Si (nuk) i kujtojmë viktimat, pse duhet kujtuar ato…

Ne jemi një shoqëri me kujtesë të njëtrajtshme. Kujtesa e njëtrajtshme është e thurur me gardhe krahinore. Brenda këtyre gardheve ekzistojnë dhembje krahinore, heronj krahinorë, përjetime krahinore, nderime krahinore, përmendore krahinore. Kujtesa e njëtrajtshme është pasojë e bajraktarizmit, këtij vesi patriarkal, që ka lëshuar thellë rrënjë në histori dhe vërehet edhe sot. Autorë të kujtesës së njëtrajtshme janë bajraktarët politikë, të cilët për hesape pushteti janë në gjendje të bëjnë – dhe kanë bërë – punë edhe më të liga.




«Unë përulem para kujtesës, para kujtesës së çdo njeriu. Dua që ajo të jetë e paprekur, ashtu siç i takon njeriut, i cili lufton për lirinë e tij dhe nuk e fsheh përbuzjen time kundër atyre që ia lejojnë vetes, që kujtesën t’ia nënshtrojnë ndërhyrjeve kirurgjike, deri kur kujtesa t’i përngjajë të gjitha gjërave të tjerave. Ata mund të operojnë hundë, buzë, veshë, lëkurë dhe flokë, sa të duan, ata mund, nëse vërtet duhet, të mbjellin sy me ngjyra të tjera, edhe zemra të huaja, të cilat rrahin një vit më shumë, mund të prekin gjithçka, të shkurtojnë, të lëmojnë, të barazojnë, por kujtesën do të duhej ta linin ashtu si është». – Elias Canetti, shkrimtar

I.
Ne jemi një shoqëri me kujtesë të njëtrajtshme. Kujtesa e njëtrajtshme është e thurur me gardhe krahinore. Brenda këtyre gardheve ekzistojnë dhembje krahinore, heronj krahinorë, përjetime krahinore, nderime krahinore, përmendore krahinore. Kujtesa e njëtrajtshme është pasojë e bajraktarizmit, këtij vesi patriarkal, që ka lëshuar thellë rrënjë në histori dhe vërehet edhe sot. Autorë të kujtesës së njëtrajtshme janë bajraktarët politikë, të cilët për hesape pushteti janë në gjendje të bëjnë – dhe kanë bërë – punë edhe më të liga.

Kujtesë historike në Kosovë është shpesh ajo që imponohet, propagandohet dhe komercializohet për interesa të ngushta politike. Pas luftës së fundit janë ndërtuar aq shumë përmendore, janë shpalosur aq shumë buste, janë vendosur aq shumë simbole kombëtare në vende të caktuara dhe janë bërë aq shumë emërime institucionesh, saqë çdo vëzhgues e humb orientimin. Kjo ndodhë për shkak se mënyra e përkujtimit të së kaluarës ka qenë dhe vazhdon të jetë e organizuar keq, jo rrallë e inspiruar qoftë nga matrapazët politikë, qoftë nga nismat dëshpëruese familjare. Privatizimi i kujtesës, ndarja e aksioneve të historisë si në bursë prodhon një pasqyrë jo të plotë të së kaluarës. Ka në Kosovë aq shumë përmendore, kryesisht të ndërtuara në frymën e realizmit socialist, por nuk ekziston një park përkujtimor për të gjitha viktimat e luftës apo një muze për fëmijët e vrarë. (Të vetmen nismë për diçka të tillë e ka ndërmarrë një organizatë me seli në Beograd, Fondi për të Drejtën Humanitare i Natasha Kandiqit). Ka aq shumë shqiponja groteske të vendosura mbi varre heronjsh dhe viktimash të luftës, por nuk ka, as në kryeqytet, as gjetiu, një varr për ushtarin e panjohur si përmendore simbolike për të gjithë të rënët.

Shohim politikanë të nivelit më të lartë, të cilët në raste përvjetorësh apo solemnitetesh vizitojnë rregullisht dy-tri familje dhe bëjnë mirë, sepse nderojnë kështu flijimin e anëtarëve të tyre për çlirim të vendit. Por, kjo kujtesë është e njëtrajtshme, sepse nuk është e plotë. A e keni parë ndonjëherë që nga viti 1999 një politikan të Kosovës (mendoj këtu në kryeministra, kryetarë protektorati dhe më vonë shteti, kryeparlamentarë) të kenë përkujtuar me pietet, ta zëmë, foshnjën Valmir Deliu, që u masakrua në Abri të Epërme nga trupat serbe? Valmiri kur u vra i kishte 18 muaj. Fytyra e tij u bë ikonë e dhembjes së Kosovës në botë pasi, bashkë me fotografi të tjera, u plasua në internet dhe mori dhenë dhe eterin. Në shoqërinë e dominuar prej burrave që vlerë e quajnë vetëm fuqinë e muskujve s’ka vend për kujtesë historike më të ndjeshme, e cila i përthekon të gjithë ata që s’janë më në mesin tonë, pra heronjtë dhe viktimat si Valmir Deliu.

II.
Hiri dhe pluhuri e kanë mbuluar edhe kujtesën për aq shumë personalitete me renome, që në vitet 90-të mbështetën luftën për çlirimin e Kosovës. Opinioni kosovar me vonesë e mori vesh se në Vjenë në janar 2009 vdiq Christine von Kohl, një gazetare e njohur dhe aktiviste e vendosur për të drejtat e njeriut, e cila u kishte bërë konak edhe politikanëve të Kosovës, të cilëve u ndihmonte për të informuar opinionin botëror mbi represionin serb. Nuk ka asnjë rrugë me emrin e saj në Kosovë. Nuk ka asnjë aktivitet në kujtim të veprës së saj. Për aq sa di nuk ka asnjë nderim për këtë grua fisnike, përveç disa telegrameve të zbehta ngushëlluese pas vdekjes së saj. E shkuar, e harruar.

Kosova e ka fituar luftën më shumë me moral se sa me armë. Morali dhe kauza e drejtë e kanë mposhtur makinerinë serbe – me ndihmën vendimtare të shteteve perëndimore. Për ta lartësuar këtë moral kanë ndihmuar e ndikuar njerëz me autoritet të madh në botë. Njëri prej tyre ishte Marek Edelmani, një nga komandantët e kryengritjes kundër nazistëve në geton e Varshavës, ku ishin ngujuar 400 mijë hebrenj. Shumica e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore u dërguan në kampet e shfarosjes dhe u mbytën në dhoma gazi. Në prill të vitit 1999, pak ditë pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë dhe pas protestave të para të qarqeve të ashtuquajtura pacifiste në Evropën perëndimore kundër intervenimit të Aleancës Veriatlantike, Edelman kishte shkundur opinionin botëror me një apel për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës.

Përmes gazetës polake «Gazeta Wyborcza» ai kërkoi ndërhyrjen e trupave tokësore të ushtrive perëndimore. «Në situatën e tanishme vetëm prania e trupave të NATO-s mund t’i mbrojë shqiptarët nga gjenocidi», shkruante ai në një letër drejtuar politikanëve perëndimorë: presidentit amerikan Bill Clinton, kancelarit gjerman Gerhard Schröder, kryeministrit britanik Tony Blair, presidentit francez Jacques Chirac dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana. «Gjatë Luftës së Dytë Botërore unë kam qenë dëshmitar i gjenocidit në geton e Varshavës», theksonte Edelman në kërkesën e tij për zgjerimin ndërhyrjes së NATO-s. «Udhëheqësve të botës së lirë, presidentit Roosvelt dhe kryeministrit Churchill, nuk u shkoi për dore të pengojnë këtë (gjenocidin, v.j.). Në të vërtetë publikisht vazhdimisht thuhej se lufta po zhvillohet për demokraci dhe të drejta të njeriut. Por kur përfundoi lufta dhe kur demokracia fitoi, tashmë këta miliona njerëz, për të cilët ishte bërë lufta, nuk ishin më. Në mënyrë që të mos përsëritet ajo që unë kam përjetuar në geton e Varshavës, u bëj apel juve, udhëheqës të botës së lirë, të mos kufizoheni vetëm në sulme ajrore, por të dërgoni edhe ushtarë në Kosovë», shkruante Edelman. Me rastin e marrjes së një vendimi të tillë është e dhimbshme të dihet se ushtarët e dërguar mund të vdesin, konstatonte Edelman më tutje. «Mirëpo, si e gjithë gjenerata ime, edhe unë e di se liria ka dhe duhet të ketë çmimin e saj». Marek Edelman vdiq në tetor 2009. Ka dëgjuar ndokush në viset shqiptare për këtë njeri? Jo, sepse paratë e buxhetit ndahen për restaurime absurde të shtabeve të UÇK-së.