Skena i jep jetës një tjetër dimension

Jeta Musolli u lind në Prishtinë më 1989. Shkollimin fillor e ka kryer në shkollën fillore «Ismail Qemali», ndërsa atë të mesëm në shkollën e mesme të muzikës «Prenk Jakova» në Prishtine, ku diplomoi në drejtimin e baletit.




Vazhdon studimet në Degën e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Është balerinë dhe soliste në Baletin Kombëtar të Kosovës. Pjesëmarrëse në të gjitha shfaqjet e kësaj trupe, rreth 30 sosh në 13 vite karrierë. Ka qenë pjesëmarrëse edhe në shfaqje teatrore në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ndër shfaqjet të cilat ka marrë pjesë janë: «Bukuroshja e fjetur», «Carmen», «Copelia», «Balloja e Diplomës», «Sylfida»,»Rekuiemi i Verdit», «Don Kishoti», «Lidhja», «Ngjyrat e Vallëzimit», «Othello». Do të luajë edhe në shfaqjen «Spartaku» nën koreografi të koreografit kuban, Israel Rodriguez, premiera e së cilës do të jetë më 15 të këtij muaji.

Jeta Musolli është personazhi i kësaj jave që flet për rubrikën «7 Shkronjat» në «E diela me Koha ditore»

Jeta. «Jeta është e bukur, admiroje! Jeta është e lumtur, shijoje! Jeta është një sfidë, takoje!», janë disa nga vargjet e poezisë «Jeta» e shkruar nga Nenë Tereza, të cilat me të vërtetë të bëjnë të mendosh ndryshe dhe të bëjnë të kuptosh që qëllimi i jetës është ta jetosh, të përjetosh eksperienca, t’i realizosh ëndrrat tuaja, të mos kesh frikë të përballesh me sfida të ndryshme, të dhurosh sa me shumë dashuri. Dhe vetëm atëherë do të jesh i lumtur, do të kuptosh vlerën dhe kuptimin e plotë të «Jetës»!.