta dhe ç’është gënjeshtra. Duket se disa bajraktarë të atjeshëm shqiptarë janë vetëm instrumente të shërbimeve maqedonase në luftën me dosje.

16.
Në këtë atmosferë mosbesimi, në varrimin e Arbën Xhaferit, mungoi edhe Ali Ahmeti. Kjo mungesë e Ahmetit flet shumë për klimën politike mes shqiptarëve në Maqedoni.

17.
Kacafytja e vazhdueshme mes partive shqiptare në Maqedoni bëri që disa analistë të huaj të deklarojnë se lufta e vitit 2001 nuk ishte kryengritje për liri e të drejta kombëtare, por për resurse e tenderë.

18.
I lodhur nga sëmundja, Arbën Xhaferi, nuk pati forcë (ndoshta as vullnet) të luajë rolin e qetësuesit dhe udhërrëfyesit aktiv.

19.
Ai faktikisht u tërhoq nga politika; mbeti vetëm deputet. Dergjej, lexonte, mendonte, shkruante nga kulla e tij virtuale.

20.
Tekstet e tij nisi t’i botonte në Tiranë e Prishtinë (kryesisht te «Koha Ditore» dhe te «Shekulli»). Obsesioni i tij ishte bashkimi i shqiptarëve. Nuk besonte më në shoqërinë shumetnike. Ndonëse në koalicion me nacional-konservativët maqedonas partia e tij në gjysmën e dytë të viteve ’90 predikonte për bashkëjetesën.

21.
Shpejt u bë i njohur dhe i popullarizuar. I pëlqente të merrte pjesë në debate e takime, madje edhe atëherë kur çdo aktivitet ia vështirësonte sëmundja dhe kur as publiku nuk ndihej mirë përballë lëngatës së tij.

22.
Dëshira e tij për komunikim, kultivimi i rregullt i kontakteve e dallonin Arbën Xhaferin nga politikanët dhe të ashtuquajturit intelektualë shqiptarë. Me vullnetin e një çuni që prek horizontet e bukura të jetës ai përgjigjej në çdo mesazh telefonik dhe email. Kur vonohej, kërkonte falje. Sëmundja…

23.
Në mesin e rrënojave dhe kaosit shqiptar, Arbën Xhaferi përpiqej të ishte normal. Të jesh normal sot në mesin e shoqërisë shqiptare nuk është pak.

24.
Për këtë arsye ai çmohej edhe nga gazetarët e huaj.

25.
Pas Ibrahim Rugovës Xhaferi është i vetmi politikan shqiptar që me rastin e vdekjes kujtohet me fjalë të zgjedhura në arenën ndërkombëtare.

26.
Javier Solana, tani pensionist mjaft aktiv në debate publike, shkroi në twitter se Xhaferi i ka bërë një shërbim të madh vendit të tij. «Shpresoj se njerëzit do ta kujtojnë atë».

27.
Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Mlladenov, shkroi po ashtu në twitter: «Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë Xhaferi do të mungojë. Një lider vizionar në Ballkan, i cili besonte në paqe dhe integrim të rajonit».

28.
Nëse i krahasojmë këto fjalë të personaliteteve të huaja me ceremoninë shkel e shko të varrimit të Arbën Xhaferit, atëherë pikëllimi në opinionin shqiptar duhet të jetë i shumëfishtë. Ai meritonte një ceremoni mortore dinjitoze. Si njërit prej politikanëve kryesorë të Maqedonisë në dy dekadat e fundit, atij i takonte një varrim me protokoll shtetëror.

29.
Pas vdekjes shqiptarët të çojnë në qiell. Kështu po veprohet edhe me Arbën Xhaferin. Ata që për së gjalli e injoronin, tash e mistifikojnë, duke treguar edhe anekdota gjoja mbresëlënëse mbi miqësinë me të.

30.
Një temë që Xhaferi e trajtonte vazhdimisht ishte raporti i shqiptarëve me serbët, dy popuj që kanë kaluar herë faza simbioze, herë periudha të armiqësisë së përgjakshme. Meqë i idealizonte në masë të madhe shqiptarët, Xhaferi jo rrallë problemet e tyre, moçalin e tyre politik e shihte vetëm si pasojë të «pushtimit nga të huajt» (osmanët, sllavët). Për të shqiptarët ishin jetimë të historisë. Në këtë çështje kishte të drejtë pjesërisht, por me çlirimin e Kosovës më 1999, me avancimin e të drejtave të shqiptarëve me Marrëveshjen e Ohrit, me pavarësinë e Kosovës, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO shqiptarët patën shans të tregojnë se janë faktor politik në Ballkan dhe nuk janë më jetimë të historisë.

31.
Mbase më shumë se çdo politikan shqiptar Xhaferi i përcillte me kujdes zhvillimet politike sidomos në Serbi e Maqedoni. Shpesh analizat e tij mbi mendësinë politike në Beograd dhe Shkup, mbi rolin fatal të intelektualëve serbë e maqedonas në formulimin e politikave agresive ishin të vlefshme për opinionin publik.

32.
Si kontrast drastik duhet përmendur një këshilltar të ish-kryeministrit serb Vojislav Koshtunica, i cili gjatë një konference të politikanëve ballkanikë në Luzern të Zvicrës (para disa vitesh) e kishte pyetur Arbën Xhaferin: «A jeni ju katolik apo mysliman?» Aq e gjerë ishte dija e këtij zyrtari serb mbi shqiptarët.

33.
Siç shkruan historiani zviceran Oliver Schmitti në njërin nga librat e tij, Serbia gjatë shekullit XX nuk ka synuar t’i integrojë shqiptarët. Ajo e dëshironte territorin pa shqiptarë. Për këtë qëllim Beogradi nisi zbatimin e programeve shfarosëse, dëbuese, diskriminuese. Pothuaj njëjtë veproi edhe Maqedonia, qoftë si republikë jugosllave, qoftë më vonë në fillet e saj si shtet i pavarur.

34.
Arbën Xhaferi ishte i vetëdijshëm se politikisht po vepronte mes bashkëkombësve të tij që ende oshilojnë mes identitetit post-otoman dhe retorikës boshe proeuropiane. Kjo vlen veçanërisht për shumicën e trevave të banuara me shqiptarë në Maqedoni, por as Kosova, as Shqipëria nuk janë larg këtij mentaliteti.

35.
Xhaferi ishte kritik ndaj ndikimit turk në viset shqiptare në Ballkan. Nuk e kundërshtonte bashkëpunimin ekonomik mbi bazat e interesit të përbashkët. Por çfarë ndodh në Kosovë e Shqipëri, ta zëmë, është një pazarllëk për interesa të politikanëve plaçkitës. Tashmë janë dorëzuar në tabakun e argjendtë aeroporti i Prishtinës, distribucioni i KEK-ut, në radhë janë posta, telekomi, ndoshta edhe ndonjë minierë. Në Shqipëri ndërtimi i së ashtuquajturës «rrugë e kombit» është shoqëruar me akuza të rënda për korrupsion kundër një konzorciumi amerikano-turk dhe disa politikanëve shqiptarë.

36.
Për të shpjeguar pak sfondin historik duhet sjellë këtu një shembull: në vitin 1928 në parlamentin e Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene në Beograd u vra Stjepan Radiqi, një politikan kroat. Vrasës ishte Punisha Raçiqi, malazez, i cili në vitin 1920 kishte kandiduar në Tetovë në një listë të përbashkët të Partisë Radikale dhe Xhemijetit (partisë së myslimanëve shqiptarë). Më vonë Raçi1i kreu punët brutale të Beogradit në Kosovë. Pra, aftësia politike e shqiptarëve historikisht nuk ishte e theksuar sa duhet, madje shpesh vendimet qenë fatale, siç tregon rasti i Raçiqit, i cili u zgjodh deputet me vota të shqiptarëve.

37.
Mbi këtë trashëgimi historike dhe politike Arbën Xhaferi u përpoq të iniciojë diçka si emancipim publik, shtetëror, kulturor, arsimor.

38.
Ai ishte i bindur se me këtë trashëgimi të zbehtë historike dhe politike shoqëritë shqiptare jashtë Shqipërisë kanë gjithnjë e më pak gjasa të funksionojnë rregullt brenda shtetit maqedonas dhe në Kosovë si shtet i papërfunduar.

39.
Por Xhaferi e kishte bërë edhe përvojën tjetër të hidhur: kur shpërtheu lufta më 2001 dhe kur edhe te disa nacionalistë maqedonas dhe akademikë ekzistonte gatishmëria për ndarje territoriale, as Shqipëria, as Kosova nuk ishin në gjendje të merrnin përgjegjësinë për një territor që eventualisht do te shkëputej nga Maqedonia.

40.
Shqipëria ideale e Arbën Xhaferit edhe sot është larg Shqipërisë reale. E njëjta vlen edhe për Kosovën.

41.
Në Tiranë e Prishtinë për bashkim kombëtar, për flamur me shkabën «me dy krena» dhe rekuizita të tjera që ndezin epshin nacional flasin e çirren matrapazë me pushtet, të cilët natën bëjnë biznese me oligarkë të Serbisë, ndërsa ditën luajnë rolin e patriotit.

42.
Shënimet e Xhaferit për konsolidimin e shqiptarëve në Ballkan ndoshta do t’u shërbejnë gjeneratave të ardhshme si pikënisje drejt projekteve të reja politike. Projekti më i rëndësishëm i të gjitha shoqërive shqiptare në Ballkan duhet të jetë çlirimi nga prangat e politikanëve plaçkitës.

43.
Arbën Xhaferi u nda fizikisht nga bashkëkombësit e tij në një vit simbolik: në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kur liderët politikë shqiptarë nga sallonet e Europës shikohen si zgjebanikë të rrezikshëm. Por edhe zgjebanikëve diplomatët dinë t’ua rrahin supet. Mjafton t’i kryejnë detyrat e caktuara nën kërcënimin e shantazhit.

44.
Arbën Xhaferi nuk do të jetë dëshmitar i marrëzive të ardhshme politike. Të gjallëve u mbetet që të minimizojnë sa më shumë që të jetë e mundshme efektet negative të marrëzive të pritshme.

45.
Xhaferi nuk ishte vetëm politikan. Dhe kjo e dallonte nga shumë politikanë të tjerë shqiptarë.

46.
Kritikën e filmit e kishte më shumë se pasion.

47.
Me zemërim e kishte shikuar parlamentin e mjerë të Kosovës, i cili nuk e nderoi aktorin Bekim Fehmiu me një minutë heshtje, sepse paskësh jetuar në Beograd. Xhaferi thoshte: «Bekim Fehmiu ishte një aktor i madh i përmasave botërore, pinjoll i një familje nacionaliste atdhetare, i cili në çdo rast e ka theksuar identitetin e tij kombëtar. Kur producentët italianë morën përsipër që ta shndërrojnë në yll botëror kërkuan nga ai që të ndryshojë pak a shumë emrin dhe mbiemrin e tij, konform fonetikës moderne. Sa më kujtohet propozimi ishte Backy Feymy, por ai kategorikisht refuzoi edhe ndryshimin e një germe të vetme».

48.
Viteve të fundit, ndonëse vinte shpesh në Kosovë, Xhaferi s’mbante më kontakte me politikanët sundues të Kosovës, të cilëve ua kishte hapur një pjesë të rrugës për t’u bërë të pushtetshëm.

49.
Në lidhje me këtë ai thoshe: «Kohët kanë ndryshuar. (…) Rrethanat e reja krijojnë miqësi të reja, ato të vjetrat, pak nga pak, po zvetënohen. Interesat e reja krijojnë ndërveprime dhe relacione të reja».

50.
Për keqpërdoruesit e shumë të lirisë ai kishte këtë mendim: «Liria gjithmonë i zbut kriteret morale të përfaqësuesve të shtetit, krijon lakmi dhe prirje që përmes korrupsionit dhe formave të ndryshme jolegale të përmirësohen pozitat e tyre në sistem».

51.
Arbën Xhaferi me paraqitjet e tij shkrimore në Prishtinë e Tiranë arriti shpesh të bëjë jehonë në mesin e publikut. Ishte ndër publicistët e paktë shqiptarë që lexohej gjithandej.

52.
Me kalimin e viteve e kishte konsoliduar autoritetin e tij në hapësirën publike. Kjo i krijonte atij njëfarë lirie të atakonte të gjithë ata që, sipas tij, e kritikonin gjoja pa të drejtë kombin e tij shqiptar.

53.
Por Arbën Xhaferi nuk ishte fanatik i papërmirësueshëm i mendimeve të tij. Gjatë bashkëbisedimit disamujor me të – për realizimin e librit «Në Tetovë, në kërkim të kuptimit» – ai u tregua i gatshëm të ndryshojë, të korrigjojë dhe të rishqyrtojë disa mendime, të cilat i kishte thënë në vrull e sipër për ta theksuar dhe për ta spikatur synimin e shpjegimeve të tij.

54.
Është shumë herët të bëhet një bilanc përfundimtar i angazhimit të tij politik dhe publicistik.
Diçka e tillë do të jetë e mundshme pas shumë vitesh.

55.
Deri atëherë shoqëritë shqiptare në Ballkan duhet ta gjejnë paqen me vetveten.

56.
Duhet ta humanizojnë jetën e tyre shoqërore dhe ambientin politik.

57.
Duhet ta bëjnë realitet ëndrrën për europianizim.

58.
Europianizimi fillon duke e përndritur shoqërinë, duke e edukuar atë për të bërë dallim mes të mirës dhe të keqes.

59.
Kombi i Arbën Xhaferit prej vitesh është në udhëkryq, në kërkim të orientimit.

60.
Nëse në njëzet vitet e ardhshme nuk arrihet një transformim rrënjësor dhe pozitiv i shoqërisë, atëherë pak ia ka vlejtur edhe angazhimi i Xhaferit me shkrime.

61.
Shoqëria shqiptare do të ruante në mënyrë meritore kujtimin për Xhaferin nëse i merr parasysh disa prej këshillave të tij racionale.

62.
Elozhet me fjalë boshe dhe piedestalet prej balte nuk do ta nderonin Xhaferin as tash, as në të ardhmen.

63.
Në emailin e tij të fundit, të dërguar para disa javësh, Arbën Xhaferi më shkruante shkurt: «Të falënderoj shumë për bashkëpunimin». Kështu u mbyll një kapitull i bashkëbisedimit tonë intensiv disamujor, i cili buronte nga sinqeriteti i dyanshëm dhe kureshtja për trajtimin e temave të zakonshme dhe të pazakonshme.

64.
«Zoti Keuner tha: ‘Është vështirë t’i mësosh ata, me të cilët je i zemëruar. Por kjo është veçanërisht e domosdoshme, sepse sidomos ata kanë nevojë për këtë më së shumti’».