Si t’i bëjmë qytetet tona më të jetueshme




Cilësia e hapësirave publike të qyteteve tona duhet të përmirësohet. Sot, ato janë të pasigurta për gratë dhe vajzat. Kufizojnë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara. Janë torturuese për prindërit me karrocë. Fëmijët janë përditë të rrezikuar nga trafiku dhe parkimet e parregullta. Të moshuarit nuk kanë strehë freskie dhe hapësirë rekreacioni. Pa përmendur këtu korsitë për biçikleta, sheshet, parqet, cilësinë e ajrit, mobilitetin urban, artin publik, hapësirat komunitare, pastërtinë e lumenjve.

Në shikim të parë, hapësirat publike mund të duken vetëm si çështje të projektimit të lokacioneve. Por në realitet ato janë shumë më tepër se kaq. Janë hapësira që i japin gjallëri komunitetit, që i lidhin fqinjtë mes vete dhe që e forcojnë ndjenjën e përkatësisë. Hapësirat publike nxisin zhvillimin ekonomik dhe promovojnë qëndrueshmërinë mjedisore. E ardhmja e komuniteteve dhe qyteteve tona është ngushtë e lidhur me hapësirat publike.

Një qeveri e përgjegjshme u del në ndihmë komunave të veta, të cilat shpesh kanë mungesë buxheti, ekspertize dhe teknologjie. Një program kombëtar për ngritjen e cilësisë së hapësirave publike do të ishte përgjigjja e duhur. Paralelisht me buxhet dhe ekspertizë shtesë për komunat, duhet bërë ftesë akademisë dhe shoqërisë civile për mbështetje, si dhe përcaktuar objektiva të matshëm dhe monitorim të përhershëm. Me një angazhim të përgjithshëm brenda katër viteve do të kishim hapësira publike më cilësore dhe si rrjedhojë qytete më të jetueshme.

Agjenda 2030 e Kombeve të Bashkuara përmban 17 qëllime të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), ku qëllimi numër 11 i dedikohet specifikisht qyteteve. Arsyeja është e thjeshtë, trendet globale tregojnë që qytetet do të përballen me presione gjithnjë në rritje urbanizimi. Për shembull, në vitin 2030 rreth 60 përqind e popullsisë botërore do të jetojë në qytete, ndërsa në vitin 2050 më shumë se dy e treta. Afër 3 miliardë njerëz do t’i shtohen popullsisë urbane gjatë periudhës 2010-2050.

Gjatë dy dekadave të fundit, zhvillimi i qëndrueshëm urban ishte një nga fushat më të rëndësishme të diskutimit brenda institucioneve të Bashkimit Europian. Ky proces ka çuar në marrëveshjen mbi objektivat dhe parimet e zhvillimit urban, të njohur edhe si «acquis urban». Agjenda Urbane e BE-së (Pakti i Amsterdamit) është një metodë e re e punës për të siguruar përdorimin maksimal të potencialit të rritjes së qyteteve dhe për të adresuar me sukses sfidat sociale. Një nga prioritetet kryesore të Paktit të Amsterdamit është mobiliteti urban (transport publik, ecje, çiklizëm, qasshmëri).

Kosova nuk përbën përjashtim, prandaj duhet të jemi të përgatitur. Neglizhenca 20 vjeçare mund të na kushtojë shtrenjtë në të adhmen. Për këtë arsye, qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të integrojë qëllimin 11 të SDG dhe Agjendën Urbane të BE-së në të gjitha politikat zhvillimore. Fillimisht kërkohet gjithëpërfshirje, për t’u siguruar që askush nuk mbetet i përjashtuar. Kujdes të veçantë duhet kushtuar grupeve të nënpërfaqësuara. Menaxhimi efikas i mbeturinave dhe cilësia e ajrit janë jetike për qëndrueshmëri mjedisore. Transporti publik duhet të jetë i qasshëm dhe i qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, duhen investime në shëndetin publik dhe mirëqenien e banorëve. Gjithashtu na nevojiten sisteme të ngritura për përballje me fatkeqësitë, mbrojtje e trashëgimisë kulturore dhe barazi mes grave e burrave.