Simbole jete zbërthehen me «Këngët e peshqve»

Ngjyrat e ndezura mbisundojnë në piktura. Peshqit kanë forma e emra të ndryshëm. Emrat tregojnë se peshqit e Blerta Surroit shëtisin anembanë botës ujore. «Këngët e peshqve» simbolizojnë fuqinë e femrës për të sjellë jetë, shkruan sot Koha Ditore.




Shtatzënia e kishte frymëzuar që të pikturonte 27 veprat, që janë ekspozuar të premten mbrëma në galerinë e «Qendrës për Dekontaminim Kulturor» në ditën e tretë të edicionit të tretë të festivalit «Mirëdita dobar dan» në Beograd.

«Që nga kohët pagane, peshku është konsideruar simbol i amësisë, simbol i jetës, i forcës natyrore të gruas për të sjellë jetë. Dhe kjo ndoshta ka përkuar me kohën time kur kam qenë shtatzënë. Në dy shtatzënitë e mia, e kam realizuar dhe kam përfunduar këtë cikël», ka thënë Surroi para të pranishmëve, që kanë «udhëtuar» nëpërmjet veprave «Rrugës për në festë», nëpër ujërat e «Madagaskarit», me «Arkën e humbur» për të vizituar edhe «Detin e Dukagjinit».