Skeçi më i ri i «Stupcave»: Kadri V. lufton korrupsionin me sëpatë

Shumë politikanë – sidomos nga PDK, AAK, NISMA - nuk kanë asnjë ide si të qeverisin, andaj flasin «për luftimin e korrupsionit» - flasin ata që e kanë instaluar korrupsionin në çdo pore të jetës, flasin për ushtri ata që nuk dihet si i kanë djegur paratë për «vitin e Skënderbeut», flasin për punësime ata që opinioni i njeh si tregtarë tenderësh (herë 10 e herë 20 për qind të shumës).

Foto: Shutterstock



Me përjashtim të viteve 2004-2007 e ashtuquajtura Parti Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në pushtet që nga qershori i vitit 1999. Sidomos pas shpalljes së pavarësisë më 2008 PDK arrit të fusë pothuaj të gjitha resurset e shtetit nën kontroll, të marrë nën zotërim edhe agjencitë e fundit të pavarura të shtetit, pasi më parë PDK kishte infiltruar policinë me militantë dhe gjyqësinë me servilë dhe të paaftë. Në dekadën e fundit Kosova e qeverisur (lexo: plaçkitur) nga PDK është shndërruar nga një vend i korruptuar në një vend të gërryer nga kanceri i korrupsionit. Pothuaj në çdo aferë dikush nga PDK ka qenë i përzier.

Kur u ka ardhur rendi, janë përzier edhe të tjerët: AAK në privatizimin (lexo: vjedhjen) e Ferronikelit. PDK ka kontrolluar shumicën e ndërmarrjeve publike dhe shumica janë në gjendje të rëndë, ndonjëra para falimentimit. PDK dhe argatët e saj kanë arritur që vlerën e Postës dhe Telekomit të Kosovës ta zbresin nga një miliardë në afërsisht njëqind milionë. Ndërkohë jo vetëm kjo ndërmarrje është mbushur kryesisht me militantë të PDK-së. Nuk dihet ende sa para janë djegur nga buxheti i Kosovës për autostradën nga kufiri me Shqipërinë në Arllat. Me çfarë motivesh PDK praktikisht ia fali Turqisë rrjetin e shpërndarjes së energjisë? Me çfarë motivesh PDK ia la në duar njerëzve të afërt me autokratin turk aeroportin e Prishtinës? Është zbuluar se një bandë e afërt me PDK-në i ka vjedhur dhjetë për qind të tenderit për shtypjen e pasaportave biometrike. Sa tenderë të tjerë janë vjedhur dhe drejtësia i ka mbyllur sytë? Sa para të vjedhura i kanë transferuar në botën e jashtme «çlirimtarët» (lexo: plaçkitësit) e Kosovës?

Kjo është trashëgimia e PDK-së. Dhe shfaqet tani para opinionit Kadri Veseli, shefi i organizatës sekrete partiake, dhe me gëzofin e shefit të partisë premton se PDK tani do ta luftojë korrupsionin. Kjo është po aq e besueshme sa të thërrasësh piromanin të fikë zjarrin që e ka vënë vetë. Veseli thotë se do të themelojë një «byro anti-korrupsion». Do të ishte mirë ta bënte shef të kësaj byroje ta emëronte Nazmi Mustafin, i cili ka qenë udhëheqësi i task-forcës së themeluar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi për luftimin e korrupsionit. Siç dihet Nazmi Mustafi u arrestua dhe dënua për korrupsion. Kur ka ndodhur kjo PDK ka qenë në pushtet. Rrjedhimisht, premtimi i Kadri Veselit për «byro anti-korrupsion» duhet të merret po aq seriozisht sa lufta e Nazmi Mustafit kundër korrupsionit. Përveç «byrosë» shefi i PDK-së propozon edhe themelimin e një komisioni të përhershëm parlamentar kundër korrupsionit. Meqë PDK është edhe njëfarë firme ndërtimore, bajraktari i saj ka premtuar se sapo të bëhet kryeministër do të legalizojë 350 mijë ndërtime pa leje.

Shumë politikanë – sidomos nga PDK, AAK, NISMA – nuk kanë asnjë ide si të qeverisin, andaj flasin «për luftimin e korrupsionit» – flasin ata që e kanë instaluar korrupsionin në çdo pore të jetës, flasin për ushtri ata që nuk dihet si i kanë djegur paratë për «vitin e Skënderbeut», flasin për punësime ata që opinioni i njeh si tregtarë tenderësh (herë 10 e herë 20 për qind të shumës). Dhe çdo premtimi ia shtojnë edhe këtë bisht: do të veprojmë në bashkëpunim me «aleatët tanë perëndimorë», me «SHBA-te dhe BE-në» dhe dokrra të ngjashme. Po përse të përmenden aleatët kur bëhet fjalë për pastrimin e oborrit tënd? Kështu flasin ata që e kanë ndotur oborrin. Rrjedhimisht premtimet e kryetarit të PDK-së se do ta luftojë korrupsionin më shumë mund të gjejnë vend në një skeç të «Stupcave» me titullin: Kadri V. lufton korrupsionin me sëpatë. Ky person nuk mund të shtiret sikur fajet i kanë të tjerët, ndërsa ky vetë nuk paskësh qenë në pushtet. Në të vërtetë pushtetin në Kosovë në dy dekadat e fundit e kanë pasur dy persona: Shefi shumëvjeçar i PDK-së Hashim Thaçi dhe organizata për varrime dhe dasma e quajtur SHIK. Kush ka qenë drejtor i kësaj bande muzikore? Nga politikanët duhet të pritet që fjala dhe vepra e tyre të harmonizojnë. Kadri Veseli është shembull i një politikani që nuk i harmonizojnë fjalët e sotme me veprat e derisotme.

Këtë imazh të errët atij nuk ia ndreqin dot aderimet e kohëve të fundit. Aderim është kur anëtarësohesh në një parti që synon çlirimin e Kosovës nga krimi, korrupsioni e nepotizmi. Aderimet nëpër parti që janë fajtore për krejt të zezat me të cilat përballet Kosova, nuk janë angazhim politik, por punë argati për të përkrahur shkatërrimin e Kosovës. Këtë mund ta bëjnë vetëm daullexhinjtë pa fije dinjiteti publik, moral, kombëtar dhe shtetndërtues. Këta thjeshtë e bëjnë publike atë që është ditur: rolin e shërbëtorit të ndyrë për interesa të ndyra të pushtetarëve të ndyrë. Këto lloje aderimesh janë trafikim i njerëzve, janë shitblerje mishi me afat të skaduar politik, janë pazare të ulëta të nëntokës së pistë të Prishtinës.